03 Tetor 2022

Ndalohen dy persona që mashtruan bashkatdhetarët me bileta fiktive

Prishtinë, 4 gusht - Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të masave të fshehta dhe teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në koordinim me Policinë dhe ATK-në, si dhe pas aprovimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit, sot është realizuar një aksion në Prishtinë dhe Podujevë, me ç’ rast janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje të dyshuarit M.K. dhe A.B., bashkëpronar të Agjencionit Turistik “Prishtina Jet”, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, të paraparë sipas KPRK-së dhe nga kjo bastisje e realizuar janë gjetur e sekuestruar prova të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.

Personat e lartcekur dyshohen se, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, pra përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet”, u kanë shitur të dëmtuarve/bashkatdhetarëve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e perëndimit në Kosovë me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi aktual, e të cilat fluturime nuk janë realizuar edhe përkundër pagesave që janë bërë nga të dëmtuarit, çka me këtë të dëmtuarve përpos dëmeve financiare u kanë shkaktuar edhe keqtrajtime psiqike, duke u maltretuar me familjarët e tyre nëpër aeroporte të ndryshme për realizimin e fluturimeve të premtuara rrejshëm nga të pandehurit.

Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, derisa ndaj tyre do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore, si dhe, veprime hetimore ndaj rastit në fjalë, deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështje penale.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)