19 Nëntor 2019

Deficit tregtari Kosovës rritet serish, arrin në 279.9 milionë euro

Prishtinë, 24 shtator - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin gusht 2019.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të larët për 1.2% në muajin gusht 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 279.9 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 276.5 milionë Euro në vitin 2018.

Eksporti mbulon importin me 10.2%. Eksporti i mallrave në muajin gusht 2019 kishte vlerën 31.9 milionë Euro, ndërsa importi 311.8 milionë Euro, që është një rritje prej 4.7% për eksport dhe një rritje prej 1.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 34.1% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.7% të eksporteve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.5% të eksporteve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10.9% të eksporteve e përbëjnë prodhimet bimore; 7.9% të eksporteve e përbëjnë prodhimet minerale; 5.8% të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.5% të eksporteve e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.9% të importeve e përbëjnë prodhimet minerale; 14.1% të importeve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.3% të importeve e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.2% të importeve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.6% të importeve e përbëjnë mjetet e transportit; 6.4% të importeve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.2% të importeve e përbëjnë prodhimet e industrisë kimike etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 9.1 milionë Euro, ose rreth 28.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-13.3%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.7%), Britani e Madhe (3.6%), Holanda (3.4%), etj.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 160.0 milionë Euro, ose 51.3% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 24.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.0%), Greqia (7.0%), Italia (6.6%), Bullgaria (4.1%), Polonia (3.6%), Sllovenia (3.6%), etj.

Në muajin gusht 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 13.8 milionë Euro, ose 43.3% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-10.4%).

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (18.5%), Maqedonia (9.9%), Serbia (8.5%), dhe Mali i Zi (4.5%).

Ndërkaq, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin gusht 2019, arritën në 47.2 milionë Euro, ose 15.1% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-47.9%).

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (7.1%), Maqedonia (7.1%), dhe Serbia (0.1%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8.9 milionë Euro, ose 28.1%.

Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (15.4%) dhe Zvicra (8.2%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 104.5 milionë Euro, ose 33.5%.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (10.5%) dhe Kina (10.4%).

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 nëntor 2019 - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës organizon konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë me titull: “Rreziqet dhe mundësitë në një sektor financiar dinamik-rruga zhvillimore”, që do të mbahet në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të themelimit të BQK-së. (Hotel Swiss Diamond, ora 8:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të BQK-së. (Hoteli Swiss Diamond, ora 9:00)

- Punëtorët teknik të qendrës studentore, punëtorët teknik të disa shkollave që menaxhohen nga komuna e Prishtinës, punëtorë teknik të Universitetit të Prishtinës, punëtorë të sigurimit fizik të UP-së dhe QMF-ve, punëtorët teknik të disa shkollave në Gjilan do të ndalin punën e tyre në shenjë pakënaqësie për pagën e tyre të ulët. (Protesta mbahet ne vendete e tyre te punës, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e njëmbëdhjetë e rregullt e Komiteti për Politik dhe Financa. (Objekti i Komunës së Rahovecit, ora 10:00)

- Zyra e BE-së në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës do të organizojë një vizitë në Gjykatën Themelore në Prishtinë në të cilën do të diskutojë për zhvillimet dhe arritjet në operacionalizimin dhe digjitalizimin e bazës kombëtare të të dhënave të evidencës penale, e zbatuar nga Sistemi qendror kombëtar i evidencës penale. (Gjykata Themelore e Prishtinës, ora 10:15)

- Mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës në mes të Komandantit në largim të KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’addario dhe Komandantit në ardhje të KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi. (Kampi i Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it Film City, ora 10:30 - mediet duhet të arrijnë tek Porta kryesore e Kampit Film City jo më vonë se ora 9:30)

- Presidenti Thaçi dhe Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, merr pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it. (Film City, ora 10:25)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Zëvendësdrejtori i Fondi Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang mbajnë konferencë për media. (Swis Diamand Hotel, ora 10:45)

- Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të mbajë aktivitet me fëmijët në kuadër të shënimit te 30 vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës. (Sheshin “Zahir Pajaziti”, ora 14:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pret në takim ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Lorenzo Guerini. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Forumi për Iniciativa Qytetare FIQ organizon publikimin e analizës së Legjislacionit të Kosovës lidhur me Filantropinë dhe OJQ-të, me autor Qerkin Berisha. (Zyret e FIQ, Resource Center në Pejton, ora 14:00)

- Ambasadorja e Francës, Marie-Christine organizon pritje ku do të dekorojë znj.Blerta Zeqiri, ''Kalorëse në Urdhrin e Artit dhe Letërsisë''. (Rezidenca e Francës, ora 18:30)

- HANDIKOS organizon ceremoninë e hapjes së  ekspozitës me fotografi  “EmbraceMe-Kosovo”, me portrete nga jeta e nëntë personave nga Kosova, të punuara nga fotografja holandeze Karin Brongers. (Shtëpia e Evropës, ora 19:00)