25 Prill 2024

Hamiti: Me PTK-në është abuzuar rëndë gjatë këtyre viteve

Prishtinë, 20 maj - Udhëheqes të lëvizjes “Vetëvendosje” dhe ekspertë të telekomunikacionit kundërshtuan sot privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Në një tribunë organizuar nga Vetëvendosja, u theksua se privatizimi i kësaj kompanie është shpërdorim i një pasurie të madhe publike dhe nuk ka asnjë arsye të ndodhë aktualisht.

Lëvizja “Vetëvendosje” është kundër privatizimit në tërësi dhe sidomos privatizimit të ndërmarrjeve strategjike në Kosovë, siç është Postë-telekomit dhe Korporata Elektroenergjetike e Kosovës.

 Visar Ymeri, drejtues i komitetit për ekonomi në “Vetëvendosje”, tha se privatizimi i këtyre pasurive po bëhet pa kurrfarë plani dhe analize përkatëse.

Ai theksoi se para se të privatizohen këto kompani, duhet të futet në funksion të ekonomisë fondi i krijuar deri tani nga privatizimi në vlerë mbi 460 milionë euro, dhe të krijohet infrastruktura ligjore për rregullimin e konkurrencës së lirë të tregut.

\"Politikanët aktualë po nguten të privatizojnë kapacitetet zhvillimore me qëllim të pasurimit personal, tha Ymeri.

“Nisur nga ky këndvështrim dëmtimi afatgjatë i pronës publike, proces ky që po zgjatë tash e dhjetë vjet, nuk del të jetë i rastësishëm, sepse përmes këtij dëmtimi politikanët po synojnë t’ia zbresin vlerën pronës, e kur ta zhvlerësojnë atë, e shesin më lirë e sa më lirë ta shesin aq më shumë fitojnë”, tha Ymeri.

Eksperti i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, njëherësh profesor në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, tha se me PTK-në është abuzuar rëndë gjatë këtyre viteve.

“Është abuzuar për shkak se është lënë në mëshirën e individëve sharlatanë, të papërgjegjshëm dhe me prirje kriminale, të cilët kontrollohen nga politikanë vendorë e të huaj me atribute të ngjashme”, tha Hamiti.

Profesori Hamiti tha se nuk ka kurrfarë arsyeje që kjo kompani të shitet, pavarësisht arsyetimit zyrtar se paratë e shitjes do të përdoreshin për të ndërtuar autostradën. Sipas tij në autostradë do të mund të investohej fitimi vjetor i kompanisë që sillet nga 130 deri në 140 milionë euro, dhe kompania të mos shitet fare.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së PTK-së, Milazim Alshiqi, tha se punëtorët e kanë kundërshtuar shitjen e kompanisë, ndërkaq peticionin me rreth dy mijë nënshkrime të punëtorëve ua kanë dorëzuar tashmë zyrtarëve të institucioneve vendore e ndërkombëtare.

Kontratat e dëmshme dhe aferat korruptive në PTK e kanë dëmtuar imazhin e kësaj kompanie, me qëllim që asaj t’i bije vlera në treg, u tha në këtë tribunë. Ndryshe, sipas ekspertëve vlerësohet se vlera e kompanisë mund të jetë nga 300 deri në 400 milionë euro. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)