20 Prill 2024

Bizneset kosovare po eksportojnë në tregun e BE-së dhe tregjet tjera

Prishtinë, 22 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dhe përfaqësuesit e disa prej bizneseve shumë të suksesshme të Kosovës, anëtarë të Odës.

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe ministrat që mbulojnë fushat e ekonomisë,  Avdullah Hoti, Blerand Stavileci dhe Hykmete Bajrami, kryeministri Mustafa ka pranuar Raportin e OEK-ut për të bërit biznes në Kosovë.

Pas takimit, kryeministri Isa Mustafa tha se me përfaqësuesit e bizneseve kanë biseduar lidhur me situatën aktuale të të bërit biznes në Kosovë, veçmas për hulumtimin që e ka bërë Oda Ekonomike e Kosovës sa i përket ambientit të biznesit dhe perspektivës së të bërit biznes.

“Na vjen shumë mirë që vlerësimet janë se po hapet rruga e të bërit biznes në Kosovë, se ambienti është shumë i volitshëm dhe po përmirësohet çdo ditë. Është, po ashtu, mbresëlënës edhe fakti se bizneset tona po eksportojnë produktet e tyre në tregun e Bashkimit Evropian dhe në tregjet e treta në të cilat ne nuk kemi qenë prezent, deri më tani”, tha kryeministri.

Më tutje, kryeministri Mustafa theksoi se ekziston një lidhshmëri shumë e madhe e bizneseve prodhuese me ato tregtare, duke veçuar se te bizneset tregtare duhet edhe më tutje të punohet me ta.

“Por, jemi shumë të lumtur që kemi biznese të tilla të cilat e kanë krijuar një përvojë të shkëlqyeshme, e kanë treguar një guxim në fushën e ndërmarrësisë. Janë të krahasueshme me bizneset e Bashkimit Evropian dhe po japin rezultate shumë të mira”, tha kryeministri Mustafa, duke i falënderuar për punën që po bënë Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkërenditje me bizneset përkatëse dhe me asociacionet tjera të bizneseve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, duke falënderuar kryeministrin për pritjen tha se Oda Ekonomike po e përcjell sektorin e ekonomisë me vite në Kosovë.

“Kemi pas fat që për vitin 2016 ta kompletojmë analizën e bërë me rreth 400 biznese dhe rekomandimet në formë të shkruar t’i dorëzojë tek kryeministri dhe tek ministrat e linjave për zhvillim ekonomik. Është e vërtetë që vitet 2015-2016 kanë qenë të dialogut dhe i partneritet publiko privat dhe i cili ka dhënë rezultatet e veta. Ajo që u dëgjua në takim edhe nga vetë komuniteti i biznesit janë indikatorët pozitiv të Pakos numër 1 fiskale, dhe dua të besoj se do të kemi së shpejti pakon 2 fiskale, që do të jetë në funksion të zhvillimit dhe të sugjerimit të kapaciteteve prodhuese, si garancë e krijimit të vendeve të reja të punës dhe e arritjes së stabilitetit social”, tha Gërxhaliu.

Kryetari i OEK-ut, tha po ashtu se u kanë identifikuar dhjetë sfidat kryesore që rëndojnë të bërit biznes në Kosovë.

“Njëra ndër to është definitivisht energjetika dhe rreth furnizimit me energji; e dyta është jostabiliteti politik. Ju e dini që në shumë anketa, në shumë galeri të botës, në top dhjetë fotografitë më të preferuara kanë qenë pamjet që kanë përcjell Parlamentin e Kosovës dhe është një pamje që e ka dëmtuar imazhin e Kosovës. E treta është informaliteti, por edhe disa të tjera të cilat besojmë në këtë formë të bashkëpunimit së shpejti do t’i kalojnë të kaluarës”, tha ai.

Gërxhaliu, po ashtu, ka thënë se gjatë këtij takimi përfaqësuesit e bizneseve kanë adresuar edhe disa kërkesa tek kryeministri dhe ministrat përgjegjës për çështje ekonomike.

“Është fakti që duhet të bëhet më tepër të zgjidhet problemi i energjisë elektrike. E dyta, të kemi një tretman më të avancuar të prodhimit vendor dhe të avancohet raporti në mes të tregtarëve dhe prodhuesve vendorë.\"

\"Në këtë drejtim, nga Ministria e Tregtisë ka një rekomandim që së shpejti do të zyrtarizohet dhe do të jetë në fuqi Ligji për Tregti të Brendshme dhe Ligji për Anti-Damping, që me siguri që do të jenë dy ligje që do të jenë në funksion të barazisë së prodhuesit vendorë me të tjerë.\"

\"Dhe ajo që dua të ndaj me ju si shqetësim, si kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, është pamundësia e lëvizjes së lirë të bizneseve kosovare. Ne kemi pas takime të shumta ku shumë kompani kanë investuar në standardizim, kanë investuar në certifikim, e kanë bërë vërtetë të pamundurën të mundur, që të jenë konkurrent me cilësi, por mungesa e liberalizimit të vizave dhe pritja e tyre për viza është dëmi më i madh që e godet prodhuesin vendor.\"

\"Është koha kur duhet bashkërisht të apelojmë te institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare që këtë shqetësim të komunitetit të biznesit ta marrin me një seriozitet shumë më të madh. Sepse, edhe marrëveshja për Stabilizim Asociim, që është një e arritur historike nuk mund ta ketë efektin e vet të dëshiruar dhe të mundshëm në qoftë se nuk do të përcillet me liberalizim.\"

\"Në qoftë se dikush e paguan më së shumti dhe më së shtrenjti çmimin e liberalizimit është komuniteti i biznesit, i cili edhe përkundër asaj që kontrakton produkte, kontrakton shërbime në Evropë dhe gjetiu e ka të pamundur për t’i realizuar dhe për t’i implemetuar. Prandaj, le të jetë një rekomandim dhe një mesazh nga ky takim, le të ngrihet mbi interesat politike interesi ekonomik, se vetëm përmes zhvillimit ekonomik Kosova do të krijoj stabilitet politik, do të krijoj stabilitet social, do të përshpejtoj proceset integruese, por edhe do ta përmirësoj imazhin e vet përmes promovimit të brendeve dhe shërbimeve ‘Made in Kosova”, tha Safet Gërxhaliu.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)