04 Dhjetor 2020

Partneriteti publiko privat rrit sigurinë nacionale kibernetike

Prishtinë, 2 nëntor - Avancimi digjital i përshpejtuar nga pandemia COVID-19  ka sjellë përfitime të ndryshme për shoqërinë, por në të njëjtën kohë u ka hapur rrugë rreziqeve të padukshme kibernetike. Gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me një panel ekspertësh vendor dhe të huaj, u diskutua epoka e re e sigurisë kibernetike, mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme rreth sigurisë kibernetike, si dhe rëndësia e partneritetit publiko-privat dhe e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë aspekt. 

Xhavit Gashi, këshilltar i jashtëm i Odës Ekonomike Amerikane, njëherit edhe moderator i këtij eventi, tha se situata globale e krijuar nga pandemia COVID-19 e ka rritur rëndësinë e sigurisë kibernetike, por gjithashtu edhe numrin e rreziqeve që burojnë nga ajo. 

Gjenerali Timothy Orr, ish drejtor për mbrojtje publike në shtetin e Iowas, theksoi se në Shtetet e Bashkuara gjerësisht përdoret partneriteti publiko-privat për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe rrjetet, si dhe për të shtyrë strategjinë e përgjithshme kibernetike. Sipas tij, çdo qeveri duhet të ketë një strategji kibernetike me të cilën përcaktohet funksionimi i vendit në këtë aspekt, duke krijuar një kornizë për ndarjen e informatave mbi rreziqet kibernetike që u kanosen sektorit publik dhe atij privat.

Doug Jacobson, profesor dhe drejtues i Qendrës për Siguri të Informacionit në Universitetin Shtetëror të Iowas, tha se rëndësi e veçantë në këtë vend po i kushtohet edukimit të shoqërisë mbi sigurinë kibernetike. Sipas Jacobson, gjatë kësaj periudhe të përdorimit edhe më të madh të digjitalizimit janë parë shumë praktika mashtruese, siç janë ato të dërgimit të emaileve të rreme me qëllim të zbulimit të informacioneve personale, të cilat kryesisht targetojnë individët, por edhe të tjera më serioze me target bizneset.

Lajos Antal, udhëheqës për shërbimet e rrezikut kibernetik në Evropën Qëndrore brenda kompanisë Deloitte, tha se sulmet kibernetike të cilat në nivel global kanë qenë në rritje gjatë kësaj kohe, përveç se dëmtojnë financiarisht kompanitë, dëmtojnë edhe marrëdhëniet me partnerët, shitësit e besueshëm dhe akterët e tjerë. Sipas tij, siguria kibernetike kërkon investime, por megjithatë është e pashmangshme dhe luan rol imperativ në mbrojtjen nga sulmet të cilat targetojnë kompanitë.

Kujtim Gashi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, theksoi se kjo kohë ka krijuar një mundësi të mirë për sinkronizim të aktiviteteve lidhur me sigurinë kibernetike në mes të sektorit publik dhe atij privat. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që gjatë viteve të fundit janë rritur kapacitetet e sigurisë kibernetike në infrastrukturën shtetërore, dhe sulmet deri më tani janë përballuar me sukses. 

Xhanan Karaqa, udhëheqëse e departamentit të sigurisë në NLB Bank, potencoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme gjithashtu janë ballafaquar me sulme kibernetike të cilat janë të pranishme në çdo shtet të botës, ndërsa theksoi rëndësinë e rritjes së njohurive tek këto ndërmarrje lidhur me rreziqet kibernetike, në mënyrë që të njëjtat të kenë mundësi të mbrojnë rrjetet dhe të dhënat e tyre. 

Rina Basholli, inxhiniere e avancuar në sigurinë e informacionit, theksoi se tashmë me një avancim të përshpejtuar nga pandemia, mundësitë e rritura për sulme kibernetike kanë prekur vektorë të ndryshëm të sigurisë. Sipas saj, mungesa e njohurive për sigurinë kibernetike mbetet një sfidë, derisa ekziston nevojë për ngritje të ndërgjegjësimit tek shoqëria ndaj sulmeve të mundshme, dhe nevojës për të qenë pro-aktiv në këtë aspekt.

Mentor Hoxhaj, kryetar i Cyber Security and Privacy, tha se një ndër problemet kryesore lidhur me sigurinë kibernetike është mungesa e raportimit të shkeljeve në të dhëna dhe mungesa e investimeve në një infrastrukturë kibernetike. Hoxha gjithashtu theksoi nevojën për krijimin e një standardi për raportim, dhe rritjen e transparencës në mënyrë që të hartohen sistemet mbrojtëse.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Dhjetor 2020 - Mbahet seanca fillestare për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti Special - krimet e rënda me c'rast avokati mbrojtës do te jep deklaratë për mediet pas seancës. (Gjykata Themelore në Prishtinë, ora 9:30)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti do të mbaj një takim virtual me presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Alexis Mourre dhe Drejtoreshën e Komisionit të Arbitrazhit për Evropë, Laetitia de Montalivet. (Takim virtual, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Emilja Redzepi, do të bëjnë nënshkrimin e kontratave me përfituesit e thirrjes për përkrahjen e OJQ-ve dhe individëve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:00)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime organizon aktivitetin “Tuneli i Fundit” në përkujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vitet e fundit në Kosovë, dita e dytë. (Përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton shkresën e Artan Qerkinit përfaqësues i Malcolm Simmons, ish kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, “Përgjigje në ftesën për të dëshmuar para Komisionit për Legjislacion” si dhe njoftohet me shkresën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Tomas Szunyong, për emërimin e Karin Hernmark Ahliny, Ambasador i Suedisë, anëtar i Bordit  Mbikëqyrës  të Agjencisë Kosovare për Verifikim dhe Krahasim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:15)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës Arban Abrashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit te Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Organizata Etea dhe Aleanca Franceze në Prishtinë me mbështetjen e Ambasadës Franceze do të mbajnë takimin e parë të huazimit të librave. (Tek objekti i Aleancës Franceze, ora 11:00)

- Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) mban konferencë për medie lidhur me një hetim ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e energjisë elektrike. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, ora 11:15)

- Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë Veljko Odalovic do të mbajnë konferencë për media lidhur me varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. (Lokacioni i varrezës masive në Kizhevak  të Serbisë, ora 12:00)

- Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarit N. M., i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, për veprën penale “vrasje e rëndë” pasi qe në  fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i pandehuri dyshohet që pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë - shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtoren e Insitutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete Latifi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë plotëson listën e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mban konferencë për media me rastin e dorëzimit të padisë për konflikt administrativ kundër vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji”. (Para Pallatit të Drejtësisë, ndërtesa A, ora 14:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pret në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj ku pjesë e takimit do të jenë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. (Objekti i MPJD-së, ora 14:00)