17 Qershor 2019

BE pajtohet me kushtet për bisedime për tregtinë me ShBA-në

Bruksel, 16 prill - Bashkimi Europian miratoi kushtet për negociimin e një marrëveshjeje të re tregtare me Shtetet e Bashkuara, por refuzoi përfshirjen e produkteve bujqësore në bisedime.

Vendet anëtare kryesore të BE-së thanë se marrëveshja e re do të fokusohet kryesisht në heqjen e tarifave të mallrave industriale.

Komisionerja e BE-së për Tregtinë, Cecilia Malmstrom tha se do kontaktojë me homologun e saj amerikan për të përcaktuar kohën e nisjes së negociatave zyrtare.

"BE-ja është e bindur se marrëveshja do të jetë me përfitime reciproke, ashtu siç duhet të jetë çdo marrëveshje tregtare. Analiza ekonomike tregon se marrëveshja BE-ShBA për heqjen e tarifave mbi mallrat industriale do të rriste eksportet e BE-së në ShBA me 8% dhe eksportet e ShBA-së në BE me 9%."

"Një gjë tjetër e rëndësishme është angazhimi nga ana e komisionit për të shqyrtuar më tej potencialin ekonomik si dhe ndikimet mjedisore dhe shoqërore të marrëveshjes dhe kjo do të kryhet gjatë këtij viti dhe do të konsiderojë marrëveshjet tona ndërkombëtare si Marrëveshja e Parisit për Klimën."

Pakti i tregtisë është rezultat i një marrëveshje të arritur në korrikun e kaluar nga presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker dhe presidenti amerikan Donald Trump.

Trump vendosi tarifa prej 25% mbi importet e çelikut dhe 10% mbi aluminin e importuar nga BE-ja më 1 qershor.

Si kundërmasë, BE-ja vendosi tarifa për afro 2.8 miliardë euro mbi çelikun e ShBA-së, produktet bujqësore dhe produkte të tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 qershor 2019 - Komuna e Prizrenit nënshkruan kontratë me organizatën Caritas për “Kujdesin Socio-Shëndetësor, shtëpiak dhe ambulator për qytetarët e Komunës së Prizrenit”. (Shtëpia e Bardhë, ora 9:00)

- Komuna e Prizrenit organizon konferencë me temën “Për zhvillim të qëndrueshëm në Rajonin e Zhupës - Kundër Hidrocentraleve”. (Restaurant Fuad-As në fshatin Reçanë, ora 10:00 - transporti i organizuar nga ana e Komunës, nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:20)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala interviston Rexhë Gjonbalaj, ish Kryetar i Bordit të Drejtoreve të PTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Organizatat e shoqërisë organizojnë Marshin e Refuzimit, i cili do të zhvillohet në kundërshtim të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike. (Marshi do të nis nga sheshi “Skënderbeu”, ora 10:00)

- Në kuadër të fushatës "Të flasim për ekonominë!" të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë mbahet diskutimi në panel "kontributi i Kodit Civil në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe ndërmarrësinë e grave në Kosovë". (Shtëpia e Evropës, ora 10:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e njëvjetorit të vdekjes së veteranit të luftës së UÇK-së, Hilmi Haradinaj, baba i tre heronjve të kombit. (Kompleksi Memorial në Gllogjan, ora 11:00)

- Drejtori i Administratës në Komunën e Gjilanit, Bardhyl Syla mban konferencë për media lidhur me punën 5-mujore dhe planifikimi për tre muajtë e ardhshëm i drejtorëve të Komunës. (Zyra e kryetarit të Komunës, këndi i konferencave, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja komemorative për të ndjerën Prof. Dr. Mandushe Berisha. (Fakulteti Filologjik, ora 11:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi shqyrton kërkesen e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe njoftimi i Komisionit lidhur me vizitën e realizuar në Luginë të Preshevës si dhe diskuton lidhur me tekstet e reja shkollore e riorganizimin e shkollave. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Lëvizja FOL organizon Forumin e FOL Hapur me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë znj. Apostolova dhe ministrin e Administratës Publike Mahir Yagcilar ku temë diskutimi do të jetë ‘Etika në Administratën Publike”. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 15:00)

- Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Kino Armatën për nder të njëzet vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës organizon Javën e Filmit me shfaqjen e filmave "Ajo" nga More Raça dhe "Martesa" nga Blerta Zeqiri. (Kino Armata, ora 20:00)