19 Nëntor 2019

Kodi telefonik shtetëror i Kosovës nuk është duke u zbatuar plotësisht

Prishtinë, 18 qershor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar një vizitë të anëtarëve të Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, gjatë të hënës, në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), për tu njoftuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit ,lidhur me telekomunikacionin dhe kodin telefonik +383.

Në këtë vizitë morën pjesë kryetarja e këtij komisioni Sala Berisha – Shala dhe Muharrem Nitaj, anëtar i Komisionit, të cilat takuan kryetarin e bordit të ARKEP-it Kreshnik Gashin dhe zyrtarë të lartë të këtij institucioni.

Deputetët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik shprehën interesimin e tyre rreth zbatimit të marrëveshjes së telekomunikacionit dhe ngecjet në këtë proces, përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje, sfidat nga operatorët telefonik për zbatimin e marrëveshjes si dhe funksionalizimin e kodit +383.

Kryetari i bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi informoi deputetët lidhur me marrëveshjen e telekomunikacionit të arritur në Bruksel më 2013, e cila u cilësua si e zbatuar në masë të madhe.

Gashi njoftoi deputetët që prej 15 dhjetor 2016 Kosova ka kodin e saj telefonik, +383, gjithsesi theksoi se një pjesë e kësaj marrëveshjeje nuk është zbatuar, përkatësisht harmonizimi i frekuencave ndërkufitare si pasojë e mosgatishmërisë së Serbisë.

Më tej Gashi shtoi se që prej vitit 2017 dialogu në mes delegacioneve lidhur me këtë marrëveshje është ndalur, ndërsa nuk ka pasur asnjë diskutim lidhur me shërbimet postare pavarësisht që është përcaktuar ndryshe me marrëveshje.

Në anën tjetër shteti i Kosovës ka zbatuar pjesën e marrëveshjes për dhënien e autorizimit të përkohshëm një kompanie të re serbe për shërbime të telefonisë mobile.

Ky autorizim është dhënë në përputhje me kornizën rregullatore të Kosovës, për operim të kufizuar në infrastrukturën aktuale në terren. Në kuadër të kësaj, nga marsi i vitit 2017 ARKEP ka ndërprerë operimin e operatorëve ilegal në Veri.

Sa i përket çështjes së zbatimit të kodit shtetëror të Kosovës +383, z. Gashi njoftoi deputetët se operatorët ekonomik në Kosovë PTK dhe IPKO janë përballur me sfida në adoptimin e këtij kodi dhe të njëjtit kanë kërkuar disa herë shtyrje të afatit të zbatimit të kodit +383. 

ARKEP ka vendosur si afat të fundit për zbatim datën 31 tetor 2018 dhe nga 15 janari 2019 ka filluar shqiptimin e gjobave deri në 10.000 Euro, për operatorët të cilët nuk kanë zbatuar këtë vendim.

Pas sanksioneve të shqiptuara nga ARKEP, PTK ka arritur të zbatojë kodin shtetëror të Kosovës +383, vetëm në një fazë. Edhe pse kodi i Monakos +377 nuk është në përdorim nga ky operator thirrjet ndërkombëtare vazhdojnë të realizohen nëpërmjet Monako-së, siç ka ndodhur para marrjes së kodit shtetëror të Kosovës.

Si rezultat i kësaj, PTK shënon humbje dhe nuk përfiton nga kodi telefonik shtetëror, për arsye të mos përgatitjeve të duhura teknike. Vlen të përmendet se të dy operatorët PTK dhe IPKO kanë qenë pjesë e delegacionit për negocimin e marrëveshjes së telekomunikacionit.

Përfaqësuesit e ARKEP njoftuan anëtarët e Komisionit se lidhur me problemet e kompanisë publike PTK rreth zbatimit të kodit +383, kanë njoftuar edhe Qeverinë e Kosovës nga e cila kanë kërkuar mbështetje për këtë kompani në tejkalimin e këtyre sfidave. Në anën tjetër edhe operatori IPKO pas sanksioneve të ARKEP, ka filluar zbatimin e kodit +383 me datën 1 qershor 2019, ndërsa IPKO ka filluar edhe zbatimin e kodit mobil shtetëror E212.

Anëtarët e Komisionit u zotuan se do të ngrisin këtë çështje edhe në mbledhjet e Komisionit.

Kjo vizitë u realizua në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 nëntor 2019 - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës organizon konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë me titull: “Rreziqet dhe mundësitë në një sektor financiar dinamik-rruga zhvillimore”, që do të mbahet në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të themelimit të BQK-së. (Hotel Swiss Diamond, ora 8:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të BQK-së. (Hoteli Swiss Diamond, ora 9:00)

- Punëtorët teknik të qendrës studentore, punëtorët teknik të disa shkollave që menaxhohen nga komuna e Prishtinës, punëtorë teknik të Universitetit të Prishtinës, punëtorë të sigurimit fizik të UP-së dhe QMF-ve, punëtorët teknik të disa shkollave në Gjilan do të ndalin punën e tyre në shenjë pakënaqësie për pagën e tyre të ulët. (Protesta mbahet ne vendete e tyre te punës, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e njëmbëdhjetë e rregullt e Komiteti për Politik dhe Financa. (Objekti i Komunës së Rahovecit, ora 10:00)

- Zyra e BE-së në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës do të organizojë një vizitë në Gjykatën Themelore në Prishtinë në të cilën do të diskutojë për zhvillimet dhe arritjet në operacionalizimin dhe digjitalizimin e bazës kombëtare të të dhënave të evidencës penale, e zbatuar nga Sistemi qendror kombëtar i evidencës penale. (Gjykata Themelore e Prishtinës, ora 10:15)

- Mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës në mes të Komandantit në largim të KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’addario dhe Komandantit në ardhje të KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi. (Kampi i Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it Film City, ora 10:30 - mediet duhet të arrijnë tek Porta kryesore e Kampit Film City jo më vonë se ora 9:30)

- Presidenti Thaçi dhe Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, merr pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it. (Film City, ora 10:25)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Zëvendësdrejtori i Fondi Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang mbajnë konferencë për media. (Swis Diamand Hotel, ora 10:45)

- Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të mbajë aktivitet me fëmijët në kuadër të shënimit te 30 vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës. (Sheshin “Zahir Pajaziti”, ora 14:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pret në takim ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Lorenzo Guerini. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Forumi për Iniciativa Qytetare FIQ organizon publikimin e analizës së Legjislacionit të Kosovës lidhur me Filantropinë dhe OJQ-të, me autor Qerkin Berisha. (Zyret e FIQ, Resource Center në Pejton, ora 14:00)

- Ambasadorja e Francës, Marie-Christine organizon pritje ku do të dekorojë znj.Blerta Zeqiri, ''Kalorëse në Urdhrin e Artit dhe Letërsisë''. (Rezidenca e Francës, ora 18:30)

- HANDIKOS organizon ceremoninë e hapjes së  ekspozitës me fotografi  “EmbraceMe-Kosovo”, me portrete nga jeta e nëntë personave nga Kosova, të punuara nga fotografja holandeze Karin Brongers. (Shtëpia e Evropës, ora 19:00)