22 Janar 2020

Bie tregtia në mes të Gjermanisë dhe Iranit

Berlin, 12 gusht - Rënia e tregtisë në mes të Gjermanisë dhe Iranit, ka dhënë shenja se sanksionet e Shteteve të Bashkuara janë duke ndikuar kur shtetet marrin vendime nëse duhet bashkëpunuar me Teheranin.

Eksportet gjermane në Iran kanë rënë për 48 për qind apo 759 milionë dollarë në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, duke pretenduar se disa kompani nuk dëshirojnë t’i prishin raportet me Shtetet e Bashkuara, pasi Uashingtoni ka rivendosur sanksione ndaj Teheranit.

Ngjashëm, edhe shitjet e Iranit në Gjermani kanë rënë në periudhën e njëjtë në 123 milionë dollarë, apo 43 për qind.

“Kompanitë gjermane janë të detyruara të zgjedhin në mes të aktiviteteve tregtare në Iran apo Shtetet e Bashkuara, andaj është e qartë se cilën e preferojnë”, ka thënë mekanizmi gjerman për tregti, BGA.

Sanksionet e SHBA-së parashohin ndëshkim për kompanitë që bëjnë tregti me Iranin.

Prej kur SHBA-ja ka nisur zbatimin e tyre, eksportet e naftës iraniane kanë rënë në 300,000 fuçi në ditë, ose më pak.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia e këtij shteti do të zvogëlohet për 6 për qind, derisa edhe shkalla e papunësisë mbetet e lartë, 12 për qind.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka larguar një vit më parë SHBA-në nga marrëveshja bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Sipas marrëvshjes, Teherani lirohet nga sanksionet ndërkombëtare, në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.

Gjermania, Franca dhe Britania, që po ashtu kanë nënshkruar marrëveshjen, kanë tentuar vazhdimisht që të ruajnë zbatimin e këtij dokumenti.

Presidenti Trump ka thënë se ka gatishmëri për të biseduar me liderët iranianë, pavarësisht fushatës së tij “me presion maksimal”, derisa Teherani i konsideron veprimet amerikane si “terrorizëm ekonomik”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 janar 2020 - Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës organizon diten e dytë të takimit rajonal për Ndryshime Klimatike dhe Integrime Evropiane “Zhvillimi i një propozim projekti për ngritjen e kapaciteteve në sektorin e Mjedisit, Integrimeve Evropian dhe Ndryshimeve Klimatike”. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Me rastin e 22 vjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe mbi familjen Jashari, Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së,  do të organizojnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shenjë kujtimi e nderimi të luftës së shenjtë çlirimtare të familjes Jashari. (Prekaz, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Mitrovicës. (Sallën e Mediave të Komunën se Mitrovicës, ora 10:00)

- Klubi i Prodhuesve organizon tryezën e diskutimit për diskutimin e efekteve të tarifës 100% në ekonominë  e vendit një vit pas vendosjes së kësaj takse. (Orion Conference Centre, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Vushtrrisë. (Qendr Rinore në Vushtrri, ora 11:00)

- Kryetari Shpend Ahmeti do të nënshkruajë Marrëveshjen e Mirëkuptimit me USAID për zbatimin e Programit per trajtimin e ndertimeve pa leje. (Komuna e Prishtinës, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës në detyrë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Kaçanikut. (Shtëpia e Kulturës "Xheladin Kurtaj" në Kaçanik, ora 14:00)

- Mbahet Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2020”, ku do të marrin pjesë teatrot me shfaqjet më të mira dhe dramat e tyre origjinale shqipe nga Kosova. (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 19:00)