28 Janar 2020

Çmimet jo-normalisht të ulëta përdorën për manipulimin e ofertës finale

Prishtinë, 17 tetor - Organizatat e shoqërisë civile nga rajoni i Prishtinës: Lëvizja FOL, Çohu, INPO, Instituti Columbus dhe Open Data Kosovo kanë prezantuar sot gjetjet nga monitorimi i procesit të prokurimit për tenderin - Rrethrrotullimi i Lakrishtë - Rrethrrotullimi ARBËRI i cili kishte një vlerë prej 1 milionë e 149 mijë euro.

Përzgjedhja e tenderit për monitorim është bërë duke u bazuar në indikatorë automatik të përzgjedhjes siç është: “çmimi i ofertës fituese më i lartë se vlera e parashikuar e kontratës” dhe “rëndësisë që ka projekti për komunitetin”. 

Gjatë fazës së monitorimit është bërë analiza cilësore e dokumenteve relevante që përmbajnë të dhëna primare zyrtare të aktivitetit të prokurimit, të cilat janë siguruar përmes kërkesave për qasje në dokumentet publike.

"Ne kemi gjetur se Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk po i merr parasysh çmimet jo-normalisht të ulëta nëpër pozicione të tenderëve, ashtu siç kërkohet në Rregullën për Çmime jo-normalisht të ulëta:.

"Siç e dini, çmimet jo-normalisht të ulëta nëpër pozicione përdorën për manipulimin e ofertës finale, përkatësisht shpesh na pamundësojmë ta dimë koston reale të tenderëve", theksojn organizatat.

Në rastin konkret- OSHP-ja, bazuar në vendimin që e ka marrë për tenderin 1 milionë 149 mijë euro, thotë se çmimi jo-normalisht i ulët vjen në shprehje vetëm në ofertën finale.

“Ne konsiderojmë që OSHP-ja e ka keq-interpretuar Rregullën për Çmime jo-normalisht të ulëta. Një mënyrë e tillë e interpretimit nga ana e OSHP-së ia pamundëson Autoriteteve Kontraktuese të parandalojnë oferta mashtruese."

"Vendimi i OSHP-së për të mos i marrë parasysh fare çmimet jo normalisht të ulëta nëpër pozicione të ofertës e bënë të pavlerë Rregullën e Komisionit Rregullativ të Prokurimit”, ka deklaruar Elbasan Racaj nga Lëvizja FOL, një nga autorët e raportit monitorues.

Komuna e Prishtinës më 11 Maj 2018 ka hapur tenderin për zgjerimin e rrugës që lidhë lagjen ‘Lakërishtë’ me ‘Arbërinë’.

Ky projekt paraqet rrugën lidhëse në mes të Rreth rrotullimit në Lakrishtë që lidhet me rrugën magjistrale Prishtinë - Mitrovicë dhe Rreth rrotullimit në Arbëri që lidh rrugët “Tirana” dhe “Ahmet Krasniqi”.

Tenderi “Rreth rrotullimi Lakrishtë - Rreth rrotullimi Arbëri” është shpallur me procedurë të kufizuar, në bazë të nenit 33 paragrafi 2 i Ligjit për Prokurim Publik.

Kjo procedurë e prokurimit mundëson që të gjitha çështjet teknike, financiare dhe administrative të zgjidhen në fazën e parë, gjë që pamundëson zvarritjen në pafundësi të procesit të prokurimit.

Në fazën e parë, ishin parakualifikuar 6 operatorë ekonomikë nga 12 sa kishin aplikuar.
Vetëm 5 Operatorë Ekonomik kishin dorëzuar ofertat financiare, nga gjashtë operatorë të parakualifikuar.

Komisioni Vlerësues gjatë fazës së vlerësimit të ofertave financiare kishte kërkuar sqarime nga tre operatorë ekonomikë duke u bazuar në rregullat për çmime jo-normalisht të ulëta. Pas pranimit të sqarimeve, Komisioni e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë RSM, e cila kishte ofertuar me 1 milion e 149 mijë e 998 euro.

Por, Udhëheqësi i Departamentit të Prokurimit në Komunën e Prishtinës, Zekë Bardhaj, nuk e ka miratuar raportin e Komisionit Vlerësues që e rekomandonte për kontratë kompaninë RSM.

Refuzimin i raportit të Komisionit Vlerësues, të bërë me 18 shtator 2018, Bardhaj e ka mbështetur në kompetencën që ia jep neni 40.11 dhe 40.13 i Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik.

Ai ka vlerësuar se disa pozicione të ofertës së kompanisë RSM janë me çmime jo-normalisht të ulëta.

Një çmim jo-normalisht i ulët sipas Bardhajt ishte çmimi i gërmimit të kategorisë III dhe IV që ishte 0.80 euro, ndërsa bazuar në çmimi referent të publikuar nga KRPP ky çmim do të duhej të ishte rreth 4.00 euro, ndërsa vete çmimi i dhënë në parallogarinë e Njësisë së Kërkesës është 2.50 euro.

Pastaj, Pozicioni 1.3 te kanalizimi fekal është pranuar oferta me çmim prej 1.00 euro, kurse ne parallogarinë e Njësisë së Kërkesës kemi çmimin 3.5 euro, ndërsa çmimi referent i KRPP është nga 3.83-4.36 euro.

Udhëheqësi i Prokurimit në Prishtinë e ka eliminuar nga gara kompaninë RSM dhe ka rekomanduar kompaninë ‘R & Rrukolli’ për kontratë. Pas kësaj, Kompania RSM e ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për t’u ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Eksperti shqyrtues, i caktuar nga OSHP-ja, i kishte rekomanduar që të lë në fuqi vendimin e Komunës së Prishtinës që për kontratë të rekomandohet kompania “R & Rukolli”.

Por, Paneli Shqyrtues i OSHP-së në përbërje prej Blerim Dina-Kryetar, z.Nuhi Paçarizi-Referues dhe z.Goran Milenkovic-Anëtar, kishin vendosur ndryshe prej rekomandimit të ekspertit.

OSHP-ja kishte konstatuar se që Komuna e Prishtinës nuk e ka zbatuar nenin 3 të Rregullat për Çmime Jo/Normalisht të Ulëta, sipas tabelës se dhënë në ketë rregullore.

Sipas OSHP-së, Komuna e Prishtinës mund të vazhdojë me procedurat e nenit 4 vetëm nëse plotësohen tri kushtet e kësaj tabele të nenit 3.

Grupi Monitorues i ka kalkuluar ofertat e operatorëve për të parë nëse plotësohen këto tri kushte që oferta e operatorit RSM të konsiderohet “tender me çmim jo-normalisht të ulët”, por nuk plotësohen këto kushte për t’u konsideruar çmimi jo-normalisht i ultë.

Por, e njëjta rregullore i jep të drejtë Komunës së Prishtinës të kërkojë sqarime shtesë edhe nëse nuk plotësohen tri kushtet për kalkulimin e çmimeve jo-normalisht të ulëta.

Madje, paragrafi 2 i nenit 4 shprehimisht thotë: “Në rast se një tender (apo një pozicion i tenderit) duket të jetë abnormalisht i ulët, Autoriteti Kontraktues duhet të kërkojë me shkrim nga operatori ekonomik i cili ka dorëzuar tenderin që duket të jetë jo-normalisht i ultë, një deklaratë me shkrim e cila përfshinë një zbërthim të detajuar të pjesëve relevant të tenderit dhe e cila përfshin një shpjegim për çmimin e ultë duke përdorur formularin standard të miratuar nga KRPP-ja  “Shkresa standarde për tenderët jo-normalisht të ulët”.

Kjo pikë nuk është marrë parasysh nga OSHP-ja, e cila në sugjerimet për Komunën e Prishtinës për fazën e rivlerësimit ka thënë se duhet të plotësohen tri kushtet e vendosura në këtë rregullore.

Autoriteti kontraktues për çdo tender që dyshohet për çmim jo-normalisht të ulët, përkatësisht për pozicionet për të cilat dyshohet, duhet të kërkoj nga operatori ekonomik që ta bëjë të besueshëm, respektivisht ta argumentoj të kundërtën lidhur me dyshimet për çmimin jo-normalisht të ulët.

Në vendimin e OSHP-së është injoruar fakti që pozicionet e caktuara të ofertës kanë pasur çmime jo-normalisht të ulëta, sipas vlerësimit të Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit. OSHP-ja e ka rekomanduar Komunën e Prishtinës që ofertën e ‘RSM Company’ të testojë vetëm në bazë të nenit 3 të rregullores, duke e injoruar tërësisht nenin 4, pika 2.

Grupi monitorues rekomandon që:

• KRPP të amandamentojë ‘Rregullat për Çmime Jo Normalisht të Ulëta’, pasi amandamentimi i saj është bërë i obligueshëm pas vendimit të OSHP-së.
• Në Rregullën e re duhet të specifikohet saktë që çmimi jo normalisht i ulët mund të konsiderohet edhe për pozicione dhe jo vetëm çmimi total.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2020  - Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Zejtarëve dhe Afaristëve ESNAF nga Prizreni organizojn takim për mundësitë e bashkëpunimit në përkrahje të sektorit privat. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e 229-të. (Ndërtesa e KGJK-së, salla e takimeve, rruga “Luan Haradinaj”, ora 10.00)

- Kryeshefi I Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi pret në takim ministrtin e Inovacionit, Muszafer Shala, ku pas takimit do të ketë konferencë për media. (Ndërtesa kryesore të Telekomit të Kosovës, në katin e pestë, ora 10:00)

- Kuvendi Komunal i Prizrenit do të mbajë mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. (Salla e Kuvendit në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj bashkë me kabinetin qeveritar, bëjnë homazhe te obelisku i Hebrenjve, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. (Oborri i Qeverisë së Kosovës, ora 11:00)

- Plaformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike organizon konferencën për media me temë “Sfidat në sundimin e ligjit në Kosovë: Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetarë ndaj këtyre institucioneve”. (Qendra e Konferencave Orion, ora 11:00)

-  Universiteti i Gjakovës "Fehmi Agani" organizon manifestimin e kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. (Hapësirat e Fakultetit të Edukimit -Filologjisë, Gjakovë, ora 11:00)

-  Misioni i OSBE-së dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit. (Dokukino në Kompleksin Europa në Prizren, ora 12:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në shënimin e Ditës Përkujtimore të Holokaustit. (DokuKino, Kompleksi Europa në Prizren, ora 12:30)

- Rinia Demokratike e Kosovës shënon 20 vjetorin e themelimit. (Menza "Ramiz Sadiku", Prishtinë, ora 18:30)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe AS Film, për nder të Ditës Përkujtimore të Holokaustit, do të organizojnë shfaqjen e filmit dokumentar “Përqafimi i fatit”, me regji të Jakov Sedlar. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 19:00)