04 Tetor 2022

Shkarkohet zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTK-së Lorik Arifaj

Prishtinë, 25 mars - Bordi i RTK-së në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin e u.d drejtorit të përgjithshëm të RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj, për shkarkimin Lorik Arifajt nga pozita e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

"Ky propozim për shkarkim ka ardhur si rezultat  i dështimit të z. Arifaj në kryerjen e punëve të tij në mënyrë efektive, si dhe ka vepruar në disa raste në kundërshtim me Ligjin për RTK-në, të cilat janë të pasqyruara tek e shkeljet e evidentuara në vendimin për shkarkim”, njofton Bordi i Radio Televizionit të Kosovës.

Bordi i RTK-së, në këtë mbledhje, gjithasht miratoi Raportin vjetor financiar të RTK-së për vitin 2021 dhe raportin vjetor të punës për vitin 2021. Po ashtu sot është miratuar edhe plani vjetor i punës së Bordit të RTK-së për vitin 2022.

"Gjithashtu, Bordi mori vendim për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për punën e Bordit të RTK-së, respektivisht pika 3 e nenit 7,  me qëllim të harmonizimit të kësaj Rregulloreje në përputhje me nenin 20 të Ligjit Nr. 06/L-021 për Kontrollin e brendshëm të financave publike, ku parashihet që Bordi i RTK-së e themelon Komitetin e Auditimit të Brendshëm, i cili përbëhet nga tre (3) ose pesë (5) anëtarë, ku dy të tretat (2/3) janë të jashtëm nga fusha përkatëse e auditimit, ndërsa pjesa tjetër nga stafi i brendshëm i subjektit të sektorit publik. E jo siç ka qenë deri më tani që Bordi i RTK-së themelon Komisionin e Auditimit prej pesë ( 5) anëtarësh, të cilët e zgjedhin kryesuesin e Komisionit", thuhet tutje në këtë njoftim.

Bordi njofton se në kuadër të kësaj mori vendim për shpalljen publike për rekrutimin e dy anëtarëve të jashtëm për Komitetin e brendshëm të auditimit. Vlen të theksohet se është hera e parë që Komiteti i Auditimit të Brendshëm në RTK, pohon Bordi, bëhet duke respektuar ligjet në fuqi, pasi që në të kaluarën përzgjedhja apo emërimi i anëtarëve të Komitetit të brendshëm të auditimit është bërë në mënyrë joligjore duke u bërë vetëm nga anëtarët e brendshëm të RTK-së respektivisht anëtarët e Bordit të RTK-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 tetor 2022

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë takohet me delegacionin e administratës së Parlamentit të Republikës së Austrisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 8:30)

- Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë organizon ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet komunave të rajonit, Prishtinës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës dhe Fushë Kosovës dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga analiza e procedurave të prokurimit publik lidhur me shpenzimet publike të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës 2020 – 2022. (Restorant Boho, ora 10:00)  

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportn Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Në kuadër të aktiviteteve kulturore artistike brenda institucioneve korrektuese, nesër në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, do të shfaqet Filmi “ Sffaragette”. (Qendra Korrektuese për Femra Lipjan, ora 11:00)

- Me rastin e 4 Tetorit, “Ditës Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve”,  Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, OJQ-në Fondacioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve si dhe Fondacioni për mbrojtjen e kafshëve Vier Pfoten Kosova do të shënojmë këtë ditë në Pyllin e Arinjve Prishtina. (Fshati Mramor, afër liqenit të Badovcit, ora 11:00)
 
- Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Rahovec, përgjatë gjithë muajit tetor, si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, çdo ditë pune ofron shërbimin e mamografisë falas për të gjithë. (Rahovec, ora 11:00)

- Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Kosovës Agron Llugaliu dhe Doganës së Shqipërisë Genti Gazheli do të inspektojnë punët në hapësirat e përbashkëta të Portit të Durrësit. (Porti i Durrësit, ora 12:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton në parim i Projektligjit për Sigurinë e përgjithshme të produkteve si dhe formon grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për komunikimet elektronike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)