06 Shkurt 2023

Plaçkitet me armë zjarri pika shitëse nr.1 e PTK-së

Prishtinë, 2 shkurt - Është sulmuar dhe plaçkitur me armë zjarri, pika e shitjes së PTK-së nr.1, prapa Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Plaçkitja ka ndodhur të hënën mbrëma rreth orës 18:25 nga dy persona të panjohur.

Plaçkitësit e armatosur kanë hyrë më forcë në objektin e PTK-së duke kërcënuar me armë fillimisht punëtorin e sigurimit dhe më pas kanë plaçkitur punëtorët e shitjes në sportele.

Me këtë rast plaçkitësit kanë grabitur një shumë prej tre mijë eurosh nga punëtorët e sportelit, ndërkohë që nuk ka pasur të lënduar.

Pas plaçkitjes së dhunshme dy personat e armatosur kanë ikur në drejtim të panjohur. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që hetimet rreth këtij rasti janë duke vazhduar.

Kjo është plaçkitja e tretë që ndodh në pikat shitëse të PTK-së brenda dy muajve të fundit. Hera e fundit ishte sulmi me armë zjarri i pikws shitëse të PTK-së në Bushat të Drenasit, me ç‘rast persona të armatosur kanë kërcënuar punëtorët verbalisht, derisa kanë gjuajtur me revole dhe kallashnikov.

Një muaj më herët është sulmuar me armë zjarri, pika e shitjes së PTK-së nr.14 në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. Tentim plaçkitja kishte ndodhur nga persona të panjohur, të cilët të armatosur kanë hyrë në lokalet e PTK-së dhe kanë sulmuar fizikisht punëtorin e PTK-së, i cili me këtë rast ka pësuar lëndime serioze në kokë.

PTK ka qenë muajt e fundit cak i plaçkitjeve dhe sulmeve nën kërcënimin e armëve në pikat e ndryshme të shitjes.

Me këtë rast, PTK edhe një herë kërkon nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të ndihmojnë në ruajtjen e pasurisë së PTK-së, sepse ajo është pasuri e gjithë Kosovës.

Gjithashtu, PTK kërkon nga organet kompetente për rendin dhe sigurinë që të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për kapjen e personave përgjegjës të shkatërrimit dhe sulmit të radhës ndaj kësaj pasurie, duke përfshirë edhe sulmuesit e mbrëmshëm në pikën e shitjes nr.1 në kryeqytet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 shkurt 2023

- Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të organizoj një aksion si reagim ndaj skandalit të fundit me vende të punës në Arsim dhe akuzave publike për shitjen e vendeve të punës. (Para Komunës së Prizrenit, ora 9:30)
    
- Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve lanson Platformën për Punësim të të rinjve ku pjesëmarrës do të jenë Kryeministri, Albin Kurti, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe Ministri, Hekuran Murati. (Hotel Sirius, ora 10:00)
    
- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku në rend dite është Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. (Kuvendi i Kosovës, salla C301, ora 11:00)

- Kryesia e Parlamentit Studentor mban konferencë për media lidhur me organizimin e marshit kundër asociacionit. (Para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ora 11:00)

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, takohet me përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të  Zhdukur gjatë luftës në Kosovë. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 12:00)

 

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati vizitojnë ndërmarrjen “Liri”, në Prizren. (Ndërmarrja "Liri", Prizren, ora 16:00)

 

- Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizojnë ceremoninë e nënshkrimit të Agjendës për Kontratën Sociale për Kryeqytetin që është zotim i përbashkët ndërmjet zyrtarëve të komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (SHFMU “Ismail Qemajli”, Bregu i Diellit, ora 19:00)