03 Korrik 2020

Italia vazhdon mbështetjen për Kosovës

Prishtinë, 16 qershor - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, priti sot ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe vazhdimin e mbështetjes së Italisë për Kosovën.

Ministri Krasniqi e falënderoi ambasadorin Orlando për ndihmën e Italisë ndaj Kosovës që nga përfundimi i luftës, duke veçuar mbështetjen në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ministri Krasniqi e njoftoi ambasadorin për projektet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, dhe për Ligjin për Investime Strategjike që krijon shumë lehtësira për investitorët potencial që do të investojnë në Kosovë.

Po ashtu në takim u diskutua edhe mundësia e rritjes së shkëmbimeve tregtare Kosovë-Itali, sidomos në produktet bujqësore.

Ndërsa ambasadori Orlando tha se pret nga Qeveria të punojë shumë në rritjen e transparencës, forcimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

Ai po ashtu theksoi se Italia do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, duke konfirmuar interesimin për shkëmbime tregtare dhe investime në mes të Kosovës dhe Italisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Korrik 2020

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, viziton Republikën e Shqipërisë ku do të zhvillojë takim me kryeministrin Edi Rama. (Pallati i Brigadave në Tiranë, ora 10:00)

- Ministri  i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, viziton Komunën e Deçanit, ku pritet në takim nga kryetari Bashkim Ramosaj. (Salla e Asamblesë Komunale, Deçan, ora 10:00)

- Ambasadori hungarez në Kosovë, Laszlo Markusz, viziton Komunën e Gjakovës. (Ndërtesa e Komunës, ora 10:45)

- Lëvizja FOL organizon konferencë për media, me ç’rast do të publikoj raportin “Pagesat e Vendimeve Gjyqësore nga Komunat - Vitet 2017, 2018, 2019”. (Zyret e Lëvizjes FOL, ora 11:00)

- Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama mbajnë konferencë e përbashkët për shtyp. (Pallati i Brigadave në Tiranë, ora 11:15)

- Hapet ekspozita “Ditarët e Depresionit” e realizuar nga Ferdi Limani. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë, ora 12:00)

- Banorët e lagjes ”Qendra” protestojnë, të pakënaqur me shërbimet komunale. (Rr.“Rexhep Luci”, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media në të cilën flasin deputetët Arbërie Nagavci dhe Hajrulla Çeku. (Oborri i Kuvendit të Kosovës, ora 13:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. (Presidenca e Shqipërisë, ora 13:10)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. (Zyra e Kryetarit të Kuvendit, ora 14:00) 

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. (Zyra e Kryetarit të Bashkisë, ora 14:45)
 
- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. (Zyra e Kryetarit të PD-së, ora 15:30)