12 Nëntor 2019

Autostrada e Dukagjinit, autostradë që lidhë vendbanime në Evropë

Deçan, 24 maj - “Autostrada e Dukagjinit është autostradë jo vetëm e shqiptarëve kudo në Ballkan, por është autostradë e Evropës, sepse ajo lidhë vendbanime në Evropë”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e fillimit të ndërtim-zgjerimit të rrugës regjionale R 107 qendrore në Deçan.

Me këtë rast kryeministri Ramush Haradinaj tha se kjo zonë ka qenë një tokë e djegur, e shkatërruar dhe minuar, por edhe zonë e lavdisë, me njerëz të aftë të kësaj treve nëpër breza.

“Infrastruktura e lehtëson jetën, rrugët e urat lidhin njerëzit, e bëjnë jetën më të shpejtë, më të saktë, janë nevojë ekonomike, mirëqenie”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ajo që na bën të ecin përpara, është fakti i kthimit në hartën ekonomike, që do të thotë se infrastruktura na bën më atraktiv për sipërmarrësit, për investitorët, për vende të punës.

Kryeministri Haradinaj, më tutje, në fjalën e tij në këtë ceremoni, tha se infrastruktura nxjerrë në pah vlerat tona, edhe ato njerëzore e kombëtare, vlerat e lirisë, memorialet dhe gjithë ato vende të shenjta që nderohen, por gjithashtu nxjerrë në dritë edhe resurset tona, mundësitë ekonomike.

Duke theksuar rëndësinë e kësaj autostrade, kryeministri Haradinaj, tha se ata që e kritikojnë këtë autostradë, janë edhe shkurtpamës, edhe hileqarë, duke shprehur gjithashtu se i gëzohet autostradës që e lidhë me Gjilan, me Dheun e Bardhë dhe këtë projekt edhe e ka shtyrë përpara.

“Janë qindra mijëra banorë e ekonomi dhe miliona që i kontribuojnë buxhetit të vendit tonë, pa u thirr në tragjeditë e vuajtjet e të kaluarës e kontributin tonë për liri”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se me këto projekte, dëshirojnë të lidhen me ekonominë e Kosovës, rajonit dhe globit, të arrijnë më shpejt në Durrës, në Selanik dhe ata që investojnë në vendin tonë, të arrijnë më shpejt me mallin që e prodhojnë këtu, ta dërgojnë në tregje.

“Nuk vijnë investimet askund kur nuk ka infrastrukturë, nuk vjen askush me hy labirintheve dhe ju siguroj se pa infrastrukturë nuk vijnë investitorët”, shtoi kryeministri Haradinaj, duke përmendur faktin se përpos infrastrukturës, duhet të ketë investim në kanalizim, ujëra të zeza dhe rrymë.

Kryeministri Haradinaj tha Dukagjini është banka e ujit, jo vetëm e Kosovës, por më shumë dhe se i gjithë brezi, prej Grykës së Rugovës e deri në Lepenc, janë mundësi ideale për ujëmbledhës, janë investime shumë të vogla e rëndësia është e jashtëzakonshme.

“I besoj vendit tim, e di që s’jemi njerëz perfekt, e di që gabojmë, e di që duhet ballafaquar me defektet tona, por nuk pranoj të na cilësojë askush mbi këtë dhe si të pa zot dhe si ata që s’mund t’i nxëmë ata që kanë arritur rezultate”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova do t’i bashkohet Evropës, botës euroatlantike, si ata që kanë diçka, një vlerë në partneritet.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se kjo ditë është shumë e veçantë për Deçanin pasi po i dhurohet një projekt që ka një simbolikë të veçantë, sepse jo vetëm për qytetarët e Deçanit por ky projekt po i dhurohet këtij regjioni.
 
Ndërkaq, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se ky projekt është shumë domethënës për qytetin e Deçanit, projekt ky që ka filluar të hartohet para 15 viteve por që tash i ka ardhur koha e zbatimit falë ndihmës së Qeverisë Haradinaj dhe ministrit Pal Lekaj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 nëntor 2019 - Mbahet takimi vjetor i ministrave të Bujqësisë së vendeve të Evropës Juglindore me c'rast  Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Republikës së Kosovës, do të marrë edhe presidencën për udhëheqjen e Grupit Drejtues të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal në Evropën Juglindore për një vit. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në bashkëpunim me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Salzburg, organizon Konferencën Ndërkombëtare “Bashkëpunimi Universitet – Industri në Inovacion”. (Lokalet e Universitetit  të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. ora 9:00)

- Mahet takimi i 174-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Ojekti i Prokurorisë së Shtetit, ora 10:00)

- Zyra Kombëtare e Auditimit bën prezantimin e raportit të auditimit të performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës”. (Salla e konferencave “Orion”, ora 10:00)

- Oda e Afarizmit të Kosovës organizon konferencë për media lidhur me pProblemet e bizneseve me bankat komerciale. (Zyret e OAK-së, ora 11:00)

- Lansohet projekti 'Subvencionet për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë' të mbështetur nga MCC dhe MFK i cili synon të ofrojë stimuj financiarë dhe teknik për sektorin residencial që mundësojnë investime në masat e efiçencës së energjisë, si dhe të mbështesë gratë ndërmarrëse në energji dhe sektorë të tjerë. (Hoteli Swiss Diamond, ora 11:00)

- Administratori i Agjencisë së ShBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar Mark Green i cili po  qëndron në Kosovë do të marrë pjesë në lançimin e pilot projektit Nxitjet e Efiçencës Energjetike i cili implementohet nga Fondacioni Milenium Kosova dhe financohet nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit në bazë të Marrëveshjes “Threshold” të MCC-së në Kosovë. (Hoteli Swiss Diamond, ora 11:00)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim publikon raportin “Borgjezia” e Akademisë, ku do të paraqitet hulumtimi mbi të ardhurat e stafit akademik menaxherial në universitetet publike të Kosovës. (Para objektit të Qeverisë së Kosovës, në sheshin Skënderbeu, ora 11:00)

- Administratori i Agjencisë së ShBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar Mark Green do të kalojë kohë edhe me të rinjtë me rastin e lançimit të platformës së internetit “Të Rinjtë Prijnë” për t’u krijuar mundësi bartësve të rinj të ndryshimeve të lidhen me rrjete të të rinjve me interesime të ngjashme, mentorë, resurse dhe ngjarje të ndryshme. (Qendra e Rinisë, salla atele, përballë Sallës së Kuqe, ora 15:00) 

- Zhvillohet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- OSBE organizon shfaqjen premierë të dokumentarit “Above the Fold” i cili ofron një tregim narrativ të vështirësive me të cilat përballen gazetarët në sjelljen e informacionit në publik. (Kino ABC, ora 19:00)