29 Mars 2024

Abuzimi me çmime dhe mos reagimi i shtetit po e vështirësojnë të bërit biznes

Prishtinë, 26 shtator - Ankesat e shumta të pranuara nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) në lidhje me ndryshimin e çmimeve është një ndër arsyet kryesore për organizimin e takimit të përbashkët me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës (AKK) dhe bizneset.

Në bazë të gjendjes të cilën po e shohim çdo ditë në teren, Kosova ka një klimë shumë të pafavorshme të të bërit biznes, ku ndër problemet kryesore janë mungesa e ofertave nga shteti për bizneset dhe mos harmonizimi i ligjeve tha ndër të tjera kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi në fjalimin përshëndetës për të pranishmit.

Kryetari i AKK Valon Prestreshi falënderoi OAK-në për këtë organizim, i cili ju mundëson të marrin inpute drejtpërdrejt nga bizneset. Prestreshi përveç që informoi më detajisht për shtyllat kryesore të këtij Autoriteti e që janë kartelet, përqëndrimi dhe abuzimi me pozitën dominuese, ai shtoi që AKK nuk është organ politik-bërës por është organ ekzekutiv.

Kryetari i Shoqatës së Operatorëve Kabllor Elhami Haziri shtoi që problemet e sektorit kabllor janë të vazhdueshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me abuzim të pozitës dominuese, prishjen e tregut dhe uljen e çmimeve. Ai gjithashtu shtoi që falë Odës së Afarizmit të Kosovës, ky është hapi i parë i ndërmarrë për adresim të problemeve me të cilat po përballen.

Gjatë këtij takimi bizneset kishin mundësinë të parashtrojnë pyetjet dhe kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me kompetencat e këtij Autoriteti, e për të cilat morën përgjigje drejtpërdrejt nga kryetari Valon Prestreshi dhe zëvendëskryetari Ahmet Krasniqi.

Konkurrenca e drejtpërdrejtë nga shteti përmes dhurimit të librave pa pagesë për nxënësit e shkollave fillore, po na obligon me shit vetëm fletore dhe lapsa tha Mensur Bytyçi, pronar i Librarisë Pena. Ai kërkoi që shpërndarja e librave të bëhet sipas nevojës dhe përmes librarive ashtu siç është e organizuar edhe në Shqipëri, sepse përqëndrimi në vetëm tre (3) librari po i dëmton bizneset tjera të kësaj fushe.

Ndërsa Vedat Morina përfaqësues i Orange Net përveç identifikimit të problemeve të sektorit te operatoreve kabllor e që kanë të bëjnë kryesisht me konkurrencën jolojale dhe operimin me çmim nën kosto të prodhimit, kërkoi që shteti të mos i sheh vetëm si vjelës të tatimit, por edhe si mbështetës pasiqë ata kontribuojnë në gjenerimin e vendeve të reja të punës.

Problemet e sektorit të bukëpjekësve u theksuan nga Cenë Gjuraj, i cili shtoi që edhe pse ka rritje të çmimit të miellit dhe përbërësve të tjerë, çmimi i bukës prap mbetet i njejtë. Ai kërkoi që të vendoset çmimi tavan dhe dysheme në mënyrë mënyrë që të kufizohet hapësira e lëvizjes së çmimeve dhe njëkohësisht të vendosen standardet e sasisë dhe cilësisë së bukës.

Për problemin e librarive Krasniqi shtoi që deri para dy (2) viteve ndihma shtetërore ka qenë degë e veçantë e AKK, mirëpo tani është pjesë e Ministrisë së Financave dhe se ky Autoritet i rregullon çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e konsumatorëve dhe bizneset private, ndërsa tek shteti vetëm japin opinionet ose vërejtjet.

Prestreshi theksoi që AKK do të angazhohet në analizimin e problemeve të sektorit të operatorëve kabllor dhe atij të bukëpjekësve, në mënyrë që të identifikojnë se a është ndonë biznes që ka pozitë dominuese dhe a është duke abuzuzar me këtë pozitë. Në rast të prezencës së abuzimit me pozitën dominuese AKK do të ndërmarr hapat të cilët janë në përgjegjësi të këtij Autoriteti.

Në fund të këtij takimi kryetari i OAK-së Skënder Krasniqi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shtoi që për të gjitha pyetjet e parashturara shpresojnë se do të marrin përgjigje më të detajuara nga Autoriteti Kosovar i Konkurencës gjatë ditëve në vijim me shkrim. Ai gjithashtu shtoi që kjo është vetëm një nga hapat e ndërmarrë nga Oda për të adresuar problemet e bizeseve dhe në rast të mos arritjes së përmirësimit të klimës së të bërit biznes, atëherë do të ndërmerren edhe veprime të tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)