04 Dhjetor 2022

Aeroporti i Prishtinës pa kushte për udhëtarët me aftësi të kufizuara

Prishtinë, 14 maj - Handikos ka deklaruar se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘’Adem Jashari’’, i cili konsiderohet si më i madhi në rajon e më gjerë, duke mundësuar fluturime për  një numër të lartë të udhëtarëve, nuk plotëson edhe kushtet e standardet për personat me aftësi të kufizuara.  

"Problem kyç, tash e sa kohë mbetet mungesa e karrocave të cilat shërbejnë për bartjen e udhëtarëve me aftësi të kufizuara brenda aeroplanit, por edhe mungesën e atyre nëpër ambientet e aeroportit", thekson Handikos.

Këto karroca do mundësonin një komoditet dhe qasje të lehtë edhe për personat me aftësi të kufizuara, sikurse për gjithë të tjerët.  

Kushtet e tilla i plotësojnë të gjitha aeroportet tjera në çdo vend, përfshirë edhe ato në rajon.

"Sipas informacioneve tona, shumë prej qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë, në veçanti ata që janë përdorues të karrocës, hasin në sfida për ardhjen e tyre përmes aeroportit për këtë shkak, apo edhe nuk mund të vijnë fare", thuhet me tej në reagimin e Handikos.

Handikos, me qëllim të lehtësimit dhe ofrimit të shërbimeve sa më efikase në Aeroportin e Prishtinës për udhëtarët me aftësi të kufizuara, para disa vitesh, u pati siguruar një numër të konsiderueshëm të karrocave, ndonëse nuk është obligim i organizatës. Përkundër përkrahjes tonë në këtë aspekt, dëshpërues është fakti që ato tani thuajse janë të papërdorshme dhe jo funksionale.

"Lidhur me këtë, disa herë kemi adresuar kërkesa apo sqarime, në veçanti mungesën e tyre brenda aeroplanit, por nuk janë marrë fare në konsideratë", pohon Handikos.

Handikos fton Ministrinë e Infrastrukturës, stafin kompetent të Aeroportit të Prishtinës, që sa më parë të krijojnë qasje dhe mundësi të barabarta për gjithë udhëtarët, të sigurojnë karrocat ashtu siç edhe kanë marrë obligim duke u bazuar në kalendarin e aktiviteteve, i cili ndërlidhet me shpalljen e vitit 2022 - Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë.   

Në fotografi është një model se si duket një karrocë standarde e cila shërben për bartjen e personave me aftësi të kufizuara brenda aeroplanit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)