29 Mars 2024

Bordi i RTK-së mirëpret rekomandimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 2 nëntor - Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka pranuar disa rekomandime nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, të cilat kanë ardhur pas seancës plenare të mbajtur me 24 dhe 27 tetor të këtij viti.

Rekomandimet kanë ardhur pasi që Kuvendi ka shqyrtuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike të dala nga shqyrtimi i raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të RTK-së për vitin 2021 dhe raportin e auditimit të përformancës për vitet 2019 – 2021.   

Rekomandimet Kuvendit të Kosovës për Radio Televizionin e Kosovës:

1. RTK të ndalojë kontraktimin e produksionit të jashtëm për lloje të emisioneve që mund t’i mbulojë me staf të brendshëm.

2. Bordi i RTK-së të definojë qartë në rregullore avancimin, shpërblimin e punëtorëve, duke u bazuar në kritere të qarta të vlerësimit të përformancës.

3. Bordi i RTK-së dhe drejtori duhet të forcojnë mekanizmin ligjor dhe financiar, sepse në mungesë të zyrtarëve ligjorë, RTK-ja rrezikon që si palë e paditur të humbë miliona euro.

Rekomandimet për Qeverinë e Republikës së Kosovës:

1. Qeveria në bashkëpunim me AKP-në, të definojë pronësinë e objektit të ish-Radio Televizionit të Prishtinës dhe statusi e asaj prone.

2. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përkatësisht Këshilli Kosovar për Raportim Financiar të kontrollojë kualitetin e raportimeve dhe standardeve të kompanive private të auditimit.

Bordi i RTK-së i mirëpret këto rekomandime dhe po angazhohet në zbatimin e tyre. Duke marrë parasysh se gjetjet e ZKA-së i përkasin periudhës kur Bordi aktual nuk ka qenë në detyrë, disa nga rekomandimet tashmë janë adresuar dhe po adresohen.

Bordi aktual me të marrë mandatin ka marrë vendim për ndalimin e blerjes së emisioneve me karakter informativ. Ndërsa lidhur me rregulloren e avancimeve, është kërkuar interpretim  nga Inspektorati i Punës dhe menaxhmenti është në pritje të përgjigjes nga ky institucion. Lidhur me këtë çështje do të aplikohet forma më e mirë për rregullimin e avancimeve.

Sa i përket zyrës ligjore, po shqyrtohen të gjitha mundësitë e një qasje sa më të mirë, dhe sa më profesionale të mbrojtjes së rasteve, në të cilat RTK-ja është palë e paditur, por është edhe paditëse.

Ndërkaq, lidhur me forcimin e mekanizmit financiar, tashmë janë ndërmarrë veprime konkrete.

 Është emëruar zyrtari kryesor financiar i RTK-së, pozicion që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kontrollimin dhe menaxhimin financiar si dhe javë më parë përmes një procesi transparent, është përzgjedhur dhe emëruar udhëheqësi i shërbimeve të përbashkëta, i cili ka rol të rëndësishëm në funksionimin e departamentit të financave, zyrës ligjore dhe burimeve njerëzore.

Bordi dhe menaxhmenti aktual gjithashtu kanë përgatitur plane të veprimit për zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së. Rikujtojmë që bordi dhe menaxhmenti aktual janë pajtuar me të gjitha gjetjet e ZKA-së të evidentuara me dy raporte, e të cilat tregojnë se RTK-ja është keqmenaxhuar në vitet paraprake.

Bordi i RTK-së, mirëpret rekomandimin e Kuvendit të Kosovës për Qeverinë, lidhur me definimin e pronësisë dhe statusin e pronës së RTK-së.

Rikujtojmë që RTK-ja vazhdon të funksionojë në objekte të cilat nuk i plotësojnë kushtet për punë. Punëtorët e RTK-së, sidomos ata të televizionit, aktivitetin ditor të punës po e kryejnë në kushte shumë të vështira. Prandaj, zgjidhja e çështjes së pronës është e domosdoshme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)