01 Korrik 2022

Kryeministri Kurti fton ndërmarrjet zvicerane të investojnë në Kosovë

Cyrih, 25 maj - Rritja e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës ishte në qendër të takimeve që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati në Cyrih me drejtuesit e ndërmarrjeve zvicerane.

Gjatë një dreke pune, kryeministri Kurti theksoi indikatorët pozitivë ekonomik, qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit, fuqinë punëtore profesionale si dhe shpenzimet e ulëta operacionale si disa prej arsyeve se pse Kosova ka potencial serioz për investime të huaja.

Ai po ashtu foli për marrëdhënien e veçantë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës falë mërgatës së madhe shqiptare atje, dhe për planet dhe synimet e qeverisë për ta bërë atë pjesë integrale të zhvillimit të vendit.

Kompanitë e përfaqësuara në këtë drekë pune ishin ABB Electrification, Amberg Group, Dr. Borer Consulting, Capita Switzerland, COOP, Die Weltwoche, ManPower, Parashift, RepRisk/Forlam Ventures, Shcaffhauser Kantonalbank, SAP, Sunrise UPC dhe Sygnum Bank AG.

Ndërsa në takimin me Dr.Asgar Brockmeyer, Zëvendës Kryeshef Ekzekutiv i Grupit Stadler Rail, duke theksuar mundësitë dhe potencialin për investime në Kosovë, Kryeministri Kurti foli për qëllimin e Qeverisë për ndërtimin e infrastrukturës cilësore që redukton kohën dhe koston e udhëtimit për njerëzit dhe mallrat.

Po ashtu, lidhur me integrimin e rajonit, kryeministri veçoi hekurudhën ndërmjet Prishtinës dhe Durrësit në Shqipëri.

Dr. Brockmeyer potencoi gatishmërinë e Stadler Rail për të bashkëpunuar dhe shkëmbyer ekspertizën e tyre në hekurudha me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe ministrinë e linjës.  Ai bëri të ditur se përfaqësuesit e Stadler Rail së shpejti do të vizitojnë Kosovën për shkëmbime të mëtejshme.

Në takimin me kryetarin e Bordit të SELISE (Secure Link Services AG), Kurt Weber, kryeministri Kurti theksoi veçanërisht potencialin e madh dhe gjithnjë në rritje të të rinjve të angazhuar në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Kryeministri Kurti dhe z.Weber, nënshkruan një Letër qëllim, nëpërmjet së cilës Qeveria e Republikës së Kosovës dhe SELISE, në formë të shkruar shprehin interesimin e përbashkët për të promovuar të bërit biznes në Kosovë dhe të mbështetur Republikën e Kosovës në kontekstin e transformimit digjital.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 korrik 2022 - Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri mban Konferencë për media. (Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, ora 9:30)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremonin e diplomimit të kadetëve të Gjeneratës 2022 të Akademisë së Mbrojtjes - Qendrës për Studime Universitare të FSK-së “Wesley Clark”. (Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Nën organizimin e Federatës Sindikale te Sektorit Privat te Kosovës shoqata e autobusëve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë do të protestojnë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për mos krijimin e kushteve për punë. (Para Ministrisë së Infrastrukturës, ora 10:00)

- Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale mban konferencën me temën “Ndikimi i ndryshimeve të Kuvendeve Komunale në kualitetin e politikave lokale” ku do të prezantohet hulumtimi mbi pasqyrimin e përbërjes së Kuvendeve Komunale. (Hotel Sirius, nga ora 10:00)

-OJQ AKTIV dhe platforma OPEN organizon prezantimin e rezultateve të hulumtimit “Regjistrimi i popullsisë nga këndvështrimi i komunitetit serb në Kosovës”. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitrovicën e Veriut, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 voton listën e dëshmitareve qe do të ftohen për intervistim si dhe shqyrton CV-te për angazhim të eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)