18 Tetor 2019

Shoqata e Bankave të Kosovës informon bizneset rreth sigurisë kibernetike

Prishtinë, 22 tetor - Në kuadër të muajit botërorë për sigurinë kibernetike, Shoqata e Bankave të Kosovës njofton bizneset dhe qytetarët për disa nga rekomandimet për ngritjen e sigurisë kibernetike.

Sipas Shoqatës se Bankave është evidente se me zhvillimin e teknologjisë informative dhe shërbimeve digjitale, edhe mbrojtja nga sulmet kibernetike bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.

Sulmet kibernetike janë fenomen global të cilat nuk kursejnë as Kosovën dhe në veçanti cenojnë bizneset dhe institucionet e ndryshme.

"Mashtrimet përmes sistemeve kompjuterike mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme prandaj Shoqata e Bankave të Kosovës paraqet disa rekomandime për bizneset në mënyrë që të mbrohen më mirë nga sulmet kibernetike", thekson Shoqata e Bankave.

Për të rritur sigurinë kibernetike Shoqata rekomandon që bizneset dhe organizatat e ndryshme të marrin masat si në vijim:

Të sigurojnë sistemet kompjuterike me antivirus - rekomandohet që sistemin operativ ta mbani rregullisht të azhurnuar me përditësimet e fundit, po ashtu patjetër të keni të instaluar AntiVirus dhe atë ta mbani rregullisht të azhurnuar. Gjithashtu, edhe aplikacionet tjera siç janë shfletuesit (Explorer, Firefox, Chrome) t’i mbani të përditësuar;

Të mos hapen e-maila të dyshimtë apo që nuk iu dihet dërguesi- edhe nëse vërtetë keni pranuar një e-mail nga ndonjë burim i besueshëm dhe atë e-mail nuk keni qenë duke e pritur, rekomandohet që paraprakisht ta kontaktoni dërguesin dhe ta pyesni nëse vërtetë është ai dërguesi i e-mailit, dhe kjo ngase ndodh që e-maili i dërguesit është komprometuar dhe mashtruesit/hakerët përdorin atë e-mail për mashtrimin e të tjerëve;

Mos klikoni linkun që vjen në e-mail; shkruani web adresën e institucionit që dëshironi t’a vizitoni në internet në adresën e ‘browser’-it tuaj;

Mos e hapni dokumentin e bashkëngjitur në e-mail që dërgohet nga dërguesit e panjohur ose që përmban ndonjë dosje të cilën ju nuk e prisni;

Të jeni të dyshimtë për personin i cili ka kërkuar nga ju informata të ndjeshme. Mos dërgoni informatat tuaja personale, në veçanti emrin e përdoruesit, fjalëkalimin dhe informatat e kredit kartelës përmes e-mailit, mesazheve të mediave sociale (‘Facebook’ etj.).  Bizneset e ligjshme, sidomos bankat nuk do t'i kërkojnë përdoruesve të dërgojnë informatat e tyre personale të ndjeshme përmes këtyre mjeteve.

Mos kryeni transaksione bankare në kompjuterë të cilëve ju nuk u besoni. Mos përdorni Wi-Fi (lidhje publike të internetit) kur kryeni  ndonjë çështje financiare. Përdorni rrjeta të sigurta Wi-Fi ose 3G për çdo transaksion të sigurtë si e-banking dhe transaksione ‘online’ me kartela;

Mos shkarkoni aplikacione nga ndonjë media përveç tregjeve të aplikacioneve që ofron pajisja juaj e telefonit mobil;

Në ditët e sotme, është shumë e rëndësishme  që detajet e Bankës së përfituesit të pranohen në mënyrën më të sigurtë për të ekzekutuar pagesat  me qëllim të shmangies së rrezikut të pagesave të falsifikuara. Në këtë kontekst, bizneset duhet të kontrollojnë dhe verifikojnë llogaritë e pagueshme të furnitorëve dhe po ashtu duhet të marrin faturën origjinale para ekzekutimit të pagesave. Këto janë përgjegjësitë kryesore të biznesit.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, për të arritur tek ju, sigurohuni që informatat tuaja të telefonit dhe e-mailit të ruajtura në sistemin bankar janë gjithmonë të përditësuara;

"Si përfundim, ju inkurajojmë që nëse eventualisht hasni në diçka të tillë apo jeni në dijeni se është duke u tentuar të kryhet vepra, të raportoni rastin në Policinë e Kosovës ku do të drejtoheni te Njësia për Luftimin e Krimeve Kibernetike", thekson në fund Shoqata e Bankave.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 tetor 2019

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion të nivelit të lartë nga MCC, kryesuar nga znj. Caroline T. Nguyen, Drejtoreshë Menaxhuese e MCC për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine, me këtë rast, do të nënshkruaj amandamentimin e Marrëveshjes CDF. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

- Me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz dhe njëkohësisht hapjes së fushatës Kundër Trafikimit me Njerëz, Ministria e Punëve të Brendshme organizon konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e dhjetë te rregullt e Komiteti për Politik dhe Financa. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur organiozn aktivitetin e shënimit të themelimit të qendrës për karrierë në SHMLT ,,11 Marsi” në Prizren. (Objekti i SHMLT ,,11 Marsi” në Prizren, ora 10:30)

- Komisioni i Pavarur i Mediave do të mbajë konferencë për media në lidhje me prezantimin e  “Raportit të monitorimit të  Ofrueseve të Shërbimeve Mediale Audio-vizuele  gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme 2019”.  (Zyra e KPM-së, qyteza Pejton, ora 12:00)

- Galeria Qahili organizon hapjen e ekspozitës "20" të Mentor Avdilit. (Galeria Qahili, ora 20:20)