19 Mars 2024

Transformimi digjital, shtysë kyçe për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Prishtinë, 7 tetor - Pandemia COVID-19 përveç sfidave dhe çrregullimeve mbi të gjitha sferat jetësore, ka krijuar një nevojë të paprecedentë për transformim digjital të veprimtarive ekonomike, në mënyrë që bizneset të përshtaten me realitetin e ri.  

Kjo u tha mes të tjerash gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me një panel ekspertësh të kësaj fushe, të cilët njëzërit theksuan se transformimi digjital i kushtëzuar nga përhapja e pandemisë ka hapur rrugë për krijimin e ndërmarrjeve të reja, si dhe reformimin e strategjive të atyre ekzistuese.

Blin Zeqiri, kryeshef ekzekutiv në kompaninë Art House, i cili ishte edhe moderator i këtij forumi, theksoi se procesi i transformimit digjital jo vetëm tek bizneset por edhe tek shërbimet publike është krucial për zhvillimin e vendit, derisa tha se megjithatë ky transformim do të marrë kohë për të ndodhur.

Ai gjithashtu foli mbi nevojën që bizneset që operojnë në fushën e teknologjisë në Kosovë të zhvillohen sa më shumë, në mënyrë që të mund të ofrojnë shërbime sa më kualitative dhe të tërheqin klientë ndërkombëtarë, të cilëve tanimë veçse kanë filluar të u shërbejnë.    

Jeta Zagragja, drejtoreshë e operimeve të biznesit në kompaninë amerikane UCXmarket, theksoi se nevoja e krijuar për transformim digjital pas shpërthimit të pandemisë ka qenë shtysë kyçe e avancimit teknologjik të cilin po e përjetojmë tani në Kosovë në të gjithë sektorët, e sidomos në atë të shitjeve përmes internetit.

Ajo shtoi se Republika e Kosovës është vend ideal për investime të huaja, kryesisht për shkak të atraktivitetit në aspektin legjior dhe tatimor, të cilët krijojnë lehtësira për zhvillimin e ndërmarrjeve të reja veçanërisht në sektorin e teknologjisë, derisa shtoi se imazhi i vendit, megjithëse i dëmtuar nga jostabiliteti politik, është në zhvillim e sipër.

Sipas saj, për të siguruar zhvillim të mirëfilltë, duhet të promovohet kapaciteti i rinisë së Kosovës si dhe afrimiteti kulturor ndaj shteteve të zhvilluara.

Duke marrë shembull eksperiencën që ajo ka pasur brenda UCXmarket gjatë periudhës me COVID-19, Zagragja theksoi se transferimi i punëve nga shtëpia si një ndër reformat fundamentale të implementuara që nga shpërthimi i pandemisë po ashtu ka qenë një motivues i madh i zhvillimit digjital, ndërsa kjo strategji do të jetë prezente dhe pas pandemisë.

Për fund, ajo u bëri thirrje kompanive të ndikuara nga kjo situatë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për rimëkëmbjen e tyre përmes transformimit digjital, si dhe shfrytëzimit të duhur të resurseve të ofruara për to nga shteti i Kosovës.  

Bleron Limani, kryeshef teknik në kompaninë amerikane VAIU Kosova, tha se pandemia COVID-19 ka sjellë një kërkesë të shtuar për kryerjen e pagesave online, gjë që është edhe një nga shërbimet në fokus të kësaj kompanie.

Duke u ndërlidhur me atraktivitetin e Kosovës për investitorët, Limani theksoi se sektori privat luan rol të madh në ndryshimin dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës para investitorëve amerikanë apo të tjerë të huaj.

Ai shtoi se duhet ngritur vetëdija mbi mundësitë e bashkëpunimit përmes rrjetëzimit mes bizneseve që ofrojnë akterët si oda amerikane, por edhe përmes platformave digjitale që i shërbejnë të njëjtit qëllim, e që krijojnë kushte për ndërtimin e kredibilitetit të ndërmarrësve kosovar në tregun global, si dhe lehtësira për bashkëpunim brenda dhe jashtë kufitar.

Tutje, Limani foli edhe për nevojën e digjitalizimit të shërbimeve komunale si dhe përditësimin e sistemit arsimor në mënyrë që rinia, dhe qytetarët në përgjithësi, të jenë më të përgatitur për tregun e punës tashmë të reformuar nga pandemia COVID-19.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)