30 Nëntor 2022

Përfundon Samiti Dixhital për Ballkanin Perëndimor

Prishtinë, 23 shtator - Në ditën e dytë të Samitit Dixhital për Ballkanin Perëndimor, i cili është mbajtur në Prishtinë, kanë mbajtur fjalën e tyre hyrëse Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, deputeti i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, Zëvendëspresidenti për Politika dhe Partneritet në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Mark Bowman ku kanë folur për lidhjet që promovojnë diplomacinë dixhitale me Ballkanin Perëndimor (WB6) dhe Bashkimin Evropian si dhe prioritetet dixhitale në kuadër të Strategjisë së Bankës 2021-2023.

Po ashtu në ditën e dytë, në sesionin  me temën “Si të sjellim infrastrukturën më të avancuar në Ballkanin Perëndimor”?, folës ishin Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë të Kosovës, Admirim Aliti, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës në Maqedoninë e Veriut, Enkelejda Muçaj, Zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në Republikën e Shqipërisë, Marash Dukaj, Ministër i Administratës Publike në Mal të Zi dhe anëtarë të Parlamentit Evropian, përfaqësues të Bankës Botërore, përfaqësues të bizneseve nga Kosova dhe vendet e rajonit.

Gjatë dy ditëve të Samitit Dixhital për Ballkanin Perëndimor “Prishtina 2022”, morën pjesë rreth 1300 pjesëmarrës, janë mbajtur 11 panele me më shumë se 60 folës, ekspertë të ndryshëm nga sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve (TIK), biznese të ndryshme, përfaqësues të qeverive, përfaqësues nga Komisioni Evropian, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga Bashkimi Evropian, përfaqësues nga Banka Botërore dhe më gjerë.

Në panelet e mbajtura ndër të tjera është diskutuar rreth prioriteteve që shtetet e rajonit kanë në fushën e dixhitalizimit, duke sjell në Ballkanin Perëndimor infrastrukturën më të avancuar dixhitale, duke nxitur zhvillimin dhe inovacionin, shtrirjen e rrjetit 5G dhe në veçanti nxitjen e zhvillimit të ekonomisë dixhitale, e cila shihet si një mundësi e mirë për rritjen e vendeve të punës, në kryerjen e shërbimeve të ndryshme dhe rritjen e tregtisë përmes formave dixhitale.

Në ditën e parë të Samitit “Dixhital Prishtina 2022” janë mbajtur 4 gara regjionale në kodim, lojëra kompjuterike dhe robotikë nga shkollat dixhitale të Kosovës si Ipko Foundation, Shkolla Digjitale, jCoders dhe Bonevet me pjesëmarrës të Ballkanit Perëndimor.

Sesioni hapës i ditës së dytë të këtij samiti, B2B ka regjistruar gjithsej 291 pjesëmarrës, përfaqësues të bizneseve nga Ballkani Perëndimor, Evropa, Turqia, Bullgaria duke realizuar në total 821 takime biznes me biznes për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit në mes tyre në projekte, produkte dhe iniciativa të përbashkëta.  

Si rezultat i këtyre takimeve janë arritur 17 marrëveshje të bashkëpunimit me bizneset vendëse, 7 të tjera janë në fazën e negocimit dhe të tjerët janë dakorduar për të zhvilluar kontakte në të ardhmen.

Bizneset pjesëmarrëse në B2B vijnë nga sektori i TIK-ut, kryesisht të fokusuar në zhvillim të softwerëve, zhvillimi i aplikacioneve të ndryshme, marketingu dixhital dhe kompani të cilat ofrojnë shërbime mbështetëse për klientë ndërkombëtarë.

Sesioni i B2B është bashkorganizuar nga Prishtina REA.

Dita e dytë ka shënuar përfundimin e punimeve të edicionit të pestë të Samitit Dixhital për Ballkanin Perëndimor “Prishtina 2022”i cili është mbajtur në Prishtinë me datë 21 dhe 22 shtator.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 nëntor 2022

- Iniciative për Drejtësi dhe Barazi INJECT dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet IKS organizojnë diskutimin publik për iniciativat e reja ligjore për Mbrojtjen e Grave. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Kosova Women 4 Women  në bashkëpunim me Departamentin e Punës Sociale të Universitetit të Prishtinës organizon konferencën "Politikat në veprim kundër dhunës në baza gjinore". (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi raporton para Komisionit për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë shqyrton kërkesën për shtim të mjeteve buxhetore për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë në Projektligjin për Buxhet për vitin 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me Fabian Salvioli raportues special i OKB-së për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mospërsëritje të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Agjencia e Punësimit në bashkëpunim me GIZ Kosova, Universitetin e Prishtinës dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare organizojnë ceremoninë e hapjes së edicionit të shtatë të Panairit Kombëtar të Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë. (Salla “1 Tetori”, ora 10:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton raportet lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore organizon edicionin e dytë të Forumit të OZhQ-ve me titull ‘Koordinimi në mes të nivelit lokal dhe qendror të qeverisjes për zbatimin e Agjendës 2030'. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon konsultimin publik me qytetarë për planin e Mobilitetit Urban në Rahovec. (Hotel Park Plaza, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, nga fushëveprimi që mbulon Komisioni për Legjislacion. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve mban Kuvendin e VIII Zgjedhor Qendror. (Hotel Amazona, ora 11:00)

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit​ të Republikës së Kosovës në të cilën do të paraqitet në interpelancë me kryeministrin, Albin Kurti për çështjen: "Masat urgjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport mesituatën e krijuar në vend". (Kuvendi i Kosovës, ora 11:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci do të vizitojnë Komunën e Kamenicës me ç ‘rast do të​ takohen me Kryetarin, Kadri Rahimaj. (Komuna e Kamenicës, ora 12:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci do të vizitojnë Shkollën Fillore të Mesme të Ulët, "Xhavit Ahmeti" në fshatin Hodonoc, Komuna e Kamenicës. (Objekti i Shkollës në fshatin Hodonoc, ora 13:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KQZ-së, ora 14:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci do të jenë afër grave që udhëheqin biznese, znj. Ibadete Sadiku, znj. Kadrije Mustafa dhe znj. Emine Kërhanaj. (Kamenicë, ora 15:00)