03 Tetor 2022

Lufthansa arrinë marrëveshje me sindikaten për rritjen e pagave

Berlin, 5 gusht - Kompania ajrore gjermane Lufthansa dhe sindikata Verdi kanë rënë në ujdi në negociatat për marrëveshjen kolektive që parashikon rritje të pagave për personelin tokësor.

Në deklaratën e bërë nga sindikata Verdi dhe Lufthansa, thuhet se është rënë dakord për rritje pagash me tri faza për rreth 20 mijë pjesëtarë të personelit tokësor.

Punonjësve do t’u jepen shuma fikse prej 200 eurove në muaj për periudhat e kaluara, ndërsa duke filluar nga 1 janari 2023, pagat do të rriten me 2,5 për qind, por të paktën 125 euro do të jepen me bazë fikse mujore, thuhet në deklaratë, e cila shton se do të ketë sërish një rritje prej 2,5 për qind nga 1 korriku 2023.

Marrëveshja kolektive do të jetë e vlefshme deri më 31 dhjetor 2023.

Nënkryetarja e sindikatës Verdi, Christine Behle tha se kjo marrëveshje është një rezultat i mirë, që do të thotë rritje e pagave për të gjitha grupet e punonjësve nga së paku 377 euro deri në 498 euro në muaj.

Edhe Michael Niggemann, një nga menaxherët e Lufthansa-s, u shpreh i kënaqur që është gjetur një zgjidhje e mirë për punonjësit.

Më 27 korrik, me thirrjen e sindikatës Verdi, personeli tokësor i kompanisë Lufhansa hyri në një grevë paralajmëruese dhe aeroportet e Mynihut dhe Frankfurtit, ndër aeroportet më të rëndësishme të vendit, u mbyllën.

Mbi 1.000 fluturime u anuluan dhe 134 mijë pasagjerë u ndikuan gjatë grevës. Siç është bërë e ditur, kjo grevë i ka kushtuar Lufthansa-s rreth 35 milionë euro.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)