28 Mars 2024

Kosova importon miliarda, eksporti mbetet i ulët

Prishtinë, 22 gusht - Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i produkteve të huaja. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, mbi 90 për qind e mallrave të huaja importohen në Kosovë, ndërkaq vetëm deri në 8 për qind e produkteve kosovare mund të kalojnë në tregjet e rajonit apo të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Shkaktarë të kësaj gjendjeje, sipas ekspertëve të ekonomisë janë shkatërrimi i fabrikave në luftën e fundit në Kosovë. Mbi 90 për qind e mallrave për nevojat e popullatës dhe të ekonomisë së Kosovës vazhdojnë të importohen nga vende të ndryshme të Evropës.

Për vetëm 6 mujorin e parë të vitit 2010 sipas të dhënave të Doganave, Kosova ka eksportuar në Shqipëri dhe Maqedoni 96 milion kilogram mallra si: mbetje të hekurit, aluminit, bakrit, verëra dhe lëkura të kafshëve me vlerë prej 11 milion e 200 mijë euro.

Ndërsa importi është shumë më i madh në krahasim me eksportin. Vetëm nga  Maqedonia dhe Gjermania gjatë 6 muajve të parë të vitit 2010, Kosova ka importuar 494 milion euro, duke mos i llogaritur edhe mallrat që importohen nga Serbia, Mali i Zi dhe vendet tjera.

Ndërsa pesha e mallit që ka hyrë nga këto dy vende për 6 muaj arrin në 1 miliard e 146 milion kilogram të produkteve. Mallrat e importuara afër 18 për qind e përbëjnë produktet minerale; 15 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet e makinave elektrike; 10 për qind ushqimet; 8 për qind-metalet bazë; 7.8 për qind-produktet e industrisë kimike dhe 7.5 për qind-mjetet e transportit. Ndërsa, eksportin, 59 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt që dalin prej metaleve bazë, kurse 5 për qind-produktet bimore.

Eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa, vlerëson se problemi që Kosova ka një eksport të vogël dhe një import të madh është shkatërrimi i fabrikave në luftën e Fundit në Kosovë. “Kosova ende nuk ka zhvilluar një prodhim të duhur që të ishte konkurrent në tregun vendor ashtu edhe në tregun jashtëm edhe për këtë arsye ka një bilanc negativ në shkëmbime tregtare”, tha Mustafa.

Sipas tij, në një të ardhme mund të përmirësohet situata, por nuk është edhe shpresëdhënëse. “Unë nuk jam shumë optimistë se Kosova do të ketë përmirësimi edhe në të ardhmen sepse pozita e Kosovës është e pavolitshme në krahasim me shtetet tjera si ekonomi e zhvilluar”, vlerëson Mustafa.

Problem tjetër sipas Mustafës është edhe marrëveshja për tregti të lirë “CEFTA”, e cila sipas tij, Kosovën e ka diskriminuar edhe pse ka qenë nënshkruese e kësaj marrëveshje.

“Deri më tash Kosova nuk i ka fituar epërsitë që sjell ‘CEFTA’, në aspektin e rritjes së mundësive për eksport. ‘CEFTA’ nuk është duke funksionuar mirë sepse po i toleron sjelljet e Serbisë dhe Bosnjës që janë në kundërshtim me rregullat e marrëveshjes”, tha Mustafa.

Ndryshe shumica e mallrave në Kosovë hyjnë përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit dhe Merdare. Ndërsa edhe shumë një pjesë e mallrave hyjnë në Kosovë pa u kontrolluar për shkak të mosfunksionimit të pikës doganore 1 dhe 31 në veri të Kosovës që ende nuk kontrollohet nga Doganat e Kosovës që nga shkatërrimi i tyre në dyvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Elhami Ismajli
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)