12 Gusht 2020

Bllokimi i llogarive rrezikon Telekomin, kërkohet të hetohet nga prokuroria

Prishtinë, 15 korrik - Telekomi i Kosovës me shqetësim te jashtëzakonshëm ka pranuar informatën se janë bllokuar llogaritë bankare të korporatës sipas aktvendimit PPP.nr.1486/19 të datës 06.07.2020, për të siguruar kështu përmbarimin e të borxhit ndaj Z-Mobile.

Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës posa është njoftuar me aktvendimin e gjykatës Themelore në Prishtinë, për refuzimin e prapësimit të përmbarimit, ka njoftuar aksionarin dhe të gjitha institucionet relevante duke ua bërë me dije pasojat e pariparueshme të bllokimit eventual të llogarive bankare.

Gjithashtu prej tyre kemi kërkuar me këmbëngulje bashkërenditjen e veprimeve për të parandaluar dhe menaxhuar pasojat e rënda që sjell ky vendim.

Me këtë rast e njoftojmë gjithë opinionin publik, institucionet e Republikës së Kosovës se bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës tashmë ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm, duke e rrezikuar kështu  ofrimin e shërbimeve të pandërprera të komunikimeve elektronike përfshire këtu edhe ofrimin e shërbimeve për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (shërbimet e numrave emergjent, policisë, zjarrfikësve, AKI, Qeverisë, Ministrive dhe Komunave, Ushtrisë së Kosovës, Entit Epidemiologjik, Spitaleve, IKSHP ) etj të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe të mbi 1 Milion konsumatorëve të cilët përdorin shërbimet e Telekomit të Kosovës.

Edhe në këto momente menaxhmenti i Telekomit të Kosovës është duke e hartuar planin e veprimit emergjent bazuar në këtë situate dhe rrethanë të re, në mënyrë që të mund të mbajmë operimin dhe funksionalitetin e ofrimit të shërbimeve ndaj institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Gjendja është alarmante dhe kjo kërkon mobilizimin urgjent të gjitha institucioneve përgjegjëse shtetërore për tejkalimin e këtij rreziku që mund të shkatërrojë tërësisht këtë aset vital të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim është e domosdoshme që menjëherë të zhbllokohen llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës dhe të suspendohet kjo masë.

E vetmja forcë e cila sipas Telekomit ende mundet dhe duhet të merret me ruajtjen e Telekomit të Kosovës si aset nacional ka mbetur Qeveria e vendit, e cila e ka për obligim ligjor e kushtetues që të kontestojë gjithë procesin e grabitjes së Telekomit të Kosovës dhe si përfundim të anuloj atë, duke ia kthyer publikut atë që i takon.
 
Rrjedhimisht fati i kompanisë dikur më të suksesshme në vend e në rajon, e cila aksionarit i dha dividendë qindra milionëshe, tani është në dorën e Prokurorisë së shtetit dhe të Qeverisë së Kosovës.

Drejtuesit e Telekemit i kan bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit të ndërmarrë hapat dhe veprimet emergjente për të ndaluar procesin e shkatërrimit të qëllimshëm të këtij aseti nacional, që prek edhe në themelet e sigurisë së vendit.

Vazhdimësia e ofrimit të shërbimeve për institucionet e shtetit dhe publikun, zinxhiri funksional ekonomik në relacion me bizneset kontraktuese dhe siguria e mirëqenies së punëtorëve është obligim kushtetues dhe duhet të mbrohet nga drejtësia e shtetit e jo të cenohet dhe lihet në mëshirën e oligarkëve.

Disa kallëzime penale të cilat Telekomi i Kosovës i ka iniciuar në prokurori, indikojnë prova të mjaftueshme se kontrata e vitit 2009 (dhe veprimet para nënshkrimit te saj) me Dardafon.net përmbajnë elemente të veprës penale, të cilat duhet të ndiqen sipas detyrës zyrtare.

Ekzekutimi i këtij përmbarimi duhet të prolongohet derisa të përfundojnë të gjitha proceset legale të iniciuara nga Telekomi i Kosovës e që ndërlidhen me raportin komercial të TK me Dardafon.net. Korporata është duke e rishqyrtuar mundësinë e ligjshmërisë së vendimeve duke e ngritur ne vëmendje të prokurorit çështjen në fjalë.
 
Telekomi i Kosovës ka kapacitete njerëzore, profesionale dhe ka vullnet të fuqishëm për të shërbyer konsumatorët e vet dhe për të krijuar sërish dividendë të fuqishme për aksionarin. Edhe sot, përkundrejt të gjitha destruksioneve në drejtim të saj, mbetet ofruesi më i besueshëm dhe më i preferuar i qytetarëve të Republikës së Kosovës, prandaj meriton të mbrohet, të konsolidohet dhe të fuqizohet.

Drejtuesit dhe punonjësit e Telekomit të Kosovës, edhe më tutje mbesin në besim se Qeveria e Republikës së Kosovës, Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e tjera shtetërore nuk do të lejojnë që të ndodhë falimentimi i kësaj kompanie.

"Bëjmë thirrje publike që në procesin e konsolidimit dhe ristrukturimit të kemi mbështetjen e plotë dhe ndihmën e pakursyer të aksionarit dhe institucioneve relevante të shtetit", bejne thirrje drejtuesit e Telekomit.

Kompania Dardafon.net u themelua në Nëntor 2008 dhe vetëm dy muaj më pas, më 16 janar 2009, nënshkruan me Telekomin e Kosovës (atëherë PTK) marrëveshjen e mbështetjes së operatorit të rrjetit mobil virtual.

Z-Mobile duke shfrytëzuar ndër vite rrjetin e PTK, duke marrë favore në ndarjen e të hyrave në raportin 73%:27%, duke shitur produktet e Telekomit të Kosovës nën çmim, ka konkurruar në mënyrë jo të rregullt jo vetëm PTK-në por edhe operatorët e tjerë.

Qoftë për shkak të kushteve të pafavorshme në kontratë, qoftë për shkak të kamatave enorme, borxheve të fryra e të paqena, të krijuara përmes një procesi krejtësisht të dyshimtë e të mjegullt, të cilin duhet hetuar me kujdes, Telekomi i Kosovës u soll në një situatë kur një kompani virtuale e cila operoi me paratë e Telekomit të Kosovës tani po pretendon ta falimentojë atë.

Nga raportet e hartuara të ekspertëve të brendshëm të kompanisë si dhe të atyre të jashtëm është bërë vlerësimi që humbjet reale të Telekomit të Kosovës, nga kjo kontratë dalin të jenë qindra milionëshe.
 
Pasojat e këtij përmbarimi të përshpejtuar, përveç se do të jenë të karakterit social dhe ekonomik, do të jenë edhe të karakterit politik, nacional dhe legal, pasi që e gjithë kjo rrezikon të shpërthejë si afera më e madhe korruptive në gjithë historinë e Republikës së Kosovës.

 Tashmë, pengimi i “gëlltitjes” së Telekomit të Kosovës, varet nga ndërhyrja e shtetit për të ndalur dhe anuluar përmbylljen e suksesshme të këtij procesi të dyshuar  publikisht si korruptiv.

Ky proces kishte filluar dhe ishte realizuar me vullnetin e individëve influencues politik dhe të bordeve politike të PTK/Telekomit të Kosovës që synonin zhvlerësimin e Telekomit të Kosovës dhe shitjen e tij me çdo kusht, apo përfitimin nëpërmjet të aksioneve të korporatës.



Kalendari

Ngjarjet e datës 12 Gusht 2020 - Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi pret një grup të të rinjve. (Objekti i MKRS-së, ora 9:30)   

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë miraton listën e dëshmitarëve dhe përzgjedh listën e ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Grupi “Vullnetarët/Volunteers #COVID-19” së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, Ministrën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe akterë të tjerë lanson Fushatën “Së bashku kundër #COVID-19”. (Sheshi “Skenderbeu” në Prishtinë, ora 10:00)   

 Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes diskuton lidhur me situatën e Sigurisë në Republikën e Kosovës si dhe shqyrton raportin për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri pret në takim përfaqësuesit e Oranizatave Jo Qeveritare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00 - vetem pamje)

- Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj raporton para  Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 11:00)
 
- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri pret në takim përfaqësuesit e Oranizatave Jo Qeveritare do të ketë konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:30)
 
- Mbahet ceremonia e zbulimit te punimit “I love Kosova” nga Ministrja Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari. (Sheshi “Adem Jashari”, Skenderaj, ora 11:50)
 
- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi zhvillon një vizitë në ndërmarrjen sociale “Pastiçeria Snap cake” në kuadër të projektit ‘Praktika në Punë” i mbështetur nga Departamenti i Rinisë MKRS. (Skenderaj, ora 12:00)   

 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën shqyrtohet propozimi i deputetit Haxhi Avdyli, mbështetur edhe nga 41 deputetë tjerë nënshkrues, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit,  mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet të hidrocentraleve në Republikën e Kosovës dhe Çeshtje tjera . (Në platformën ZOOM 5.0. ora 14:00)