24 Prill 2024

Për ta zhbllokuar ekonominë digjitale Kosova duhet të shkojë përtej qasjes në internet

Prishtinë, 7 mars - Vendet e Bashkimit Evropian (BE) duhet t’i miratojnë politikat e dizajnuara për t’i ndihmuar më mirë punëtorëve në përshtatjen me vendet e reja të punës të cilat krijohen nëpërmes internetit, në qoftë se duan ta shmangin rritjen e pabarazisë dhe përjashtimit në rajon, thekson një raport i ri i Bankës Botërore.

Sipas raportit Korrja e përfitimeve digjitale: Shfrytëzimi i përparësive të internetit për zhvillim në Evropë dhe Azi Qendrore, i lansuar sot në Bukuresht, qasja e përballueshme dhe pothuajse universale në internet nuk po u mjafton vendeve të BE-së për të përfituar plotësisht nga mundësitë që krijohen nga teknologjitë digjitale prandaj duhet të bëhet më shumë për ta zhvilluar një mjedis të politikave i cili mund ta shfrytëzojë më mirë këtë qasje nëpërmjet lidhjes së punëtorëve me vendet digjitale të punës.

“Po e shohim qartë se vetëm qasja në internet nuk përkthehet automatikisht në përfitime ekonomike”, thotë Hans Timmer, krye-ekonomisti për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore. “Duke pasur parasysh nivelin e tyre të zhvillimit teknologjik, vendet rreth e përqark Evropës duhet të ecin më mirë në drejtim të e-tregtisë, por ende nuk po shohim Google ose Facebook duke u shfaqur jashtë Evropës”.

Tregu i teknologjisë se informacionit (TI) në Kosovë është i vogël dhe i pazhvilluar për shkak të nivelit të ulët të digjitalizimit dhe përdorimit të TI-se në ekonomi. Ai karakterizohet edhe nga konkurrenca e fortë nga importet. Niveli i ulët i specializimit dhe diferencimit midis kompanive kosovare të teknologjisë është pengesë për konkurrencën dhe rritjen ekonomike.

Pengesat më të mëdha për rritjen e eksportit të cituara nga firmat e tregut të TI-së përfshijnë barrierat e vizave, mungesën e mbështetjes nga qeveria, mungesën dhe cilësinë e dobët të kontakteve afariste jashtë dhe brenda vendit, informatat e pamjaftueshme rreth tregut dhe problemet me brending.

Çështje tjera madhore që kanë ndikim tek eksportet dhe rritja e sektorit në afat të gjatë është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar për prodhim në masë. Qasja e kufizuar në financa është një tjetër pengesë ndaj zhvillimit të firmave të TI-së me orientim nga eksporti. Në të njëjtën kohë, kapitali sipërmarrës nuk ështe në dispozicion.

“Përhapja e internetit në nivel global dhe përmirësimet në qasjen në TIK në Kosovë do të thotë se bizneset dhe njerëzit mund t’i qasen mundësive globale për punësim dhe rritje të bizneseve me bazë në TI, punësimit përmes internetit, si dhe shërbimeve të tregtisë”, thotë Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.

“Megjithatë, kjo gjithashtu do të thotë se baza e kualifikimeve duhet të zhvillohet dhe të rinjtë duhet të kenë kapacitet për të gjetur dhe për të kryer punë në epokën digjitale. Për kete arsye Banka Boterore po diskuton përkrahjen e mundshme për Programin e Kosovës për Digjitalizim të Ekonomisë (KODE) që synon realizimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës përmes përdorimit më të gjerë të infrastrukturës së internetit brezgjere dhe zhvillimit të bizneseve si dhe të aftësive digjitale, që janë konkurruese globalisht. Shndërrimi i internetit ne shërbim universal dhe të përballueshëm në Kosovë dhe përshtatja e kualifikimeve të punëtorëve dhe bizneseve me kërkesat e tregjeve kryesore të eksportit janë paralajmërues të transformimit të Kosovës në ekonomi digjitale” – shtoi ai.

Puna përmes internetit mund të ofrojë mundësi më të mira për grupet të cilat përballen me pengesa në punësim, për shembull, punëtorët më të vjetër, gratë apo të rriturit me fëmijë të vegjël, ku shërbimet e kujdesit ditor për fëmijë janë të kushtueshme ose të pakta. Kosova është aktive në promovimin e modelit të punës nëpërmjet internetit në mesin e grave në viset rurale. Programi ‘Gratë në punë online’ i mbështetur nga Banka Botërore, i cili ka ofruar trajnime dhe stërvitje për punë nëpërmjet internetit për 150 gra të papunësuara dhe të nënpunësuara në Kosovë, është një shembull i nismës së tillë.

“Edhe pse po krijohen mundësi të reja dhe të papara përmes internetit, ekziston edhe mundësia e përjashtimit të mëtejshëm - veçanërisht për punëtorët e pakualifikuar”, thotë Hernan Winkler, Ekonomist për rajonin EAQ në Bankën Botërore dhe autor kryesor i raportit. “Na duhet të vendosim politika të cilat mund t’i ndihmojnë njerëzve që të përshtaten me sfidat e reja”.

“Fokusimi në masat që zgjerojnë mbulesën me kujdes shëndetësor dhe pensione për punonjësit e ekonomisë “me angazhime të njëhershme” apo që lehtësojnë kalimin e punëtorëve të zhvendosur drejt vendeve të reja të punës mund të jetë më efektiv sesa krijimi i rregulloreve që kanë për synim parandalimin e ndryshimeve të pashmangshme teknologjike”.

Politikat për t’i lehtësuar pagesat e kontributeve sociale dhe tatimore në ekonominë e bashkëndarë mund t’i nxjerrë punëtorët nga ekonomia e hirtë dhe mund t’i sigurojë atyre mbrojtje në punësim, sipas raportit. Përmirësimi i konkurrencës mund të ndihmojë të nxitjen e përshtatjes së TIK në mesin e firmave në BE, veçanërisht në Evropën Jugore, një rajon me mjedis relativisht të dobët të konkurrencës.

Rritja e ekonomisë së bashkëndarë dhe aranzhimet në punë alternative përbëjnë një sfidë të re ndaj rregulloreve ekzistuese të tregut të punës dhe kontratës shoqërore, të cilat janë krijuar për t’i mbrojtur punëtorët që punojnë për rrogë gjatë gjithë jetës. BE-ja ka mundësi unike për ta udhëhequr agjendën e politikave për t’i bërë vendet e punët në ekonominë digjitale më përfshirëse dhe më produktive.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)