03 Tetor 2022

Mbyllet kompania ajrore italiane Alitalia

Romë, 15 tetor - Kompania ajrore 75-vjeçare e Italisë, Alitalia, u ka dhënë fund operacioneve të saj me një fluturim të fundit.

Fluturimi i fundit i Alitalia-s, AZ 1586, ishte nga qyteti i Cagliari në ishullin e Sardenjës për në kryeqytetin Romë.

Për transportuesin ajror përfundoi një epokë kur avioni Airbus 320 me 180 pasagjerë u ul në Aeroportin Fiumicino të Romës në orën 23:22 me kohën lokale.

Alitalia, e cila u themelua më 16 shtator 1946 dhe u bë një nga kompanitë kryesore ajrore në Evropë në vitet 1960, ka qenë në rënie të vazhdueshme, duke mos arritur të rikuperohet nga krizat financiare të cilat i përjetoi, veçanërisht në 30 vitet e fundit.

Gjatë kësaj kohe, qeveritë italiane shpëtuan disa herë kompaninë Alitalia nga pragu i falimentimit me mbështetje financiare.

Pavarësisht vendimit të Bashkimit Evropian (BE) për të ndaluar mbështetjen financiare në fjalë, Alitalia, së cilës qeveritë italiane i kanë transferuar rreth 13 miliardë euro në formën e huave emergjente në 20 vitet e fundit, ka qenë në gjendje të vazhdojë aktivitetet e saj deri më sot falë këtyre burimeve.

Edhe pse Alitalia u përpoq të zvogëlojë kostot e fluturimit përmes bashkëpunimeve me transportuesin holandez KLM dhe Etihad Airways nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), ajo u ndikua negativisht nga pandemia COVID-19 që shpërtheu në vitin 2020 dhe masat e karantinës.

Kryeministri italian Mario Draghi dhe kabineti i tij, të cilët morën detyrën në shkurt, lanë pa përgjigje thirrjet për kredi për të shpëtuar kompaninë, duke shënuar fundin e kompanisë 75-vjeçare.

Përballë rrezikut të humbjes së vendeve të punës pasi mbyllja u bë e sigurt gjatë verës, shumë punonjës të kompanisë kanë protestuar.

Me mbylljen e Alitalia-s pas fluturimit të saj të fundit, "ITA" (Italia Trasporto Aereo) e sapokrijuar, përsëri nën pronësinë e qeverisë italiane, me një investim prej 720 milionë eurosh, do të bëhet sot linja ajrore zyrtare e vendit.

ITA do të marrë deri më 2.800 punonjës nga gjithsej 10.500 punonjësit e Alitalia-s, ndërsa fillimisht do të nisë operacionet me një flotë prej 52 avionësh, shifër kjo e cila pritet të rritet në 105 deri në vitin 2025.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)