19 Prill 2024

Kosova eksporton 1.038 miliardë euro shërbime në vitin 2016

Prishtinë, 18 prill - Sipas “Raportit për Tregtinë në Shërbime - Bilanci Tregtar 2016,” përgatitur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës rezulton se tregtia në shërbime në Kosovë për vitin 2016 ka arritur në total prej 1,498 miliardë euro.

Nga kjo shumë, eksporti i shërbimeve ishte 1,038 miliardë euro, ndërsa importi arriti shumën prej 460 milion eurove. Kjo tregon se vendi ynë ka shënuar një bilanc tregtar pozitiv prej 579 milion eurove.

Në vitin 2015, eksporti i përgjithshëm në tregtimin ndërkombëtar të shërbimeve ishte 887 milion euro, përderisa importi ishte 467 milion euro.

Viti 2016 shënoi një trend mjaft pozitiv të rritjes së eksportit të shërbimeve me 151 milion euro më shumë të hyra (ose 17%) se sa në vitin 2015.

Sektorët kryesorë të cilët kontribuon në këtë bilanc pozitiv për periudhën (janar – dhjetor 2016) janë: udhëtimet (turizmi) me eksport në vlerë prej 809 milionë euro, e ndjekur nga biznesi dhe shërbime profesionale me 63 milion euro; shërbimet e komunikimit (ICT) me 48.5 milionë euro; shërbimet e ndërtimit me 13 milion euro; dhe shërbimet qeveritare me 35.5 milionë euro.

Shërbimet e udhëtimit dhe turizmit kryesisht i atribuohen diasporës së Kosovës dhe shtetasve të huaj që punojnë në Kosovë. Bilanc negativ në tregtinë me shërbime ka sektori i transportit me -90 milion euro për vitin 2016.

Nga tabela, vërehet se kemi rritje të eksportit të përgjithshëm të tregtisë në shërbime nga viti në vit, duke ndikuar pozitivisht edhe në bilancin e shërbimeve, sidomos në vitin 2016 me rritje prej 159 milion euro.

Nga tabela 2, vërehet se në vitin 2016 kemi rritje të eksportit për fushën e udhëtimit dhe turizmit me një vlerë prej 89 milion euro; gjithashtu kemi rritje të eksportit për sektorët e biznesit dhe shërbimeve profesionale me 8 milion euro dhe të sektori i ICT-së me 4.5 milion euro.

Me hyrjen në fuqi të MSA-së është parashikuar se këta dy sektorë do t’i rrisin eksportet e tyre në vendet e BE-së, por një indikator që po ndikon negativisht në qasjen drejt tregut të BE-së është mungesa e liberalizmit të vizave për Kosovën.

Si rezultat i kësaj, ofruesit kosovarë të shërbimeve nuk mund t’i ofrojnë me kohë shërbimet e tyre, duke u përballur edhe me kosto më të lartë të transportit krahas konkurrentëve nga rajoni.

Tregtia në shërbime përbën një pjesë të madhe të BPV-së, kryesisht falë prezencës së donatorëve në vend.

Vlerësim i përgjithshëm i kontributit të shërbimeve në BPV ishte 73% në vitin 2015, sipas një vlerësimi nga Banka Botërore, që paraqet një rritje prej 9% (pikë përqindje) nga viti 2004 kur kontributi në BPV ishte 64%.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)