03 Qershor 2020

Policia kërkon kujdes me te dhënat personale dhe bankare në internet

Prishtinë, 31 mars - Gjatë kësaj krize të paparë, Qeveria dhe institucionet tjera relevante në të gjithë Republikën e Kosovës po intensifikojnë përpjekjet e tyre për të luftuar përhapjen e koronavirusit COVID-19 duke miratuar masa të ndryshme për të mbështetur sistemet e shëndetit publik, për të mbrojtur ekonominë dhe për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e vendit.

Fatkeqësisht sipas Policisë së Kosovës kjo situatë e krijuar po shfrytëzohet nga persona keqbërës, të cilët keqpërdorin mundësitë teknologjike dhe internetin, me qëllim përfitimi material, por edhe qëlllime tjera të paligjshme.

Në rang botëror vërehet dukshëm se janë rritur kërkesat për mallra, pajisje mbrojtëse dhe produkte farmaceutike.

Pastaj ka rritje të ndjeshme të përdorimit të internetit për komunikim, arsimim, kryerja e punëve online etj. Situatë e ngjashme është edhe në Republikën e Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se nga këndvështrimi i INTERPOL-it dhe EUROPOL-it vërehet se situata me COVID-19 ka ndikuar që krimet kibernetike të shpërfaqen edhe më shumë dhe kanë për cak individët dhe institucionet e ndryshme.

"Janë evidentuar mashtrime përmes thirrjeve telefonike dhe e-mail-ave duke përdorur emra të individëve dhe institucioneve reale, apo duke u thirrur në institucione shëndetsore të ndryshme".

"Mashtrimi kompjuterik ka të bëjë me kërkesat për pagesa gjoja për shërimin e pacientëve me COVID-19, pastaj marrja e të dhënave personale përmes e-mail-ave të cilët kanë të bashkëngjitur virus kompjuterik të mbuluar me ndonjë dokument dhe link."

"Edhe në vendin tonë, në kuadër të parandalimit dhe luftimit të krimit kibernetik, Policia e Kosovës ka hasur në disa kërcënime ndaj të cilave qytetarët tanë janë të ekspozuar, sidomos këto ditë kur shumica e aktiviteteve ditore janë orientuar nga interneti."

"Vlen të theksohet se nga fillimi i shfaqjes së pandemisë COVID-19 është vërejtur një rritje e profileve të rrejshme në rrjete sociale, përmes të cilave keqbërësit kibernetikë kanë tentuar të përfitojnë duke dezinformuar me lajme të rrejshme", thekson Policia e Kosovës.

Gjithashtu sipas policisë vërehet një rritje e lehtë në rastet që kanë të bëjnë me veprat penale ‘Hyrje në sistemet kompjuterike’ dhe ‘vjedhje e identitetit’, ku kryesisht keqbërësit kanë tentuar në mënyra të ndryshme të përfitojnë.

Në vijim paraqesim disa prej këtyre kërcënimeve si dhe rekomandime se si mund t’i identifikoni dhe të mbroheni nga to:

Viruset kompjuterike - Ransomware

Një ndër mënyrat më të shpeshta të infektimit me virus kompjuterik është ajo përmes dërgimit të e-mailave të cilët në vete përmbajnë ndonjë dokument në formate të ndryshme (si Word, Excel, PDF, foto etj.) ose ndonjë link (URL) të ndryshëm, që mund të pranohet si formë e lajmeve apo kërkesave të ndryshme, në emër të institucioneve publike apo private si p.sh: njoftim nga banka për përditësim të të dhënave, oferta të ndryshme biznesore etj.

Nëse i hapni dokumentet e dyshimta apo klikohen linqet e dyshimta, të dhënat kompjuterike do të bëhen të paqasshme (enkriptohen). Pastaj, keqbërësit do të kërkojnë që të paguani një shumë të parave që t’iu lirohen të dhënat. Por, edhe në rast se paguani nuk ka ndonjë garancion se të dhënat do të lirohen.

Mashtrimet e bizneseve përmes internetit

Keqbërësit kibernetikë fillimisht arrijnë të kenë qasje në kompjuterin e biznesit (pronarit apo ndonjë kompjuteri që posedon të dhëna për transaksionet financiare), monitorojnë dhe njihen me aktivitetet, pastaj në momentin kur fillon të realizohet transaksioni i të hollave ata ndërhyjnë duke ndryshuar të dhënat e xhirollogarisë bankare.

Në këtë mënyrë paratë përfundojnë në një bankë tjetër dhe nga aty bëhet tërheqja e tyre nga keqbërësit.

Mashtrimet në ueb-faqe dhe rrjete sociale

Keqbërësit kibernetikë janë duke e shfrytëzuar këtë situatë pandemie për të krijuar dhe për të shpërndarë lajme të ndryshme që nuk vijnë nga persona dhe institucione të besueshme, me qëllim të dezinformimit dhe krijimit të frikës tek popullata.

Gjithashtu, keqbërësit duke shfrytëzuar këtë situatë, shpërndajnë lajme me të cilat reklamohen barna të ndryshme për përdorim gjoja për shërimin e COVID-19.

Pastaj, krijimi i faqeve të rrejshme, sidomos të atyre për blerje online dhe atyre bankare (e-banking).

Përdoruesit e internetit duke menduar se janë kyçur në një ueb-faqe të vërtetë për të blerë online, ofrojnë të dhënat personale bankare si dhe të dhëna tjera, ku keqbërësit pas sigurimit të këtyre të dhënave bankare dhe personale i shesin në tregjet e zeza si dhe i shfrytëzojnë që të bëjnë pagesa apo blerje të ndryshme.

Vërehet se në këtë kohë kur njerëzit kanë nevojë për solidaritet dhe ndihmë, keqbërësit kbernetikë mundohen të përfitojnë duke mashtruar përmes platformave të ndryshme të donacionit.

Me qëllim që të minimizojmë kërcënimet e lartcekura dhe qytetarët të mos bien viktimë e tyre, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të internetit.

Në vijim janë disa rekomandime të cilat ndihmojnë në mbrojtjen prej kërcënimeve nga interneti:

- Verifikoni me kujdes e-mail-at që pranoni dhe mos iu përgjigjni e-mail-ave të dyshimtë!

- Mos klikoni në linqe të dyshimta dhe mos hapni dokumente të dyshimta!

- Bizneset të shtojnë kujdesin gjatë komunikimit dhe transaksioneve financiare përmes internetit.

Verifikoni xhirollogaritë bankare dhe të dhënat tjera të partnerit biznesor dhe binduni se transaksioni financiar është duke u bërë në adresën e duhur.

- Kujdes të shtuar gjatë blerjeve online. Verifikoni ueb-faqet që ofrojnë produkte online (a kanë të dhëna kontaktuese - persona kontaktues, e-mail adresë, telefon, adresë fizike, a ka përdorues, vlerësimet dhe komentet e blerësve etj.).

- Verifikoni lajmet që lexoni! Janë duke qarkulluar në internet lajme të paqëndrueshme dhe qëllimkëqija, ju duhet t’iu shmangeni këtyre lajmeve dhe mos i shpërndani ato nëse nuk vijnë nga burime zyrtare.

- Lidhur me lajmet për trajtim dhe shërim të COVID-19 por edhe të sëmundjeve tjera, rekomandojmë që çdo informatë lidhur me trajtimin dhe përdorimin e barnave t’i merrni nga institucionet shëndetësore të vendit.

- Kujdes të shtuar gjatë dhënies së donacioneve online, verifikoni disa herë nëse iniciativa është ligjore dhe legjitime dhe se kush qëndron prapa tyre.

- Shmangni lojërat shpërblyese në internet apo “ndihmën duke klikuar” ndaj ndonjë miku për të fituar ndonjë shpërblim në lojëra në internet.

"Kujdes maksimal kur jepni të dhëna personale dhe bankare në internet!", thekson në fund Policia e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Qershor 2020

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ku raporton Drejtorit te AKI-së Kreshnik Gashi lidhur me gjendjen e sigurisë gjate periudhës se pandemisë dhe situatën aktuale. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00) 

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e qeverisë, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë për votimin  për votimin e Qeverisë. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të vendos vazo dekorative gjelberuese në sheshin Bill Klinton. (Shshi Bill Klinton, ora 11:00)
  
- Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruan kontratën për Bursën Olimpike Tokyo 2020 me mundësin, Egzon Shala. (Zyret e KOK-ut në Shtëpinë e Sportit, 13:00)