21 Gusht 2018

Britania i bashkohet rrugës tregtare të Kinës

Londër, 6 shkurt - Britania e ka shpallr qartë dëshirën e saj për t’u bërë pjesë e nismës së Kinës për një rrugë të re tregtare, që vizioni i Presidentit kinez e paraqet si thelbësore për zgjerimin e ndikimit të Kinës në Azi, Evropë dhe Afrikë.

Ekzistojnë megjithatë shqetësime për kostot financiare dhe humanitare të projekteve të mëdha infrastrukturore që po zbatohen.

Siç njofton Zëri i Amerikës, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar për rrezikun e ndërvarjes nga projektet e mëdha investuese të Kinës.

Kryeministrja britanike Theresa May kryesoi një delegacion të përbërë nga ministra dhe udhëheqës të biznesit, që nënshkruan marrëveshje prej 12.7 miliardë dollarësh – një epokë e artë në marrëdhëniet kino-britanike.

Përpara vizitës, ambasadorja britanike foli për objektivat e Britanisë në bashkëpunimin me këtë projekt tregtar të Kinës.

“Pikë së pari, do të donim të bashkëpunonim në projekte praktike. Së dyti, do të dëshironim të sillnim në Kinë një pjesë të eksperiencës financiare të Londrës. Këto janë projekte të mëdha infrastrukturore që kanë nevojë për mekanizma komplekse financimi”, tha Ambasadorja britanike në Kinë, Barbara Woodward.

Disa projekte janë madje tepër komplekse, si një autostradë e re prej 51 kilometrash që është ngritur mbi tokë moçalore, për të lidhur kryeqytetin e Ugandës me aeroportin. Ndërtimi u bë nga një kompani kineze dhe kostoja prej 580 milionë dollarësh, u përballua nëpërmjet një huaje të dhënë nga Pekini. Kryebashkiaku i Kampalas thotë se çmimi është tepër i lartë.

“Të gjithë kinezët që vijnë këtu, madje edhe bankat komerciale prej të cilave po marrim huatë, si EXIM bank dhe të tjera, do të rëndojnë mbi shpatullat tona, të fëmijëve dhe nipërve tanë, të cilët fatkeqësisht do të përballojnë këtë barrë”, thotë Eris Lukwago, kryetar i bashkisë në Kampala.

Përmes projektit për rrugën e re tregtare, Kina ka investuar në mbarë Afrikën, Azinë, Lindjen e Mesme, madje edhe në Evropën Lindore. Britanisë i duhet të tregohet e kujdesshme.

“Në veçanti, në pjesë delikate të botës nga ku do të kalojë rruga tregtare e Kinës, ekzistojnë shumë shqetësime humanitare dhe mjedisore, ndërsa fokusohen vetëm tek përfitimi tregtar. Megjithatë, ekziston avantazhi që Britania ka punuar dhe investuar në shumë prej këtyre vendeve dhe mund t’i ofrojë Kinës këshilla praktike”, thotë Barnaby Willitts-King, i Institutit për Zhvillimin e Jashtëm.

Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar edhe më tej politikën e jashtme dhe tregtare të Kinës. Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, paralajmëroi për rrezikun, ndërsa fillonte një vizitë në Amerikën Latine.

“Në tregjet në zhvillim, Kina projekton një imazh tërheqës drejt zhvillimit. Por në realitet, shpesh bëhet fjalë për përfitime afatshkurtra, në këmbim të varësisë afatgjatë”, tha Sekretari Tillerson.

Shumë ekonomi të reja i mirëpresin investimet e Kinës, si dhe faktin që përfshihen vende si Britania. Por, ekziston shqetësimi se borxhet në rritje do të shkaktojnë probleme në të ardhmen.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Gusht 2018  - Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës organizon manifestimin qendror, kushtuar festës së Kurban - Bajramit Xhamine e Madhe në Prishtinë. (Xhamia e Madhe në Prishtinë, ora 5:10)

- Me rastin e festës së Kurban - Bajramit, Ditën e parë, kryesia e e Bashkësisë Islame të Kosovës, si tradicionalisht organizon pritje përurimi. (Selia e Kryesisë, ora 9:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e Festës së Kurban Bajramit, viziton Bashkësinë Islame të Kosovës. (Bashkësia Islame e Kosovës, ora 9:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli, me rastin e Festës së Kurban Bajramit, viziton Bashkësinë Islame të Kosovës. (Selia e Bashkësisë Islame të Kosovës, ora 10:30)

- Me rastin e festës së Kurban Bajramit, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, do të bëjë dorëzimin e dhuratave si donacionit në vlerë prej 7.500 euro për 250 fëmijë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK. (Klinika e Pediatrisë, ora 12:30)

- Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, do të shpërndajë dhurata për 70 fëmijë te SOS Fshatit në vlerë prej 2.450 euro. (SOS Fshati, ora 13:30)

- Mbahet Festivali i promovimit të Kulturës dhe Muzikës Romë në Graqanicë. (Lagja rome në Graqanicë, ora 18:00)