28 Mars 2024

Për një vit, 400 mijë gjoba për kundërvajtje në trafik

Prishtinë, 16 mars - Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2019 në trafikun rrugor në Kosovë kanë humbur jetën 15 persona si pasojë e aksidenteve.

Nëse krahasohet me vitin 2018, janë katër veta më shumë që kanë humbur jetën për periudhën e njëjtë kohore.

Nga 1 janari i vitit 2017, në aksidente rrugore kanë humbur jetën mbi 280 persona, prej tyre 137 kanë vdekur më 2017, 129 më 2018 dhe të tjerët, 15, këtë vit.

Për të rritur sigurinë, si dhe disiplinuar shoferët dhe pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, nga 1 janari i vitit të kaluar janë ashpërsuar gjobat për kundërvajtësit.

Prej hyrjes në fuqi të masave të reja ndëshkuese, Policia e Kosovës ka shqiptuar më shumë se 463 mijë tiketa për shkelësit e ligjit në trafikun rrugor. Prej tyre, 63 mijë vetëm në dymujorin e parë të këtij viti, ndërsa 400 mijë të tjera gjatë vitit 2018.

Mbi 170 mijë apo rreth 42 për qind e kundërvajtjeve, gjatë vitit të kaluar, janë për tejkalim të shpejtësisë. Afër 12 mijë (11 mijë e 883) është numri i gjobave për mosregjistrim të automjetit. Për mosrespektim të semaforit janë shqiptuar 1 mijë e 824 tiketa, ndërsa 6 mijë 485 shoferëve u është konfiskuar patentë shoferi (ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik).

Nga 400 mijë gjobat e shqiptuara gjatë vitit të kaluar, Policia e Kosovës ka arkëtuar afër 8 milionë e gjysmë euro (8 milionë e 427 mijë euro) apo 140 për qind më shumë sesa në vitin 2017, kur kishte shqiptuar vetëm 3 mijë tiketa më pak se më 2018.

Për dallim nga viti 2017 kur numri i aksidenteve ka qenë 17 mijë e 695, më 2018 ka pasur 1 mijë e 954 aksidente më pak, e po ashtu 8 të vdekur më pak (2018: 129 të vdekur; 2017:137 të vdekur).

Megjithëse ka më pak aksidente e më shumë gjoba se në fillimvitin e kaluar, këtë vit numri i të viktimave në aksidente është më i madh. Në dymujorin e parë të vitit të kaluar në trafikun rrugor kanë humbur jetën 11 persona, ndërsa këtë vit 15.

/Rel/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)