23 Prill 2024

Greva e punonjësve i shkakton 100 milionë euro dëme hekurudhave franceze

Paris, 10 prill - Autoriteti Kombëtar Francez i Hekurudhave (SNCF) ka bërë të ditur se dëmi i shkaktuar nga greva e punonjësve të tij nga 22 marsi ka arritur në 100 milionë euro.

Duke folur në kanalin BFMTV, kreu i bordit ekzekutiv të SNCF-së Guillaume Pepy rikujtoi se nga 22 marsi, punonjësit e hekurudhave kanë shkuar në grevë pesë ditë, përfshirë ditën e sotme.

"Sikurse edhe sot, për shkak të numrit të vogël të trenave që nisen në udhëtim, humbjet ditore janë rreth 20 milionë euro. Dëmi që ka pësuar SNCF nga fillimi i grevës është afro 100 milionë euro", tha Pepy, duke theksuar se greva i ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë së vendit.

Përkundër grevës, tha më tej Pepy, 20 për qind e trenave të shpejtë dhe një nga gjashtë trenat mes qyteteve vazhdojnë të jenë në shërbim.

"Me këto shifra tregojmë se transporti i hekurudhës në Francë nuk është paralizuar", shtoi ai.

Sipas Pepy, 72 për qind e popullit francez mbështet reformën hekurudhore. "Nuk bëhet fjalë për ndryshim të vogël, por planifikohet e ardhmja 80 vjeçare e institucionit. Duhet të hedhim hapa sipas kësaj", tha Pepy.

Ndryshe, katër sindikata vendosën të shkonin në grevë graduale si reagim kundër reformave të propozuara që janë konsideruar si plan për të ndryshuar statusin e privilegjuar të punonjësve dhe për ta privatizuar hekurudhën.

Greva ishte planifikuar të mbahet deri më 28 qershor në ditë të caktuara, por pas takimit me ministren e Transportit javën e kaluar ishte deklaruar se ajo mund të zgjatet.

Çështja e planit për reforma do të diskutohet sot në Kuvendin Kombëtar të Francës.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)