19 Prill 2024

PSD kërkon hetimin e gjithë procesit te ndërtimit të Autostradës Prishtinë - Shkup

Prishtinë, 7 qershor - Partia Socialdemokrate (PSD) ka vlerësuar se për vite me radhë, buxheti i Republikës së Kosovës është orientuar gabimisht, në ndërtim autostradash tranzit, në vend se në rritje të prodhimit dhe në ngritje të mirëqenies së qytetarëve.

"Sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveritë e Kosovës njëra pas tjetrës, përmes vendimeve të ngutshme e të gabueshme, po e rëndojnë edhe më tepër barrën financiare të qytetarëve të Kosovës", thekson PSD.

Kontratat e fshehta dhe papërgjegjësia e krerëve institucionalë, si para qytetarëve ashtu edhe para vet kontratave të tilla sipas PSD-së përbëjnë binomin përmes së cilit Bechtel – Enka po funksionon brenda Kosovës. Rasti i fundit i autostradës Prishtinë – Shkup është dëshmia e radhës e keqeverisjes që ka ndodhur në Kosovë për shumë vite.

Vonesat në pagesa nga qeveria Mustafa sipas PSD-së u përcollën me aneks-kontratë të re të dëmshme nga qeveria Haradinaj, kontratë kjo që obligon Republikën e Kosovës për 53 milionë euro shtesë ndaj kompanisë Bechtel – Enka.

PSD konsideron se ky dënim bëhet edhe më i dyshimtë duke pasur parasysh mungesën e transparencës në kontratë.

Për më tepër, kompania që e bën mbikëqyerjen e punëve nuk i ka pranuar pretendimet e Bechtelit.

Partia Socialdemokrate kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që sa më parë ta hetojnë gjithë procesin e ndërtimit të kësaj autostrade, që nga kontrata fillestare, e deri tek aneks-kontrata e fundit, ashtu që të gjithë përgjegjësit për keqmenaxhim të fondeve publike të dalin para drejtësisë.

"Republika e Kosovës nuk duhet ta paguajë dënimin ndaj Bechtelit, pa i dënuar ata që ia faturuan shumën", thekson në fund PSD.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)