07 Prill 2020

RTK është shndërruar në mjet propagande të PDK-së

Prishtinë, 1 tetor - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar se transmetuesi publik i Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës (RTK), që prej fillimit të parafushatës, e sidomos gjatë këtyre ditëve të fushatës zyrtare për zgjedhjet e 6 tetorit, sikurse edhe në të kaluarën, është shndërruar në mjet të propagandës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Edhe pse paguhet me taksat e qytetarëve të Kosovës dhe me ligj është e obliguar të sigurojë mbulueshmëri të paanshme të fushatës zgjedhore, RTK-ja sipas LDK-se gjatë tërë kohës e luan rolin e mjetit propagandues të PDK-së dhe përdor asetet publike në shërbim të kësaj partie politike.

"Portali rtklive.com, sikur edhe në të kaluarën, më shumë i ngjanë një faqeje të PDK-së, sesa një transmetuesi publik që paguhet me paratë e qytetarëve".

"Në portalin e RTK-së, publikohen lajme të rrejshme që përkrahin fushatën e PDK-së dhe denigrojnë partitë tjera, kryesisht ato të opozitës së kaluar", thekson LDK.

LDK konsideron se brenda RTK-së është krijuar një ekip me eksponentë të njohur për njëanshmëri politike, të cilët po shkelin rregullat elementare të raportimit të paanshëm dhe profesional.

Ky ekip, por edhe të tjerë që angazhohen sipas porosive të politike, kujdesen që oponentëve të PDK-së të mos ua transmetojnë kritikat e akuzat ndaj PDK-së, kurse të transmetojnë akuzat e PDK-së ndaj oponentëve të saj politikë.

Kjo sipas LDK-se jo vetëm se përbën shkelje të obligimit ligjor të RTK-së, por është rast eklatant i aplikimit të  censurës. 

Për të shkuar më tej, në shërbimin ndaj PDK-së, RTK-ja, e shndërruar në zyrë propaganduese të PDK-së, përmes kronikave gjoja hulumtuese, në edicionet e saj të lajmeve, po mundohet ta paraqes kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, si të vetmin lider politik të Kosovës që, sipas tyre, po angazhohet për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

PDK-ja ka arritur ta shndërrojë RTK-në në mjet të propagandës së saj, por nuk po mund ta ndalë shpërfaqjen e realitetit kosovar, shkaktar i të cilit është qeverisja e saj.

PDK-ja, si duket ka harruar se qytetarët e Kosovës nuk e kanë vetëm RTK-në burim informimi. Qytetarët e Kosovës, tashmë mund të informohen edhe përmes mjeteve tjera të komunikimit masiv, përfshirë edhe rrjetet sociale, të cilat po shpërfaqin realitetin dhe rrugën për ndryshimin e domosdoshëm të tij.

PDK-ja, sikurse çdo institucioni tjetër vital të Kosovës, po i shkakton dëm RTK-së, shikueshmëria e të cilës ka rënë dukshëm, pikërisht për shkak të anshmërisë së saj të skajshme ndër vite.

Lidhja Demokratike e Kosovës iu bën thirrje vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë që të evidentojnë këto shkelje të rënda të rregullave zgjedhore nga transmetuesi publik që paguhet me taksat e qytetarëve. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 Prill 2020 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pret kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. (Qendra Operative Emergjente tek kampusi i shkollave të mesme, ora 9:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli viziton Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunën e Ferizajt. (Ferizaj, ora 11:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli takohet me një grup biznesmenësh nga Ferizaj. (Ndërtesa e re e Komunës se Ferizajt, ora 12:00)

- Sindikata e Pavaur e Sektorit Privat të Kosovës mban takimi me ministrin e financave Besnik Bislimi. (Ndërtesa e Ministrisë së Financave, ora 13:30)