03 Tetor 2022

Brenda 6 muajve, pas pensionimit, Gani Thaçi mori mbi 176 mijë euro nga BKS

Prishtinë, 10 maj - Më 20 qershor të vitit 2019, në një ditë të bukur vere, Asambleja e Përgjithshme e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, me anë të një vendimi miraton kërkesën e Koordinatorit të Përgjithshëm për Planifikime Strategjike të asaj kohe, Gani Thaçi për pensionim të parakohshëm.

Përmes këtij vendimi, të siguruar nga KALLXO.com, Gani Thaçit, vëllait të ish presidentit Hashim Thaçi, Byroja Kosovare e Sigurimeve merr përsipër që t’i paguaj pagën prej 4 mijë eurove në muaj për periudhën që Gani Thaçi do duhej të punonte deri në pensionimin e rregullt.

“Lidhur me aprovimin e kërkesës si në pikën 1 të këtij vendimi, hartohet marrëveshje e veçantë e cila do të nënshkruhet nga Kryesuesi i Asamblesë, Agim Elshani dhe Koordinatori për Planifikime Strategjike, Gani Thaçi”, thuhet në vendim.

Porse, kjo marrëveshje, specifikonte që pagesa totale që arrinte vlerën prej 168 mijë eurove, pa llogaritur pagesat për Trustin Pensional, të mos bëhej e përmuajshme, por të bëhej në dy këste dhe atë në afat shumë më të shkurtër se 4 vjet.

Pra, pagesa sipas marrëveshjes i siguronte Thaçit brenda gjashtë muajve nga vendimi, deri në muajin janar të vitit 2020, t’i marrë 168 mijë euro nga BKS si dhe 8 mijë e 400 euro shtesë ne emër të kontributit personal, e që gjithsej shkonin në 176 mijë e 400 euro.

“Shuma e përgjithshme e pagave e cila me rastin e pensionimit do t’i paguhen z. Gani Thaçi është 42 muaj *4,000 euro = 168,000 euro, ndërsa në emër të kontributit pensional, nga punëdhënësi BKS (5%) do të paguhet vlera prej 8,400.00 euro, gjithsej 176,400.00 euro.

Shumat si më lartë do të paguhen në dy këste të barabarta. Kësti i parë do të paguhet deri më 10.08.2019 ndërsa kësti i dytë do të paguhet deri më datë 10.01.2020”, shkruan në pikën 3 të Vendimit të Asamblesë së përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të SigurimeveKy vendim gjithashtu tregon edhe për kohën kur Gani Thaçi ka paraqitur këtë kërkesë në Asamble.

“I punësuari me datë 14.06.2019 ka paraqitur kërkesë pranë Asamblesë së Përgjithshëm me të cilën ka kërkuar që t’i aprovohet kërkesa për pensionim të parakohshëm dhe t’i paguhen të gjitha pagat deri në përfundim të mandatit të tij sipas kontratës së punës dhe aneks kontratës. Pas shqyrtimit të kërkesës së të punësuarit me shumicë votash, sipas nenit 12 paragrafi 3, në mbledhjen e jashtëzakonshme, mbajtur me datë 20.06.2019, Anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme vendosen si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com.

KALLXO.com ka arritur të siguroj edhe Raportin e Ekzaminimit të Bankës Qendrore të Kosovës të vitit 2019 ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve si institucion mbikëqyrës i saj.

Në këtë raport thuhet se “marrja e vendimeve të tilla pa bazë specifike ligjore dhe statutare nga ana e Asamblesë së Përgjegjshme të Byrosë, … bie në kundërshtim me qëllimin e Ligjit për Sigurimet”.

“Për më tepër vendime të tilla, reflektojnë në zvogëlimin e kapacitetit financiar të Byrosë dhe siguruesve në pagesën e dëmeve. Gjithashtu, shpenzimet e tilla nuk kanë qenë të parapara në buxhetin e miratuar të Byrosë për vitin 2019, sipas pëlqimit të datës 16 janar 2019”, vazhdon tutje raporti i ekzaminimit të BQK-së ndaj BKS-së.
/kallxo.com/

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)