23 Prill 2024

BERZH ndan 17 milionë euro për hekurudhen Fushë Kosovë - Mitrovicë

Prishtinë, 4 dhjetor - Ministri i Financave Bedri Hamza, shefja  e Zyrës së BE-së dhe përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, si dhe drejtoresha e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për sektorin e Transportit Sue Barrett, kanë nënshkruar sot Marrëveshjen Grant për fazën 2 për projektin për Rehabilitimin e linjës 10 Hekurudhore, segmenti Fushë Kosovë-Mitrovicë, në vlerën 17.6 milionë euro.

Me këtë rast, ministri Bedri Hamza bëri të ditur se financimi i ndërtimit të linjës kryesore hekurudhore, e cila na lidh në të dy drejtimet me Bashkimin Evropian, do të realizohet me mbështetje të Bashkimit Evropian, BERZH-it dhe Bankës Investive Evropiane.  Studimi i bërë me mbështetje të Kornizës Investive të Ballkanit Perëndimor ka përcaktuar koston e financimit të tërë linjës në vlerë prej 195. 5 milionë euro i cili do të realizohet në tri faza.

“Marrëveshja që po nënshkruajmë sot përshkon linjën nga Fushë Kosova deri në Mitrovicë me 35 kilometra, nga BE-ja janë ndarë mjete në vlerë prej 17.6 milionë euro për punët fizike. Për financimin e këtij segmenti kreditë e ratifikuara në Parlament nga EIB dhe EBRD do të financojnë punimet në vlerë prej 9.2 milionë dhe 8.6 milionë respektivisht”, theksoi Ministri Hamza.

Ai gjithashtu bëri të ditur se Ministria e Financave bashkë me Ministrinë e Integrimit Evropian dhe Ministritë e linjës përmes Këshillit Kombëtar të Investimeve kanë aplikuar për financimin e Fazës së tretë, e cila përshkon segmentin prej 42 kilometrave deri në kufi me Serbinë në vlerë mbi 24 milionë euro vetëm për punët fizike. Një komponentë e shtuar për projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10 është edhe sinjalizimi më I avancuar për të cilin jemi duke shikuar mundësinë e financimit.

“Për realizimin e këtij projekti janë përfshirë shumë institucione, me ç’rast duhet të falënderoj të gjitha institucionet për punën që keni bërë. Shfrytëzoj rastin që edhe njëherë të falënderoj taksapaguesit evropian për mbështetjen në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit tonë shtoi Ministri Hamza.

Shefja e Zyrës së BE-së dhe përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, bëri të ditur se BE-ja do të vazhdoj të ndihmojë Kosovën në financimin e projekteve të ndryshme që e ndihmojnë zhvillimin ekonomik.

Sipas znj. Apostolova me këtë Marrëveshje do të rehabilitohen rreth 100 kilometra hekurudhë dhe ngritja e 5 stacioneve në seksionin në kufi në Maqedoni dhe Fushë Kosovë - Mitrovicë.

“Ky projekt do përmirësoj sigurinë dhe efikasitetin hekurudhor për gjysmën e popullatës të Kosovës dhe do krijoj 160 vende të punës gjatë ndërtimit dhe veprimtarisë së përmbajtjes, do ndihmoj në mirëmbajtjen e rrjetit të hekurudhës për të siguruar transport të sigurt dhe pas përfundimit bartja e udhëtarëve do të rritet më tepër, do të reduktohen kostot e udhëtimit dhe do zvogëlohet lirimi i karbonit dhe gjithashtu do të sigurohemi për ajrin e pastër” shtoi znj. Apostolova.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se “Nënshkrimi i marrëveshjes për pjesën e parë ka qenë e arritur e rëndësishme për rehabilitimin e rrjetit të hekurudhave që lidh pjesën e lindjes me pjesën tjetër evropiane”.

“Sot kemi arritur në një nivel tjetër me nënshkrimin e Marrëveshjes Grant për  rehabilitimin të këtij seksioni që do filloj në muajt në vijim. BE-ja ka siguruar 17.6 milionë Euro grant dhe ky investim bashkë me tjera investime arrin shumën mbi 42 milionë Euro, që përfshinë edhe huatë e marra nga BERZh-i.  Me këtë rast dua të falënderoj BERZh-in për bashkëpunim në investime në Ballkanin Perëndimor. Është në interes të qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës, që ky konektim me hekurudha të përfundojë sa më shpejtë” shtoi znj. Apostolova.

Ndërsa, drejtoresha e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për sektorin e Transportit Sue Barrett, theksoi se nënshkrimi i kësaj Marrëveshje Granti mbështet modernizimin e infrastrukturës hekurudhore të Kosovës.

“Ky është Granti i dytë i dhënë nga Bashkimi Evropian/ Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor për projektin e transportit i financuar nga BERZH-i në Kosovë, pas një nënshkrimi në muajin shkurt të këtij viti të një granti investues prej 38.5 milionë Euro për fazën e parë të këtij projekti hekurudhor. Grante të tjera janë parashikuar për projekte të tjera në Kosovë po ashtu”, shtoi znj. Barrett.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se “Marrëveshja e nënshkruar sot ofron një Grant prej 17.6 milionë Euro për të plotësuar kreditë e BERZH-it dhe Bankës Evropiane të Investimeve prej rreth 80 milionë Euro për rehabilitimin e rrugës hekurudhore 10 që lidh Kosovën me Maqedoninë në Jug dhe me Serbinë në Veri. Granti do të bashkë-financojë rehabilitimin e seksionit hekurudhor ndërmjet Fushë-Kosovës dhe Mitrovicës. Grante tjera në total prej 7 milionë Euro janë dhënë nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Fondi Special i Aksionarëve të BERZH-it për të mbështetur përgatitjen dhe zbatimin e projektit sikurse edhe masat e reformës sektoriale”.   

“Unë jam e lumtur, që si rezultat i këtij projekti, ne e kemi thelluar bashkëpunimin tonë në Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian, Banka Evropiane e Investimeve dhe donatorët bilateralë të cilët janë duke e bashkëfinancuar projektin. Banka, në koordinim të ngushtë me partnerët e saj financues, është fuqimisht e përkushtuar që të investojë në infrastrukturën e transportit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, për të promovuar lidhjen rajonale dhe evropiane, që është e rëndësishme për vende pune dhe zhvillim të qëndrueshëm të rajonit”, shtoi znj. Barrett.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)