29 Mars 2024

Informaliteti vazhdon të mbetet një nga shqetësimet kryesore

Prishtinë, 9 shkurt - Shkalla e lartë e informalitetit vazhdon të mbetet një nga shqetësimet kryesore në mjedisin e të bërit biznes në Kosovë edhe dhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë, përkundër përpjekjeve dhe përparimit të dukshëm të shënuar në adresimin e këtij problemi.

Kjo u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me titull “Luftimi i informalitetit: Hapat e deritanishëm dhe rruga përpara”, ku u diskutua mbi sfidat me të cilat është ballafaquar Kosova në këtë fushë gjatë dekadës së parë si shtet i pavarur si dhe rekomandimet për veprimet që duhen ndërmarrë gjatë viteve në vijim për të ndihmuar në zbutjen e shkallës së informalitetit.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, theksoi se informaliteti përpos ndikimit të drejtpërdrejtë që ka në mbledhjen e të hyrave për buxhetin e vendit, në masë të madhe ndikon në krijimin e një konkurrence të pabarabartë në treg, ku pala më e dëmtuar janë kompanitë serioze që njëherit janë edhe tatimpaguesë të rregullt.

Ai theksoi se përkundër përmirësimeve në legjislacionin tatimor përgjatë viteve pas shpalljes së pavarësisë, shifrat e larta të informalitetit vazhdojnë të mbeten shqetësuese dhe janë treguesi më i mirë se institucionet duhet të fuqizojnë kapacitetet njerëzore si dhe të shtojnë përpjekjet e tyre që të luftojnë këtë fenomen dhe të krijojnë kushtet për një konkurrencë të drejtë mes operatorëve.

Ai tha se fuqizimi i kapaciteteve për menaxhimin dhe mbledhjen e tatimeve nga brenda është i nevojshëm edhe para hyrjes në fuqi të zhvendosjes së mbledhjes së tatimit mbi vlerën e shtuar për brenda, që tashmë është paralajmëruar nga Ministria e Financave.

Ai tha se vetë bizneset duhet të kontribuojnë më shumë në raportimin e ekonomisë joformale, meqë ata do të përfitonin direkt nga kjo.

Sakip Imeri, Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, sqaroi përpjekjet e institucionit të cilin ai drejton në luftimin e informalitetit.

Imeri theksoi se që nga shpallja e pavarësisë ka pasur disa ndryshime të legjislacionit, por edhe reforma në administratë me qëllim që të lëvizet drejtë sistemeve elektronike të deklarimit dhe pagesës së tatimeve.

Për më shumë, Imeri sqaroi se sipas studimeve të pavarura të kryera së fundmi, shkalla e informalitetit në Kosovë llogaritet të jetë në 31.7% të Bruto Produktit Vendor, përqindje kjo e përafërt me atë të vendeve të tjera të rajonit.

Ai theksoi se krahas rritjes së kapaciteteve të institucionit që ai drejton dhe bashkëpunimit më të mirë ndërinstitucional për luftimin e këtij fenomeni, duhet punuar më shumë edhe për edukimin e bizneseve dhe konsumatorëve mbi të mirat që ekonomia formale i sjell vendit.

Hysen Lajqi, përfaqësues i kompanisë Hib Petrol dhe njëherit anëtar i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, bëri thirrje që t’i kushtohet rëndësi e shtuar sektorit të derivateve në vend, në mënyrë që procesi i fiskalizimit të kompletohet në mënyrë të barabartë për të gjithë operatorët dhe pa vonesa të mëtutjeshme.

Ai poashtu sqaroi se përfundimi i procesit të fiskalizimit në këtë sektor do t’i mundësonte institucioneve që të kenë më shumë kontrolle mbi cilësinë e derivateve në treg.

Poashtu, Lajqi theksoi se përpos instalimit të arkave fiskale, duhet punuar me konsumatorë që të nxiten të njëjtit që të kërkojnë kuponat fiskal në momentin kur ato nuk u jepen nga bizneset.

Kestrin Kumnova, përfaqësues i kompanisë Gekos, që merret me tregtimin e pajisjeve elektronike fiskale qysh nga fillimi i zbatimit të këtij projekti, tha se në përgjithësi procesi i fiskalizimit ka shkuar mirë, përkundër vonesave në fiskalizim për disa sektorë të veçantë të ekonomisë.

Ai e cilëson si inkurajues faktin se nuk është evidentuar asnjë rast i vetëm i ndërhyrjes në arka fiskale nga ana e bizneseve, duke dëshmuar kështu integritetin e pajisjeve fiskale që janë vendosur në funksion.

Megjithatë, ai u bëri thirrje institucioneve të vendit që të shtrihet procesi i fiskalizimit edhe më tej edhe në sektorë që deri tani nuk janë fiskalizuar.

Në vazhdim të tryezës bizneset pjesëmarrëse patën rastin të shkëmbejnë përvojat e tyre të deritanishme në këtë temë, duke u dakorduar se institucionet përkatëse duhet të rrisin përpjekjet e tyre në luftimin e ekonomisë joformale, si një fenomen me ndikime të shumëfishta negative.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)