15 Tetor 2019

Në ditën e grave behët thirrje për më shumë vajza në shkencë dhe teknologji

Prishtinë, 8 mars - Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Grave, në Prishtinë u organizua punëtoria  me temën "Vajzat në inovacion për ndryshim," duke thirrur për rritje të pjesëmarrjes së vajzave në shkencë, teknologji dhe inovacion, bazuar në temën globale të OKB-së, "Mendo për barazi, ndërto zgjuar, inovo për ndryshim",

Duke pasur parasysh shkallën e ulët të pjesëmarrjes së grave në industrinë e teknologjisë në Kosovë, (më pak se 30%) qëllimi i kësaj punëtorie është theksimi i rëndësisë së investimeve teknologjike në fuqizimin e grave dhe vajzave si faktor themelor për thyerjen e transmetimit të varfërisë, dhunës, përjashtimit dhe diskriminimit mes gjeneratave, duke arritur mundësi të zhvillimit të qëndrueshëm.

Në këtë punëtori të organizuar nga UN Women, UNICEF, UNKT dhe IPKO Foundation, në partneritet me Agjencinë për Barazi Gjinore dhe SIDA, morën pjesë pesëdhjetë (50) vajza të reja nga dhjetë (10) komuna të Kosovës, të cilat kishin mundësinë të përqëndrohen në të mësuarit si mjet fuqizimi në profesione të dominuara nga burrat.

“Uroj që takimi i sotëm të jetë frymëzues, të punoni për ëndrrat e juaja, dhe t’a përqafoni shkencën, sepse shkenca është mjeti më i fuqishëm që ndër shekuj sfidoi mentalitetin dhe pabarazinë,” iu drejtua vajzave në hapje të kësaj punëtorie znj. Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Në fjalën e tij të rastit, Ministri Besim Beqaj nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, theksoi përkrahjen e institucioneve të Kosovës për fuqizimin e grave dhe vajzave në fushën e inovacionit, si kontribuese të barabarta të ndryshimeve në shoqëri.

Koordinatorja për Zhvillim e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, deklaroi se gjatë jetës se saj në Suedi ka qenë dëshmitare e ndryshimeve shoqerore, inovacionit dhe teknologjisë,  të cilat u përshpejtuan nga përfshirja e grave dhe vajzave.

"Tani i shoh të njëjtat energji këtu, në ndërtimin e shoqërisë kosovare, duke bërë ndryshimin cilësor drejt arritjes së përfaqësimit të barabartë të grave dhe vajzave në fushat ku ato ishin - dhe ende janë - të nënpërfaqësuara; arsim, punë, politikë, inovacion dhe natyrisht teknologji!", theksoi Richardson.

Ndërsa, Abetare Gojani, drejtoreshë e programit në Ipko Foundation, fondacion që ka frymëzuar më shumë se një mijë vajza për t'u bashkuar me fushën e teknologjisë informatike, theksoi: "Ne në Fondacionin IPKO bazojmë veprimet tona në besimin se kur ju fuqizoni gratë, ju fuqizoni gjithë shoqërinë".

Gjatë punëtorisë u theksua se për të arritur barazi gjinore, duhet të ketë inovacione shoqërore të barabarta për gratë dhe burrat duke mos lënë askënd mbrapa. Shkenca dhe barazia gjinore janë jetësore për arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm të dakorduara ndërkombëtarisht, në Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, për të cilën edhe Kosova është angazhuar.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 tetor 2019

-  Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media lidhur me zhvillimet në sektorin privat. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëorganizim me MASHT-in dhe OJQ – të mjedisore do të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Ecjes së Lirë në Natyrë. (Parku “Germia”, ora 10:00)

- Shoqata Down Syndrome Kosova në bashkëpunim me GIZ-in gjerman organizon “Panairi i karrierës: takimi i punëdhënësve me punëkërkuesit” i cili zhvillohet në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Fakulteti Ekonomik i Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka” organizon takimin Fakultet-Biznese, ku do të diskutohet për të ardhmen e Fakultetit dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe praktikes per studentet. (Objekti i Universitetit të Gjilanit, ora 12:00)

- Hapet edicioni i dytë i Metamorphosis. Flirting with leftovers e cila është një  intervenim artistik, specifik për lokacionin,  konceptuar nga artistja Koja. (Ish Restorant Marsi, rr. Bedri Gjini - Kodra e Trimave, ora 18:30)