08 Mars 2021

Kosova dënon fyerjen e viktimave të krimeve serbe nga zyrtarët e Serbisë

Prishtinë, 5 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë ndaj disa deklaratave publike të zyrtarëve të lartë të Serbisë, të cilët hapur vazhdojnë të shfaqin mungesë të thellë respekti për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, si dhe familjet e tyre, të cilat, qe dy e më shumë dekada, vazhdojnë t’i kërkojnë me dëshpërim të afërmit e tyre të rrëmbyer nga forcat serbe.

Këto deklarata skandaloze, përveç që fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm.

Qeveria e Republikës së Kosovës e kundërshton këtë mendësi politike dhe presim që këtë ta bëjë edhe bashkësia ndërkombëtare, veçmas Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si faktorë të pazëvendësueshëm të ndërtimit të paqes dhe të perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur të punojë me përkushtim për një të ardhme paqësore të rajonit dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë fuqishëm me aleatët perëndimorë për integrimin sa më të shpejtë në familjen e madhe të vendeve të qytetëruara e demokratike euroatlantike, në të cilën nuk ka vend për urrejtje ndaj etnive të tjera.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Mars 2021

- Institucioni i Avokatit të Popullit organizon një tryezë diskutimi në lidhje me publikimin e dy raporteve me rekomandime në të cilën do të merr pjesë edhe Presidentja Vjosa Osmani. (Hotel International Prishtina në Veternik, ora 9:30)

- Oda e Mjekëve ndan mirënjohje përkujtimore për mjekët që janë ndarë nga jeta gjatë vitit 2020 dhe  institucionet shëndetësore mbështetëse të rajonit të Prishtinës, për kontributin e dhënë në luftën kundër pandemisë. (Qendra e Telemjekësisë në QKUK, ora 10:00)

- Programi për Drejtësi Komerciale në bashkëpunim me Innovation Centre Kosovo, organizojnë diskutim rreth ngritjes të vetëdijes për bizneset fillestare të sapo themeluara dhe sipërmarrësit e rinj me fokus në drejtësinë komerciale, pjesa e sistemit të drejtësisë që siguron çasjen e bizneseve në drejtësi. (Innovation Centre Kosovo -https://www.facebook.com/ickosovo, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e zbarkimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në misionin e parë paqësorë jashtë vendit në të cilën do të merr pjesë edhe Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. (Salla e sporteve në kazermën ''Adem Jashari'', ora 10:45)   

- Partia Liberale Egjiptiane dorëzon ankesë në Gjykatën Supreme për anulimin edhe të pesë vendvotimeve tjera. (Gjykata Supreme e Kosovës, ora 11:00)