29 Mars 2024

Nënshkruhet kontrata për autostraden Vërmicë–Merdare

Prishtinë, 12 prill - Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT) nënshkroi kontratën me Konsorciumin “Bektel-Enka” për fillimin e punëve për autostradën Vërmicë–Merdare.

Kontrata u nënshkrua në praninë e kryeministrit Hashim Thaçi, i cili vlerësoi se realizimi i projektit për autostradën Vërmicë - Merdare dëshmon se Kosova ka krijuar ambient për investime kapitale. Kryeministri tha ndërtimi i autostradës do të krijojë me mijëra vende të reja pune - autostrada me standarde më të larta ndërkombëtare që do të modernizojë shtetin tonë.

"Ky është një moment historik për shtetin tonë, pra, po realizohet ëndrra e qytetarëve të Kosovës. Është projekti më i madh në historinë e deritanishme të vendit tonë. Ky projekt i ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prizren-Prishtinë-Merdare, i ndihmon qytetarët duke iu krijuar mundësitë e reja të lëvizjes së lirë, e integron shtetin e Kosovës fuqishëm në rajon", ka theksuar Thaçi.

Realizimi i këtij projekti sipas tij dëshmon se shteti i Kosovës ka krijuar një ambient për investime dhe për realizim të projekteve kapitale. Ky projekt do të mundësojë investimin e rreth 500 milionë eurove, që do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, donatorë special potencial, si dhe në rast nevoje nga kreditë e favorshme.

"Ky është vit i fillimit të ndërtimit të autostradës, por edhe vit i fillimit të realizimit të projekteve tjera madhore, prioritete prej më kryesoreve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe zotohemi se do t’i përmbyllim me sukses shumë shpejt edhe koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, pastaj edhe fillimin e realizimit të projektit energjetik “Kosova e Re”, por suksesshëm edhe privatizimit të PTK-së",është shprehur Thaçi.

Ministri Fatmir Limaj tha se realizimi i këtij projekti do t’i mundësojë Kosovës të lidhet me tregun ndërkombëtar.

“Nga sot do të fillojë hapja e një korridori ndërkombëtar të vendit tonë, që do të na duhet neve të lidhemi me të tjerët dhe të tjerët të lidhen me neve. Ne duam që rrugët tona të lidhen me ato që kanë fqinjët dhe të na dërgojnë nëpër të gjitha anët e botës”, tha ministri Limaj.

Ndërkaq, Mike Adams president i "Bechel dhe Enka" tha se ky bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës do shërbejë në zhvillimin edhe të ekonomisë së vendit.
Ndërkaqë, ambasadori i SHBA-së në Kosovë Kristofer Dell, realizimin e autostradës e cilësoi si simbol të afërsisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Jam shumë i nderuar të jem këtu dhe të festojë bashkë me popullin e Kosovës këtë projekt historik. Ky projekt do ta ofrojë Kosovën tregjeve botërore. Ky projekt afro 1 miliardësh është i i madh sipas çdo standardi. Kjo autostradë do të jetë simbol i afërsisë ndërmjet SHBA dhe Kosovës”, tha ambasadori Dell.

Autostrada Vërmicë-Prishtinë- Merdarë do të jetë në gjerësi prej 28 metrash me katër korsi ndërkaq projekti pritet të nisë në fund të këtij muaji.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)