25 Prill 2024

Mark Krasniqi dhe Pajazit Nushi në pulla postare

Prishtinë, 13 dhjetor - Në kuadër të tematikës ’’Personalitete të shquara”, Posta e Kosovës ka emetuar të mërkurën dy pulla postare me imazhet e akademikëve Mark Krasniqi dhe Pajazit Nushi.

Mark Krasniqi u lind në fshatin Gllaviçicë (Shën Gjon) afër Pejës më 19 tetor 1920. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, shkollimin e mesëm në Prizren, ndërkaq studimet  për letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), si dhe  për gjeografi e etnografi në Universitetin e Beogradit.

Karrierën e filloi si gazetar dhe pastaj redaktor i gazetës “Rilindja”. Ka qenë prodekan dhe dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ishte nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (që nga viti 1993).

Ka botuar libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbo-kroatishtja, sllovenishtja e maqedonishtja në gjuhën shqipe. Vdiq në Prishtinë, në vitin 2015.

Pajazit Nushi u lind më 8 janar të vitit 1933 në Gjakovë. Në vendlindje kreu shkollën fillore dhe shkollën normale, ndërkaq studimet i kreu në Fakultetin Filozofik, Katedra e Psikologjisë Eksperimentale të Universitetit të Beogradit. Disertacionin e doktoratës e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Aktiviteti profesional dhe shkencor i Pajazit Nushit shtrihej në fushat studimore të psikologjisë së përgjithshme, terminologjisë së psikologjisë, psikologjisë pedagogjike, etnopsikologjisë dhe metodologjisë hulumtuese të psikolo­gjisë. Ka botuar trajtesa të veçanta shkencore dhe artikuj nga fusha e psikologjisë sociale, e sociologjisë, leksikologjisë shqipe, të psikologjisë së religjionit. Vdiq në Prishtinë, në vitin 2015.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)