04 Tetor 2022

Telekomi kërkon nga prokuroria ngrirjen e llogarive të Dradafonit dhe kthimin e parave

Prishtinë, 29 mars - Sot, Telekomi i Kosovës sh.a. ka parashtruar kërkesë te Prokurori i Shtetit për marrjen e masave urgjente për pezullimin/ngrirjen e mjeteve në llogaritë e Dardafon.net LLC në lartësi prej mbi 30 milionë euro dhe kthimin e këtyre mjeteve në xhirollogarinë e Telekomit deri në vendosje përfundimtare të drejtë dhe të ligjshme nga Gjykatat e Kosovës.

Po ashtu, Telekomi i Kosovës sh.a. ka kërkuar që nëse shuma e cekur nuk figuron në xhirollogarinë e Dardafon.net LLC, Prokurori i Shtetit të përdorë mekanizmat për të përcjellur lëvizjen e parasë nga xhirollogaria e Dardafon.net LLC dhe t’i gjurmojë dhe ngrijë llogaritë, kudo që kjo shumë është transferuar.

Siç është njoftuar opinioni, tashmë, Gjykata e Apelit, bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e ka konfirmuar se Telekomi i Kosovës sh.a. ka qenë subjekt i një procedure gjyqësore të kundërligjshme dhe me shkelje serioze procedurale dhe materiale, e cila e ka favorizuar Dardafon.net LLC në dëm të Telekomit të Kosovës sh.a.

 Përmes kësaj procedure, Telekomi i Kosovës sh.a. është dëmtuar shumë rëndë financiarisht, gjë që ka ndikuar edhe në operimet ditore të kompanisë. Gjithashtu ka ndikuar negativisht në vazhdimin e projekteve vitale, për arsye se i janë tërhequr/debituar mjetet financiare përmes veprimeve të parregullta dhe kundërligjore të përmbaruesit privat dhe gjykatave të të tri niveleve.  

Në bazë të kalkulimeve të deritashme, Telekomi i Kosovës sh.a. ka paguar miliona euro më shumë se sa shuma maksimale që Telekomi i detyrohet Dardafon-it, në bazë të vendimit të Arbitrazhit No.20990/MHM. E shohim të rëndësishme të sqarojmë opinionin se pikërisht për shkak të kësaj përllogaritjeje  arbitrare dhe të pasaktë të borxhit, nga ana e gjykatës, është kthyer në rigjykim e tërë kjo çështje.

Duke qenë se ekziston rreziku real që Dardafon.net LLC mund t’i tjetërsojë të gjitha këto mjete jashtë Republikës së Kosovës e që do të vështirësonte gjurmimin dhe kthimin e tyre në rast të një vendimi të drejtë të gjykatës, Telekomi i Kosovës sh.a. ka kërkuar asistencën e Prokurorit të Shtetit në ndërmarrjen e veprimeve urgjente, që mundësojnë sigurimin e mjeteve financiare deri në vendosjen përfundimtare të drejtë dhe të ligjshme nga gjykatat e Kosovës.

Kjo kërkesë është vetëm njëra nga masat që Telekomi i Kosovës sh.a. i ka ndërmarrë, dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe më tutje, në mbrojtjen e biznesit të kompanisë dhe në rikthimin e ligjshmërisë.

 Telekomi i Kosovës sh.a., synon të rikthehet fuqishëm në shërbim të konsumatorëve të vet dhe të qytetarëve të Kosovës, me një kulturë të re dhe me një përkushtim të lartë ndaj punës.

Një sistem i drejtësisë efektiv, dinamik dhe i paanshëm është i domosdoshëm për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët nga veprimet e paligjshme, ndërkaq Telekomi i Kosovës sh.a. do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të rikthyer mjetet që i janë marrë jashtëligjshëm nga arka e shtetit apo nga fondet e dedikuara për investime strategjike, duke i kthyer ato në infrastrukturë dhe shërbime më të mira për konsumatorët dhe qytetarët.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 tetor 2022

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë takohet me delegacionin e administratës së Parlamentit të Republikës së Austrisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 8:30)

- Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë organizon ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet komunave të rajonit, Prishtinës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës dhe Fushë Kosovës dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga analiza e procedurave të prokurimit publik lidhur me shpenzimet publike të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës 2020 – 2022. (Restorant Boho, ora 10:00)  

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportn Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Në kuadër të aktiviteteve kulturore artistike brenda institucioneve korrektuese, nesër në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, do të shfaqet Filmi “ Sffaragette”. (Qendra Korrektuese për Femra Lipjan, ora 11:00)

- Me rastin e 4 Tetorit, “Ditës Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve”,  Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, OJQ-në Fondacioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve si dhe Fondacioni për mbrojtjen e kafshëve Vier Pfoten Kosova do të shënojmë këtë ditë në Pyllin e Arinjve Prishtina. (Fshati Mramor, afër liqenit të Badovcit, ora 11:00)
 
- Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Rahovec, përgjatë gjithë muajit tetor, si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, çdo ditë pune ofron shërbimin e mamografisë falas për të gjithë. (Rahovec, ora 11:00)

- Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Kosovës Agron Llugaliu dhe Doganës së Shqipërisë Genti Gazheli do të inspektojnë punët në hapësirat e përbashkëta të Portit të Durrësit. (Porti i Durrësit, ora 12:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton në parim i Projektligjit për Sigurinë e përgjithshme të produkteve si dhe formon grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për komunikimet elektronike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)