04 Dhjetor 2020

Formohen grupe operacionale për shqyrtimin e aplikimeve për investime strategjike

Prishtinë, 30 tetor - Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike mbajti mbledhjen e radhës në të cilën u shqyrtuan aplikimet e disa kompanive për marrjen e statusit të investitorit strategjik.

Në takimin e kryesuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, morën pjesë edhe përfaqësues të ministrive dhe të komunave, të cilët dhanë mendimet e tyre lidhur me investitorët potencialë për investime strategjike.

Ministri Krasniqi i njoftoi anëtarët se janë paraqitur tre investitorë të mundshëm strategjikë për “Hotelin Grand” në Prishtinë. Votimi i Grupit Operacional për shqyrtimin e aplikimeve të këtyre investitorëve u shty për javën e ardhshme.

Kryesuesi i grupit operacional për subjektin aplikues “Unitas Energy AG” SH bëri të ditur se kjo kompani ka kërkuar afat shtesë deri në kompletimin e dokumentacionit.

Në këtë takim u votua, me një vërejtje, grupi operacional për subjektin aplikues “Moxico Luma Kosovo Mining” LLC.

Po ashtu, Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike vendosi për formimit e Grupit Operacional për sektorin e bujqësisë “KBI Ereniku”, në Gjakovë për subjektin aplikues “Abrazen” LLC, vlera e të cilit arrin shifrën 16 milionë euro.
 
Gjithashtu, Komisioni ndërministror i dha dritën e gjelbër edhe formimit të Grupit Operacional lidhur me sektorin e energjisë në Vushtrri. Subjekti aplikues  “Cicavica Wind Farm 1 LLC”  synon të investojë në këtë komunë 1 milion e 620 mijë euro në sektorin e energjisë me erë.
 
Në këtë takim nuk u votua Komisioni operacional për subjektin aplikues “Nixone Energy Group” SHPK, që synon të investojë 62 milionë euro në sektorin e energjisë në komunën e Suharekës.

Po ashtu u votua formimi i Grupit operacional për sektorin e bujqësisë, për subjektin “Frutex SHPK”, që synon të investojë në vlerë prej 12 milionë eurosh.  

Ekipet operacionale do t’i analizojnë dhe shqyrtojnë aplikacionet e investitorëve potencialë në mënyrë profesionale dhe pastaj komisioni ndërministror do t’i përcjellë në kryeministri.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Dhjetor 2020 - Mbahet seanca fillestare për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti Special - krimet e rënda me c'rast avokati mbrojtës do te jep deklaratë për mediet pas seancës. (Gjykata Themelore në Prishtinë, ora 9:30)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti do të mbaj një takim virtual me presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Alexis Mourre dhe Drejtoreshën e Komisionit të Arbitrazhit për Evropë, Laetitia de Montalivet. (Takim virtual, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Emilja Redzepi, do të bëjnë nënshkrimin e kontratave me përfituesit e thirrjes për përkrahjen e OJQ-ve dhe individëve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:00)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime organizon aktivitetin “Tuneli i Fundit” në përkujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vitet e fundit në Kosovë, dita e dytë. (Përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton shkresën e Artan Qerkinit përfaqësues i Malcolm Simmons, ish kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, “Përgjigje në ftesën për të dëshmuar para Komisionit për Legjislacion” si dhe njoftohet me shkresën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Tomas Szunyong, për emërimin e Karin Hernmark Ahliny, Ambasador i Suedisë, anëtar i Bordit  Mbikëqyrës  të Agjencisë Kosovare për Verifikim dhe Krahasim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:15)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës Arban Abrashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit te Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Organizata Etea dhe Aleanca Franceze në Prishtinë me mbështetjen e Ambasadës Franceze do të mbajnë takimin e parë të huazimit të librave. (Tek objekti i Aleancës Franceze, ora 11:00)

- Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) mban konferencë për medie lidhur me një hetim ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e energjisë elektrike. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, ora 11:15)

- Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë Veljko Odalovic do të mbajnë konferencë për media lidhur me varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. (Lokacioni i varrezës masive në Kizhevak  të Serbisë, ora 12:00)

- Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarit N. M., i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, për veprën penale “vrasje e rëndë” pasi qe në  fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i pandehuri dyshohet që pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë - shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtoren e Insitutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete Latifi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë plotëson listën e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mban konferencë për media me rastin e dorëzimit të padisë për konflikt administrativ kundër vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji”. (Para Pallatit të Drejtësisë, ndërtesa A, ora 14:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pret në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj ku pjesë e takimit do të jenë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. (Objekti i MPJD-së, ora 14:00)