19 Prill 2024

Kosova në mesin e dhjetë reformuesve më të mëdhenj në të bërit biznes

Prishtinë, 31 tetor - Kosova është në mesin e 10 ekonomive të mbarë botës që ka pasur përmirësimin më të madh në reformat e të bërit biznes, thuhet në raportin e Të bërit Biznes 2018, të publikuar sot nga Grupi i Bankës Botërore.

 Këtë vit Kosova radhitet në pozitën e 40-të nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 60-të ku ka qenë vitin e kaluar, duke theksuar se këto dy rangime nuk janë plotësisht të krahasueshme për shkak të rafinimit të metodologjisë në njërin prej dhjetë treguesve të matur nga ky raport. 

Kosova radhitet e 10-ta në krijimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 48-ta në tregtinë ndërkufitare, e 122 në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve nga pakicat, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, e 49-ta në zbatimin e kontratave, e 45-ta në pagesën e tatimeve, e 34-ta në regjistrimin e pronës, dhe e 49-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës. 

“Kosova ka përmirësuar në vazhdimësi rregulloret e saj për biznes, siç edhe është konstatuar nga treguesit e raportit Të Bërit Biznes dhe është duke ngushtuar hendekun me vendet me performancën më të mirë”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Grupit të Bankës Botërore për Kosovën.

 “Ky është një lajm i mirëseardhur për ekonominë e Kosovës. Megjithatë, nëse këto reforma nuk zbatohen si duhet dhe në mënyrë konsekuente në praktikë, do të jetë e vështirë për Kosovën që të arrijë ndikimin e dëshiruar për rritjen e produktivitetit të firmave dhe për tërheqjen e më shumë investimeve”.

Çdo vit, raporti Të Bërit Biznes në 190 ekonomi, mat aspekte të rregulloreve të biznesit që janë me rëndësi për sipërmarrësit, duke u fokusuar në dhjetë fusha: krijimin e një biznesi, trajtimin e lejeve të ndërtimit, furnizimin me energji elektrike, regjistrimin e pronave, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve të pakicave, pagesën e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.  

Megjithatë, ai nuk përfshinë të gjitha çështjet që janë me rëndësi për vendimet e bizneseve. Të Bërit Biznes nuk e mat gamën e plotë të faktorëve, politikave dhe institucioneve që ndikojnë në cilësinë e mjedisit të biznesit në një ekonomi ose në konkurrueshmërinë kombëtare. Për shembull, ai nuk i vlerëson aspektet e stabilitetit makroekonomik, zhvillimit të sistemit financiar, madhësisë së tregut, rasteve të mitos dhe korrupsionit, ose cilësisë së fuqisë punëtore.

Përmirësimi i performancës së Kosovës këtë vit është mbështetur nga zbatimi i tri reformave rregullative të biznesit në fushat e: Krijimit të Biznesit, Marrjes së Kredisë dhe Zgjidhjes së Rasteve të Paaftësisë së Pagesës.

Në mënyrë më specifike, raport i Të Bërit Biznes konstaton se gjatë periudhës mbi 12 mujore deri në qershor të vitit 2017, Kosova ka bërë disa përmirësime: është lehtësuar krijimi i një biznesi përmes thjeshtësimit të procesit të regjistrimit të punëtorëve; është forcuar qasja në kredi përmes miratimit të një ligji të ri i cili përcakton rregulla të qarta prioritare në kuadër të falimentimit për kreditorët e siguruar dhe thjeshtësim të procedurave për riposedim të kapitalit të kreditorëve në rastin kur kompania bankroton; është lehtësuar zgjidhja e rasteve të paaftësisë së pagesës përmes aplikimit  të kornizës ligjore për paaftësinë e pagesës së korporatave, duke i vënë në dispozicion procedurat e likuidimit dhe ri-organizimin për debitorët dhe kreditorët.

Raporti thekson se reforma në Kosovë e cila u mundëson palëve të përdorin procedurat e riorganizimit me qëllim të shpëtimit të bizneseve të qëndrueshme, kur ka mundësi për rimëkëmbjen financiare, është veçanërisht me rëndësi. Një ligj gjithëpërfshirës mbi paaftësinë e pagesës (josolvencën), i miratuar në Korrik 2016, ka paraqitur një numër tiparesh moderne që janë harmonizuar me praktikat e mira ndërkombëtare.

Grupi i Bankës Botërore ka kontribuar në përmirësimet e dukshme në mjedisin e favorshëm për biznes në Kosovë gjatë disa viteve të kaluara, dhe mbetet i përkushtuar të mbështes zhvillimin e sektorit privat përmes angazhimeve të tij në sektorin e energjisë, bujqësisë, konkurrueshmërisë dhe në klimën e investimeve. Zhvillimi i udhëhequr nga sektori privat është një prej tri shtyllave të Kornizës së Partneriteti Vendor të Grupit të Bankës Botërore për Kosovën për 2017-2021.

“Korporata ndërkombëtare financiare (IFC), një anëtar i Grupit të Bankës Botërore, do të vazhdojë të përkrah zvogëlimin e barrës administrative për bizneset, transparencën e tatimeve, qeverisjen e përmirësuar dhe raportimin financiar të korporatave, thjeshtësimin e logjistikës për tregti, si dhe reformat e përgjithshme në politikën investuese për tërheqjen e investimeve private dhe Investimeve të huaja direkte në vend”, deklaroi Visar Perani, Zyrtar për Kosovë i IFC-së.

Nëntë ekonomitë e tjera që kanë treguar përmirësimet më të mëdha në Të Bërit Biznes 2018 janë Brunei Darussalam, Tajlanda, Malavi, India, Uzbekistani, Zambia, Nigeria, Xhibuti dhe El Salvadori. Rajonet me përqindjen më të madhe të ekonomive reformuese në Të Bërit Biznes 2018 janë Evropa dhe Azia Qendrore, Azia Jugore dhe Afrika Sub-Sahariane.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)