29 Mars 2024

AKR: privatizimi i PTK-së është hap i gabuar

Prishtinë, 6 gusht - Partia opozitare Aleanca Kosova e Re, (AKR) ka shfaqur shqetësimin për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, (PTK).

Udhëheqësja e Departamentit për Energji dhe Miniera në AKR, Myzejene Selmani ka thënë në një konferencë për media, se privatizimi i PTK-së është hap i gabuar për shkak, se sipas saj, nuk janë bërë analiza të mirëfillta për vlerën e kësaj kompanie. Selmani hodhi edhe akuza në drejtim të Qeverisë që sipas saj është duke shkelur mbi ligje.


“AKR ndan shqetësimin e saj lidhur me ftesën e shitjes së aseteve të PTK-së e cila bie ndesh edhe me vendimet e fundit të seancës plenare të datës 27 korrik 2010 të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Selmani.

Sipas Selmanit kjo Qeveri po dëshmon edhe një herë që është e gatshme të shkel mbi vendimet e Kuvendit të Kosovës dhe strategjinë e cila ka kaluar vetëm me leximin e parë në seancë.

“Kuvendi miratoi në parim propozim-strategjinë e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e PTK-së me ç’rast ngarkohen Komisionet që vërejtjet dhe propozimet e këtij debati nga ana e deputetëve të inkorporohen në këtë dokument dhe në muajin shtator të votohet në Kuvend. Kjo jep mundësinë më të mirë për të kuptuar këtë Qeveri sa transparente dhe demokratike është në privatizimin e kompanisë më profitabile në kundërshtim me vendimet e veta të cilat i sjell në Kuvendin e Kosovës kur dihet se Kosova është juridikisht shtet parlamentar”, tha Selmani.

Ajo tha se arsyet që AKR-ja kundërshton privatizimin e PTK-së janë edhe disa elemente që nuk janë marrë para sysh.

“AKR-ja vlerëson se nuk është momenti i duhur kohor. Mungesa e vlerësimit të aseteve veç e veç. Procesi i privatizimit pa ligj të veçantë për privatizimin e PTK-së dhe nuk është bërë një analizë paraprake me privatizimin a është ma i madh fitimi apo humbja nga ky proces”, tha Selmani.

Ajo mandej shtoi se AKR-ja nuk është kundër privatizimit të PTK-së, por kërkon një analizë më të gjer të këtij procesi dhe më transparent me organizmin e një debati të gjer me ekspertë të kësaj çështje.

Elhami Ismajli

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)