25 Prill 2024

Heshtja e Prokurorisë ndaj situatës së Telekomit tregues i kapjes kriminale te shtetit

Prishtinë, 20 korrik - Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me situatën pranë bankrotimit të Telekomit të Kosovës, dikur ndërmarrja më profitabile publike.

Edhe pse sektori i telekomunikimit ka shënuar rritje të vazhdueshme dhe stabile të profitit në tërë shtetet evropiane, si në rastet e kapitalit privat ashtu edhe atij publik, Telekomi i Kosovës së fundmi është sjellur afër bankrotimit, ndër të tjera, nga zbatimi i një vendimi arbitrazhi të operatorit Zmobile (e më herët, Dardafone.net) në dëm të Telekomit.

GLPS në vazhdimësi ka vlerësuar që nënshkrimi i atëhershëm i kontratës ndërmjet PTK dhe Dardafone.net (viti 2009) kishte qëllim të qartë degradimin financiar e tregtar të kompanisë publike Telekomi i Kosovës, dhe një gjë e tillë u pa katërcipërisht nga mënyra e fitimit dhe vëllimi i shfrytëzimit që i bëhej asetit publik nga një operator privat ndër vite.

Në këtë situatë, ndodhemi para paradoksit kur, në vend se të kërkohet përgjegjësi penale për shkaktarët e lidhjes, vazhdimit dhe shfrytëzimit të benefiteve nga kontrata ndërmjet PTK dhe Dardafone.net, Telekomi i Kosovës i duhet të paguaj një dëm të vendosur nga një proces arbitrazhi në vlerë prej 24 milione EUR operatorit privat Zmobile.

GLPS vlerëson që një gjendje e tillë është pikë së pari reflektim i dështimit të qëllimshëm të Prokurorit të Shtetit.

GLPS e pyet Kryeprokurorin Lumezi se cfarë duhet t’i bëjnë më tepër një aseti publik sikur Telekomi i Kosovës që Prokuroria Publike të hetoj dhe vëj para përgjegjësisë penale të gjithë shkaktarët që e sollën këtë gjendje, prej ministrave të atëhershëm e gjerë më sot, e gjithashtu menaxhmenteve respektive të Telekomit të Kosovës?

Si është e mundur që Telekomi në vend se të jetë ndërmarrja më e suksesshme publike për shkak të statusit të saj në treg, ajo vendoset në një situatë bankrotimi, e ku Prokurori i Shtetit hesht sikur interesi publik i sanksionuar me legjislacionin penal të mos ekzistonte? Si është e mundshme që zhvatja e aseteve publike të ndodh kaq tmerrshëm, e institucionet publike të bëjnë sikur nuk ka autorë ndaj kësaj gjendjeje?

Prandaj GLPS i kërkon Prokurorit të Shtetit që të nis një proces hetimi ndaj të gjithë atyre që kontribuan në lidhjen, zbatimin dhe mosveprimin e parandalimit të kontratës së vitit 2009; ndaj të gjithë atyre që lejuan zhvatjen e një aseti publik sikur Telekomi i Kosovës, dhe që e sollën atë në një gjendje para bankrotimit.

"I kërkojmë Qeverisë, dhe Kryeministrit Hoti, që në vend se të merret me planet e privatizimit të pjesshëm, të kontriboj fillimisht në një proces penal të ndëshkimit për ata që e sollën këtë gjendje."

"I kërkojmë gjithashtu Ministrit të Ekonomisë që të qartësoj pozicionin e aksionarit ndaj kësaj gjendje të shkaktuar me pasoja penale, në vend se të premtoj kinse negocime të reja me kompaninë Zmobile", thekson GLPS.

Për fund, GLPS vlerëson që është i papranueshëm heshtja e Kuvendit të Kosovës ndaj situatës në Telekomin e Kosovës.

Një komision hetimor mbi këtë gjendje është i domosdoshëm, kurse cdo proces potencial i ristrukturimit të Telekomit të Kosovës duhet t’i nënshtrohet një miratimi parlamentar.

"Cdo qytetar i Kosovës ka të drejtën të dij se si u zhbë paraja publike në këtë formë në ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës, prandaj transparenca e plotë mbi të kaluarën dhe të tashmën është e domosdoshme", deklaron GLPS.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)