04 Dhjetor 2022

Policia identifikon dy automjete BMW X6 të vjedhura

Prishtinë, 24 maj - Policia Kufitare e Republikës ë Kosovës ka bërë të ditur se zyrtarët policor në pikë kalimin kufitar në Vermicë gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të menaxhimit dhe kontrollit efikas të kufirit shtetëror dje në hyrje kanë kontrolluar veturën BMW X6, ngjyrë e zezë, me targa të Shqipërisë.

Pas kryerjes së punës në mënyrë profesionale dhe dyshimeve të ngritura se në numrin identifikues të automjetit mund të ketë ndërhyrje mekanike, në bashkëpunim me Policinë e FRONTEX-it janë kryer verifikime dhe hetim më i detajuar lidhur me automjetin në fjalë dhe prejardhjen e tij.

Bazuar në të gjeturat dhe bashkëpunimin PK-FRONTEX, ka rezultuar se ky automjet rezulton të jetë vjedhur në Itali në vitin 2010 dhe më pastaj i falsifikuar dhe i regjistruar në Shqipëri. Gjithashtu merret vesh se një automjet i njëjtë me të njëjtin numër identifikues është në qarkullim në Itali.

Po ashtu sot më 24.05.2022, në hyrje për në Republikën e Kosovës zyrtarët policor kufitar kanë kontrolluar veturën ( tjetër) BMW X6, ngjyrë e bardhë, me targa të Shqipërisë dhe pas verifikimeve të nevojshme në bashkëpunim me autoritetet dhe FRONTEX-in, është konstatuar se edhe ky automjet raportohet të jetë vjedhur në Itali në vitin 2010, përderisa merret vesh se një automjet i njëjtë me të njëjtin numër identifikues është në qarkullim në shtetin e Lituanisë.

Lidhur me këtë qështje është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit janë iniciuar rastet ”vjedhje dhe falsifikim i automjetit” dhe rastet adresohen tek njësia kompetente për hetime të mëtejme.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në menaxhimin dhe kontrollin efikas dhe efektiv të kufirit shtetërorë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022

- Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)