18 Shkurt 2020

Indeksi i çmimeve të konsumit pësoi rënie prej 0.1 për qind

Prishtinë, 11 tetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin shtator të vitit 2019.

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte (-0.1%) në muajin shtator 2019.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.1%) në muajin shtator 2019, krahasuar me muajin gusht 2019.

Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: mish (-0.7%); qumësht, djathë dhe vezë (-0.9%); pemë (-2.3%); shërbime për transport (-3.6%)-(rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror); pushime të organizuara (-6.8%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3 për qind) në IHÇK.

Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perime (0.6%); kafe, çaj dhe kakao (1.4%); veshje (0.9%); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (1.2%) - (ngritje e çmimit të drunjve të zjarrit), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (1.4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.2 për qind në IHÇK.

Ndërkaq, shkalla vjetore e inflacionit, e matur në muajin shtator 2019, me muajin shtator 2018 ishte 2.4%.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (12.5%); mish (3.2%); qumësht, djathë dhe vezë (1.5%); vajra dhe yndyra (3.0%); pemë (1.9%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (2.4%); kafe, çaj dhe kakao (11.3%); pije alkoolike (2.0%); duhan (2.5%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (1.8%); energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (0.8%)-(ngritje e çmimit të drunjve të zjarrit); mobilje dhe orendi, qilima dhe mbulesa dyshemeje të tjera (1.3%); pajisje shtëpiake (2.5%); qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (3.8%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (4.1%); shërbime ambulantore (1.7%); blerje e automjeteve (1.5%); pushime të organizuara (5.9%); shërbime për strehim (4.6%); gjëra personale (3.2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.6 për qind në IHÇK.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perime (-3.2%); shërbime për transport (-2.9%)-(rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror); pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-3.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.2 për qind) në IHÇK.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 shkurt 2020 - Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media lidhur me rezultatet e anketës të klimës në biznes. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 9:30)

- Forumi për Udhëheqje dhe Diplomaci organizon debatin publik me temë “Si duhet ta adresojnë institucionet barazinë gjinore në pozicionet vendimmarrëse?”. (Kafiteri “Dit e Nat” ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit “Dialogu Kosovë-Serbi: Çfarë pas formimit të Qeverisë së re dhe përfshirjes amerikane?”, në një diskutim rreth të ardhmes së dialogut Kosovë - Serbi. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Zyra Kombëtare e Auditimit prezanton raportin e auditimit të performancës “Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit”. (Zyra Kombëtare e Auditimit, lagja “Arbëria”, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e parë e rregullt e Komiteti për Politik dhe Financa në Komunën e Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Kryeministri Abin Kurti pret në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, z. Jean-Hubert Lebet. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët propozimi për formimin e grupeve të miqësisë, dhe propozimi i anëtarëve në delegacione për përfaqësim të Kuvendit më organizata ndërkombëtare. (Ndertesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Kryeministri Albin Kurti pret në takim, kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.   (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhje. (Selia e KQZ-së, ora 16:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit,  Lutfi Haziri, mban konferencë të jashtëzakonshme për mediat, pas tragjedisë që ndodhi sot në Gjilan, ku humbën jetën pesë persona. (Zyra e Kryetarit, ora 16:00)
 
- Korabi Corporation organizon ceremoninë e hapjes së “Qendrës Inovative Korabi”, një qendër unike arsimore në fushën e kulinarisë si dhe do të mbahet “Nata e çokollatës belge”, një spektakël me çokollatën më të mirë në botë, që do të prezantohet nga çokollatrier me famë ndërkombëtare. (Zyrat e Korabi Corporation në Çagllavicë, ora 18:00)