03 Tetor 2022

Vazhdon zbatimi i marrëveshjes për targa, lëshohen 6,365 stikersa

Prishtinë, 6 tetor - Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se zbatimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë është duke u zbatuar me sukses dhe vendosja e targave të përkohshme (stikersave) është duke u vazhduar me një dinamike të lartë.

Sa i përket administrimit të stikersave, njoftojmë qytetarët se nga data 4 tetor deri më sot janë lëshuar gjithsej 6,365 stikersa prej të cilave 4,698 nga Pikat e Kalimit Kufitar dhe 1,667 nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.

Ndër komunat me më së shumti kërkesa për stikersa nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve bëjnë pjesë: Zveçani (338), Graçanica (329), Zubin Potoku (228), Leposaviqi (198), Gjilani (109), Shtërpce (88), Kamenica (53), Obiliqi (53), Novobërda (48), e të tjera.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët gjithashtu se deri në këto momente puna në Pikat e Kalimit Kufitar dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve është duke vazhduar pa asnjë incident dhe marrëveshja po zbatohet në përpikëri.

Në fund Ministria e Punëve të Brendshme u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të pajisen me stikersa deri me 8 tetor në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve dhe stacionet më të afërta policore, në të kundërtën Policia e Kosovës do të gjobitë drejtuesit e automjeteve të cilët nuk e zbatojnë këtë vendim.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)