03 Dhjetor 2020

Arrihet marrëveshja për rrugët e Zonës se Veçantë të Manastirit të Deçanit

Prishtinë, 12 nëntor - Me ndërmjetësimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe me mbështetjen e Ambasadorit të Italisë, Nicola Orlando e të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Michele Risi,  u arrit marrëveshja për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve të cilat kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Kjo marrëveshje është rezultat i diskutimeve disa mujore, por konstruktive dhe frytdhënëse, midis Komunës së Deçanit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse në Manastirin e Deçanit.

Mekanizimi i përhershëm i implementimit dhe mbikëqyrjes (Këshilli i Implementimit dhe Mbikëqyrjes) mbështetur në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura (nr. 03/L-039) ka miratuar termet e kësaj Marrëveshjeje dhe kështu i është dhënë drita e gjelbër veprimeve të dakorduara për implementim.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka qenë i përkushtuar qysh në fillim që të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes sa më të mirë dhe të pranueshme, e cila ndihmon lëvizjen e lirë të qytetarëve, si liri e garantuar, por edhe të respektojë dhe të mbrojë trashëgiminë religjioze dhe kulturore të asaj zone.

Me arritjen e kësaj marrëveshjeje, dëshmohet se Republika e Kosovës  është vend i të barabartëve, liritë dhe të drejtat e të cilëve respektohen dhe mbrohen njësoj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Dhjetor 2020

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Handikos mban konferencën lansuese të Raportit vlerësues mbi qasshmërinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në ndërtesat shkollore të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët në Kosovë. (Qendra e Resurseve të Handikos në Veternik, ora 9:30)

- Gjykata Themelore në Ferizaj mban seancën kundër të pandehurit Ibrahim Mustafa Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë te veçantë në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian shqyrton Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike – COVID-19, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

-  Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19, me raport amendamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303 Koha: 10:00  

- Për nder të Ditës Ndërkombëtarë për Personat me Nevoja të Veçanta, ushtruesja e detyres Presidentja, dr.Vjosa Osmani bashkërisht me ambasadorin Britanik, Nicholas Abbott dhe ministrin e Arsimit, Ramë Likaj  nënshkruajnë panon e zotimit për gjithëpërfshirje. Oborri i Kuvendit të Republikës së Kosovës (hyrja nga sheshi, ora 11:30)

- OJQ EC Ma Ndryshe organizon aktivitetet ndërgjegjësuese që ka qëllim të përcjell porosinë vetëdijësuese për eliminimin e pengesave që janë krijuar për shkak të mungesës së gjithëpërfshirjes. (Parku i Qytet në Prizren, ora 11:00 - Keji përballë xhamisë së “Sinan Pashës”, ora 12:00 - Marash, ora 13:00)