04 Dhjetor 2022

Inaugurohet rruga “Gjergj Kastrioti Skenderbeu" në New York

Detroit, 16 maj - Në pamundësi për të kremtuar së bashku ceremoninë e inaugurimit të rrugës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në lagjen Bronx të New Yorkut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ua ka dërguar një letër urimi organizatorëve të ngjarjes.

Nëpërmjet saj, kryeministri Kurti i ka përgëzuar inicuesit për angazhimin dhe punën e bërë për emërtimin e rrugës me emrin e heroit kombëtar.  

Letra e plotë e kryeministrit Kurti:

“Ju faleminderit për ftesën tuaj për ta kremtuar së bashku ceremoninë e inaugurimit të rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Crescent Ave dhe Arthur Ave në lagjen e Italisë së vogël në Bronx.

Përmes këtij urimi, më lejoni t’ju uroj përzemërsisht për angazhimin dhe punën që keni bërë për të realizuar këtë emërtim të rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Aktualisht jam në Michigan dhe më vjen keq që nuk mund të jem sot aty me juve, mirëpo me të gjithë bashkatdhetarët së bashku ju përshëndesim nga tubimi ynë këtu në Detroit.

Heroi ynë kombëtar është në zemrat tona kudo që ndodhemi e ngado që shkojmë. Mërgata shqiptare është aktive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jeton në komunitet, organizohet politikisht dhe kërkon të lërë gjurmët e saj në topografinë urbane të New York-ut.

Prandaj për të kujtuar identitetin shqiptar kërkon vendosjen e Skënderbeut dhe Fan Nolit si emra të rrugëve në Nju Jork.

Edhe një herë, ju falënderoj për ftesën tuaj dhe mezi pres që të bashkoheni në ngjarjet e ardhshme në Nju Jork”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022

- Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)