13 Dhjetor 2018

“Legjenda e futbollit - Fadil Vokrri” në pullë postare

Prishtinë, 8 tetor - Në kuadër të tematikës  “Legjenda e futbollit - Fadil Vokrri”, Posta e Kosovës ka emetuar sot një  pullë postare me imazhin e legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrri.

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha me bashkëpunëtorë të tij në ambientet e Hotelit Emerald në Prishtinë, organizoi promovimin e pullës postare, me ç’rast priti  Kryesinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, anëtarë të familjes Vokrri dhe mysafirë sportdashës të tjerë. Ai iu dhuroi në pllakë bronzi pullat e para familjes dhe përfaqësueseve të FFK.

Kryeshefi Hoxha deklaroi se është krenari për Postën e Kosovës dhe të gjithë punonjësit e saj, që përmes emetimit të kësaj pulle postare ne do t’i bëjmë nderë Ndërmarrjes tonë, sportistet dhe ngjarjet më të rëndësishme sportive, në veçanti futbollin, e këtë do ta bëjë edhe në të ardhmen duke e ditur që sporti ka rol të pazëvendësueshëm në promovimin e shtetit dhe popullit tonë.

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë. Më pas, në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola për këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë pati 88 paraqitje me fanellën e Prishtinës dhe realizoi 22 gola.

Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola. Në vitin 1986, u transferua te “Partizani” i Beogradit, ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola.

Ai me meritë e fitoi epitetin e “Legjendës” së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.

Pas luftës në Kosovë, Fadil Vokrri punoi pareshtur për anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe me pas në FIFA, që ishin ndër të arriturat më të mëdha të shtetit tonë. Për këto arritje historike, Posta e Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, në vitin  2016 ka emetuar një pullë të jashtëzakonshme postare.

Emri i legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, ashtu siç u përjetësua në stadiumin e Prishtinës, nga sot e mot do të përjetësohet edhe në pullë postare. Imazhi i tij i ndritur do të udhëtojë në tërë botën përmes dërgesave tona postare dhe do ta promovoi atdheun e tij, Republikën e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 dhjetor 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe shqyrtimi i raportit te auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Kosovës - Trainkos. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Grupi Kombëtarë Monitorues i  Fëmijëve “Respect Our Right” mbeshtetur nga organizatat “Syri i Vizionit” në partneritet me “Save the Children”, organizojnë konferencën për  publikimin e raportit monitorues ‘’Hendeku, kurrikula dhe zbatueshmëria e saj’’. (Hotel International Prishtina, ora 10:00)

- Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovë prezanton rezultatet e punës dhe të arriturave për vitin 2018. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ-ve në kuader të Javës Anti-Korrupsion organizon tryezën lidhur me nevojen për procesin e vetingut në Kosovë dhe vullneti politik. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kosova Youth Atlantic Treaty Asocation mban debatin “Transformimi i FSK-s, ndikimi në sigurinë kombëtare dhe rajonale”. (Kolegji Universum në lagjjen Ulpiana, ora 10:30)

- Ministri i inovacionit dhe ndërmarresisë, Besim Beqaj raporton para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal lidhur me punën e ministrisë për ketë vit, me theks të veçantë ndarja e fondeve dhe grandëve për start up-et dhe bizneset tjera, si dhe planifikimi i punëve për vitin e ardhshëm. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- ADMOVERE organizon promovimin e raportit "Universiteti i Prishtinës - raportet e akreditimit, revistat dhe bibliotekat". (Hani i 2 Robertëve, ora 11:00)

- Let’s Do It do të organizojë aksion pastrimi në Ferizaj ku do të pastrohet një deponi ilegale në të cilën do të marrin pjesë edhe pjesëtarë të KFOR-it amerikan. (Magjistralja afër Mileniumit në Ferizaj, ora 11:00)

- Ministri i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gash raporton para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri merr pjesë në tryezë diskutimi me stafin akademik të Fakultetit Juridik për themelimin e një Gjykate Komerciale - Tregtare. (Salla e profesorëve në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ora 11:00)

- Nisin punimet për pastrimin e deponisë më të mëdha në Kosovë në Pasomë të komunës se Vushtrrisë. (Pasomë, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. (Objekti i Komunës së Gjilanit, ora 11:00)

- Nën organizimin e OVL UÇK-së, SHIL UÇK-së dhe SHFD UÇK-së do të bëhet përurimi i kompleksit dhe zbulimi i plakës përkujtimore për 41 dëshmorët e kombit, Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtarët tjerë. (Fshati Gorozhub në Prizreni, ora 12:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve mban konferencën për media lidhur me ndikimin e taksës 100% në ekonominë e Kosovës. (Selia qendrore e AKB-ës, ora 13:00)

- Mbahet takimi me studentët e Fakultetit Ekonomik - Prishtinë dhe prezentimin e temës ‘’Kosova ofron perspektivë’’ , e organizuar nga kompania Al Trade Center. (Objekti i Fakultetit Ekonomik, ora 14:00)

- Swisscontact në Kosovë, organizon një takim miqesor të fundvitit me media. (Restaurant "Remember Me", ora 14:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, inspekton trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës. (kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 15:00)

- Nxënësit Kosovarë marrin pjesë në Garën Nacionale të Recitimit të Poezisë në Gjuhën Angleze. (Amfiteatri i Bibliotekës Kombëtare, ora 15:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës hap ekspozitën “Një perspektivë ndryshe!” te autorit Agon Nimani. (Galeria e Ministrisë së Kulturës në kompleksin “Qafa”, ora 19:00)